Lajme
Për diasporën e Maqedonisë – vetëm fjalë*
Nga ajo çka mund të përcillet në portalin Albinfo.ch mund të konstatohet lehtësisht se një nga qëllimet e këtij portali është afirmimi dhe promovimi i aktiviteteve, halleve dhe sfidave të mërgimtarëve tanë tani më kohë të gjatë të punësuar dhe që jetojnë në vendet jashtë vendlindjes së tyre.
Duke marrë parasysh specifikat e shumanshme të kësaj mërgate shumëvjeçare, ajo më tani po thirret si diasporë (nga fjala greke διασπορά, që ka kuptimin e dispersionit, pra të “farës së shpërndarë” nga vendi i vet, sepse ajo tani nuk paraqet strukturë amorfe, të përkohshme, hallexhinj që kanë lënë vendin vetëm për bukën e gojës, por gjithnjë e më tepër ajo prezentohet si një tërësi komplekse që përveç asaj që kryesisht jeton jashtë vendlindjes, ajo ka nivelin e lartë të vetëdijes për peshën dhe kontributin e vet si në vendin prej nga vjen, po ashtu edhe në vendin ku jeton e punon.
Ajo ka potencialin dhe vizionin e vet të qartë për mundësitë dhe synimet e veta, tani më si pjesë e konsoliduar dhe kryesisht e integruar në rrjedhat sociale, ekonomike, arsimore dhe shkencore në vendet ku jetojnë. Për fatin tonë të mirë, ata (mërgimtarët tanë) kanë mundësi dhe vizion edhe për aspekte të zhvillimit ekonomik dhe social edhe të vendlindjeve të tyre.
Përvoja e tyre e gjatë në punët dhe aktivitetet e nduarduarshme në vendet e Perëndimit, shkollimi formal i gjeneratave të reja në shkolla shumë cilësore në vendet e tyre të qëndrimit, si dhe shkollimi joformal në kuadër të aftësimeve për punë për nevojat e këtij tregu shumë dinamik të punës, i kanë pajisur ato me dije dhe kompetenca të atij niveli që çdo ekonomi do t’ i kishte dëshiruar. Si të këtillë, ky potencial paraqet një ndër asetet më të vlefshme për zhvillimin e një komuniteti dhe, pse jo edhe të shoqërisë së gjerë. E gjithë kjo, së bashku me gatishmërinë e tyre (edhe për shkaqe emotive, ose patriotike, siç kemi dëshirë ta quajmë) për t’i lidhur këto resurse (si financiare, po ashtu edhe njerëzore) me vendlindjen e tyre, duhet të jetë arsye e fuqishme për të tërhequr vëmendjen e politikëbërësve në vendet përkatëse për të hapur rrugët e bashkëpunimit me to, duke u krijuar kushtet e nevojshme për të lehtësuar këtë proces me efekte shumë pozitive.
Sado që duket që kjo do të mundësonte realizimin e një interesi të dyanshëm, duhet thënë se janë vendet nga vijnë ato të cilat kanë nevojë më së shumti dhe do të shijonin benifitet më të prekshme për ekonomitë e tyre përkatëse, kur dihet situata tejet e pavolitshme me tendencë të përkeqësimit të mëtutjeshëm.
Këtë hyrje sqaruese kaq të gjatë e bëra për të vënë në pah edhe një herë absurditetin nga neglizhenca qe i bëhet kësaj çështjeje nga ana e organeve poltikëbërëse të shteteve përkatëse, duke e trajtuar diasporën dhe tërë potencialin e saj në mënyrë kaq neglizhuese dhe të padenjë. Aktivitetet që ka filluar t’i realizojë qeveria e Kosovës, sidomos me dhe pas themelimit te Ministrisë për Diasporën, janë një hap shpresëdhënës në drejtimin e duhur, por kjo nuk mund të kompensojë nevojën për aktivitete përmbajtjesore edhe nga hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarët. Shembull tipik për këtë moskokëçarje është Republika e Maqedonisë, faktorë të së cilës e kanë plot gojën deklarata boshe me plot patetizëm, por në fakt, sipas sjelljes së tyre (në veçanti faktorët shqiptarë) ato nuk kanë bërë asnjë hap për të vlerësuar, orientuar dhe shfrytëzuar këtë potencial.
Statistikat zyrtare flasin për një numër rreth 5oo mijë qytetarë të Maqedonisë që janë të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të botës. Si numër real duhet marrë ndoshta dyfishin, nga të cilët shumica janë shqiptarë. Zvicra, Italia e Gjermania janë vendet me koncentrim më të madh të diasporës shqiptare, ku ato janë me mbi 5o mijë në secilën (në Zvicër rreth 8o mijë). Për Maqedoninë këto kanë peshë të veçantë kur dihet fakti se përbëjnë pjesën më vitale të popullatës shqiptare, faktor që mban barrën më të madhe edhe të GJDP-së të Maqedonisë me pjesëmarrjen e remitencave të tyre në buxhetin shtetëror me mbi 20% dhe me efektin e tyre edhe politik, jo vetëm në vendet ku punojnë, por edhe në vetë Maqedoninë, kur dihet fakti se nga diaspora zgjedhen tre deputetë të Parlamentit të Maqedonisë. As organizimi i çoroditur, as edhe mosprezentimi i diasporës shqiptare me asnjë deputet (të tre u zgjodhën të etnisë maqedonase) nuk ndikoi në vetëdijesimin e faktorëve shqiptarë në institucionet e Maqedonisë për të hedhur një sy mbi këtë situatë, për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për t’i hyrë një angazhimi institucional për të tejkaluar situatën momentale tejet të pafavorshme dhe shterpë.
Maqedonia (pa përjashtuar edhe Kosovën) ka interes vital dhe detyrim të veçantë moral që të angazhohet institucionalisht për diasporën e vet. Lehtësimet e procedurave ligjore dhe qartësimi i tyre për investime është shansi i vetëm për të mbushur zonat e lira doganore (në Tetovë e gjetiu) me investime “të huaja”. Kjo do çonte në zvogëlimin e papunësisë dhe ndaljen e “rrugës së kurbetit”, shprazjes së vendbanimeve (dhe shkollave) tona.
Anëtarë të caktuar të diasporës sonë tani më kanë aq potencial që do të ishin të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për investime të një ekonomie të vogël, siç është ajo e Maqedonisë, por për të ndodhur kjo duhet një bashkëpunim më i ngushtë në mes të këtyre faktorëve me qëllim sqarimin dhe tejkalimin e disa aspekteve për investime, të cilat si rregull, biznesmenët shqiptarë i ndiejnë më vështirë.
Janë edhe aspekte të tjera të jetës dhe punës që diaspora ka nevojë për një mbështetje institucionale të qartë. Arsimi, kultura, informimi i ndërsjellë janë sfera ku obligimet dhe vartësia e ndërsjellë vetëm mund të bëjë më të lumtur si diasporën, po ashtu edhe të afërmit e tyre në vendlindje. Por, për t’u realizuar këto, pa dyshim që do të duhet një përkujdesje institucionale, relacione korrekte dhe vizion me përmbajtje të qartë për përjetësimin e tyre, të cilat fatkeqësisht deri tani kanë munguar.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit











