Lajme
Kosova nuk ofron asgjë për mërgimtarët
Mërgimtarët nuk kanë përkrahje të mjaftueshme nga institucionet e Kosovës. 77 për qind e mërgimtarëve të anketuar gjatë verës së shkuar kanë deklaruar se nuk kanë përkujdesje nga shteti prej nga kanë emigruar. Megjithëkëtë, mërgimtarët asnjëherë nuk i ndalin vizitat në vendlindje. 88 për qind e respondentëve vazhdojnë t’i vizitojnë familjarët e tyre një ose dy herë brenda vitit. Në këtë konstatim ka arritur një studim i kryer nga një ekip studiuesish të Universitetit për Biznes dhe Teknologji UBT në Prishtinë. Për detajet e tjera të studimit “Perceptimi i Diasporës 2011” flet në një intervistë për Albinfo.ch presidenti i Universitetit për Biznes dhe Teknologji UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Albinfo.ch: Cili është qëllimi i këtij studimi, pse pikërisht objekt studimi diaspora, a do të thotë që pak projekte u dedikohen qytetarëve kosovarë jashtë vendit dhe a do të thotë se ka pak informacione për mërgatën?
Hajrizi: Hulumtimi ka pasur për qëllim të nxjerrë të dhëna të ndryshme sa i përket jetës së pjesëtarëve të diasporës, kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në diasporë, lidhjeve me familjet, perceptimin për përkujdesjen shtetërore ndaj tyre, lidhjet e tyre me atdheun, mundësitë për të vijuar mësimin plotësues në gjuhën amtare, planifikimet për hapje të biznesit në vendlindje, e tjera. Po ashtu hulumtimi ka pasur për qëllim edhe kërkesat e tyre të ndryshme drejtuar institucioneve të Kosovës dhe cilat janë ato që mund të ndikojnë në përmirësimin e imazhit të vendit
Albinfo.ch: Në prezantimin e këtij hulumtimi keni thënë se janë nxjerrë të dhëna të ndryshme sa i përket jetës së pjesëtarëve të diasporës. Sa zgjat qëndrimi i tyre në diasporë, çfarë lidhjesh kanë me familjet dhe atdheun?
Hajrizi: Siç shihet nga statistikat e hulumtimit 66% e të intervistuarve kanë 10-20 vjet që jetojnë në vendet jashtë Kosovës. Nga këtu shihet se shumica kanë emigruar për shkak të luftës ose periudhës së vështirë të paraluftës së fundit, ndërsa pjesa tjetër për shkak të kushteve të rënda ekonomike.
Po ashtu shumica e të intervistuarve, që në përqindje është mbi 88 për qind, vizitojnë familjarët e tyre një ose dy herë brenda vitit. Ata thonë se punojnë me vullnetin më të madh për këtë vizitë, një pjesë tjetër prej 3 për qind vijnë më shpesh, tre ose katër herë brenda vitit, kurse kemi edhe një pjesë tjetër prej 8 për qind, të cilët vijnë edhe më shpesh, katër herë e më shumë brenda vitit.
Albinfo.ch: Çfarë perceptimi kanë pjesëtarët e mërgatës për përkujdesjen shtetërore ndaj tyre?
Hajrizi: Duke u bazuar në analizat e bëra me anë të pyetësorit, shihet se bashkatdhetarët nuk kanë përkujdesje të mjaftueshme nga shteti i Kosovës. Rreth 77 për qind deklarojnë se nuk kanë përkujdesje nga shteti. Ata deklarojnë se asnjëherë nuk u është bërë asnjë ndihmesë sado e vogël që është, sidomos ata kanë nevojë që shteti t’i ndihmojë sa i përket dokumenteve, për arsye se shumë herë ndodh që për një dokument atyre u shkon koha e pushimeve nëpër institucionet e Kosovës.
Sa i përket organizimeve, ata kanë thënë se nuk ka asnjë organizim nga ana e shtetit, pos disa organizimeve nga disa organizata joqeveritare, për të cilat, edhe pse janë shumë organizime të vogla, ata janë të kënaqur, sepse kanë mundësi, sado të vogël, të kenë një kontakt, edhe pse indirekt, me vendlindjen e tyre.
Albinfo.ch: Nga hulumtimi kanë dalë edhe kërkesa të ndryshme drejtuar institucioneve të Kosovës, cila janë ato kërkesa?
Hajrizi: Nga analizat e marra nga të intervistuarit rezulton se 47 për qind e të intervistuarve nuk iu ofrohet përkujdesje e mjaftueshme kur ata vijnë në Kosovë. Ata kërkojnë që së paku kur ata kanë nevojë për dokumentet, të kenë mundësi që ato t’i rregullojnë sa më shpejt, për shkak të kohës së kufizuar.
Rreth 34 për qind kanë thënë se në Kosovë ka përkujdesje të mjaftueshme, mirëpo shumica kanë thënë se kjo përkujdesje është nga anëtarët e familjes, e jo nga shteti. Bashkatdhetarët tanë e ndiejnë thellë se Kosova nuk bën asgjë për ta, pos që i shfrytëzon ata materialisht. Ata me entuziazmin më të madh tregojnë se çka kanë bërë për vendin e tyre, mirëpo si përgjigje kanë marrë “vetëm neglizhim në çdo çast dhe moment”.
Albinfo.ch: Shpesh shprehet zhgënjimi nga mërgimtarët që nuk po trajtohen mirë nga institucionet e vendit, cilat ishin vërejtjet më të shpeshta të tyre?
Hajrizi: Siç shihet edhe nga statistikat, 48% nga të intervistuarit kanë thënë se nuk u ofron Kosova asgjë, një pjesë tjetër prej 28% kanë thënë se pos mikpritjes, Kosova nuk u ofron asgjë, edhe mikpritja është nga ana e familjarëve. Ata kërkojnë që Kosova shtetasit që jetojnë jashtë t’i stimulojë dhe t’i sigurojë ata që të investojnë në Kosovës, për shkak se ata kanë mundësi, mirëpo nuk e shohin Kosovën të sigurt për të investuar. P.sh. si njëra prej kërkesave ka qenë se Kosova duhet të lehtësojë procedurat e hapjes e mbylljes së bizneseve.
Albinfo.ch: Çfarë idesh vijnë nga diaspora , që ndoshta mund të ndihmojnë institucionet e shtetit, shoqërinë në përgjithësi, në zhvillimin e politikave karshi mërgimtarëve?
Hajrizi: Nëse analizat bëhen në mënyrë statistikore se a ka apo nuk ka ndikim shteti i Kosovës në jetën e bashkatdhetarëve, rreth 77 për qind e të intervistuarve kanë thënë se Kosova si shtet nuk ka kurrfarë ndikim as për nga ana negative, as për nga ana pozitive. Të vetmin ndikim që ka Kosova në jetën e tyre janë familjarët dhe, vetëm familjarët e ndiejnë mungesën për ata dhe ata për familjarët, çka do të thotë se gjithçka sillet rreth tyre, punojnë jashtë për t’i ndihmuar ata, punojnë që të kenë mundësi të vijnë për pushime këtu në Kosovë. Kështu që, ata lusin shtetin e Kosovës që t’i ndihmojë ata, sepse ata kanë shumë nevojë për ndihmë në shumë aspekte.
Albinfo.ch: Hulumtime të tilla mund të ndihmojnë në identifikimin e problemeve me të cilat ballafaqohet diaspora jonë në vendet ku jeton, ku janë institucionet e vendit karshi nevojave të tyre?
Hajrizi: Mendoi se ky hulumtim, i bërë edhe në bashkëpunim me Ministrinë e diasporës, ka këtë qëllim: identifikimin e nevojave të diasporës dhe rolit të Kosovës karshi tyre.
Albinfo.ch: Sa po punohet që të avancohen politikat e shtetit të Kosovës ndaj diasporës?
Hajrizi: Vetë fakti që Republika e Kosovës dhe qeveria e saj kanë themeluar ministri të veçantë për diasporën, kjo tregon se shteti i Kosovës i respekton dhe dëshiron që me diasporën të ketë një ndërlidhje të ngushtë dhe afatgjate. Diasporën e sheh si një potencial apo vlere të madhe të veten dhe mendon që asaj duhet kushtuar vëmendje të veçantë.
Tani këtu është mundur të krijohen politika të mirëfillta për diasporën. Edhe ky hulumtim ka qenë një ide që të kemi një analize të gjendjes për diasporën para themelimit të Ministrisë, me qëllim që gjatë zhvillimit të saj të merren parasysh drejtpërdrejt kërkesat, dëshirat dhe nevojat e diasporës.
Albinfo.ch: Çfarë të dhënash dolën në pah rreth ndjekjes së mësimit të gjuhës shqipe të pjesëtarëve të mërgatës dhe çfarë mekanizmash duhet të krijohen që mërgimtarët tanë ta ruajnë gjuhën shqipe dhe identitetin e tyre kombëtar?
Hajrizi: 50 për qind e të intervistuarve kanë thënë se kanë pasur mundësinë që fëmijët e tyre të mbajnë orë shtesë në gjuhën shqipe. Ndërsa 44 për qind kanë thënë se nuk kanë mundësi që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin në gjuhën shqipe. Në mungesë të shkollimit në gjuhën shqipe nëpër shkolla, prindërit i mësojnë fëmijët e tyre vetë shqip, edhe pse ata kishin dashur shumë që fëmijët e tyre të kenë mundësi të mësojnë shqip në shkollë dhe të mësojnë për kulturën e shqiptarëve. Rreth 38 për qind e të intervistuarve kanë thënë se politikat e shtetit të Kosovës kanë ndikim për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës. Pjesa prej 50 për qind kanë thënë se Kosova si shtet nuk ka kurrfarë ndikimi politik për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës. Ata kanë thënë se pos faktit që vetë prindërit kontribuojnë për ta ruajtur kulturën, gjuhën, nga ana e shtetit nuk ka kurrfarë ndikimi. Ata lusin shtetin e Kosovës që të ndërmarrë diçka, pasi që ata kanë dëshirë që fëmijët e tyre të vijojnë shkollimin në gjuhën shqipe, të mësojnë për kulturën e vendit të tyre. Ka raste kur ata propozojnë që gjatë pushimeve të verës shteti të hapë shkolla vetëm për bashkatdhetarët, t’u mësohet fëmijëve gjuha e kultura shqipe, etj.
Albinfo.ch: A do të ketë matje të tilla edhe në të ardhmen të perceptimit të diasporës?
Hajrizi: Ne e kemi emërtuar këtë matje si perceptimi i Diasporës 2011. Kjo nënkupton se matjet e tjera do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, si në aspektin e vazhdimësisë, po ashtu edhe në aspektin e madhësisë.
Në hulumtimin e ardhshëm do të punojmë pak më shumë, d.m.th. do të intervistojmë edhe diasporën, e jo vetëm në Kosovë.
Albinfo.ch: A mund të na tregoni për metodologjinë, si dhe kur është zhvilluar hulumtimi?
Hajrizi: Hulumtimin është zhvilluar gjatë sezonit së verës, janë shfrytëzuar pikat kufitare, grupe dhe udhëtime të ndryshme, edhe përmes medieve sociale, si interneti, por hulumtimi kryesisht është organizuar duke intervistuar drejtpërsëdrejti individin.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit











