Kosova
Ambasada e Kosovës në Gjermani del me sqarim rreth njohjes së patentshoferëve

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka dalë me një njoftim lidhur me njohjen e patent shoferëve të Kosovës në Gjermani.
“Sot, më datë 26 janar 2022 në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim KA KALUAR PA VËREJTJE”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
NJOFTIM LIDHUR ME NJOHJEN E PATENTË-SHOFERËVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në pamundësi për t`ju kthyer përgjigje të gjithëve një nga një, dëshirojmë që në formë të përmbledhur t`iu informojmë me disa detaje shtesë rreth njohjes së patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës nga Republika Federale e Gjermanisë:
a) Nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla ndërmjet shteteve merr kohë dhe zgjatë me vite. Në një proces të tillë të konvertimit të patentë-shoferëve me Gjermaninë, janë duke kaluar edhe disa shtete të tjera, të cilat kanë shtetësi shumë më të vjetër se Republika e Kosovës.
b) Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për shtetasit e Republikës së Kosovës në Gjermani, institucionet kompetente kosovare e kanë marrë me përkushtim të posaçëm kryerjen dhe zbatimin e të gjitha zotimeve nga kjo marrëveshje.
c) Duke qenë se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Gjermanisë i ka rekomanduar me datë 29 dhjetor 2021 Këshillit Federal (Bundesrat-it) të procedojë tutje me miratimin e marrëveshjes, ka mbetur që Bundesrat-i, si instanca finale institucionale, të thotë fjalën e fundit.
d) Kështu që, sot, më datë 26 janar 2022 në Komisionin për Transport dhe Komunikime Digjitale në Bundesrat është shqyrtuar rekomandimi i Ministrisë Federale të Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit dhe si i tillë, ky rekomandim KA KALUAR PA VËREJTJE.
e) Nga ana e Bundesrat-it ka mbetur edhe hapi i fundit procedural, që është votimi në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022.
f) Në lidhje me pyetjet e dërguara dhe paqartësitë për Bundesrat-in: ai nuk është dhoma e dytë e parlamentit gjerman (tipike për shumë shtete tjera me sistem parlamentar bikameral). Si organ (sui generis) legjislativ, Bundesrati nuk përbëhet nga deputetët e zgjedhur (siç është rasti i Bundestag-ut), por nga përfaqësuesit e 16 landeve gjermane (përkatësisht nga krerët e qeverive të landeve apo ministrat e resorëve përkatës) dhe përbëhet nga 69 anëtarë. Kështu që, marrëveshja e sipërpërmendur do të votohet në Bundesrat dhe për aprovimin e saj nevojitet shumica e thjeshtë (prej 35 votash).
Të nderuar qytetarë,
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, se sa kjo marrëveshje ua lehtëson punën, ua lehtëson jetën dhe kryerjen e aktiviteteve tuaja në Gjermani, andaj jemi në kontakte të vazhdueshme me institucionet e shtetit mik të Gjermanisë, që jo vetëm këto shqetësime tuaja ditore, por edhe tema të tjera të interesit të përbashkët t`i adresojmë dhe zgjidhim bashkërisht.
Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm, se një numër i madh i qytetarëve të Republikës së Kosovës (me vendbanim apo leje qëndrimi në Gjermani) janë gjobitur nga autoritetet vendase në mungesë të kësaj marrëveshje. Kemi pranuar me dhjetëra thirrje dhe mesazhe telefonike dhe vërtetë ndjejmë keqardhje për secilin rast veç e veç. Andaj, dëshirojmë t`ju sigurojmë se shqetësimet tuaja janë brengat tonat.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme,
Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin (ARKS), së bashku me gjashtë misionet konsullore, do të vazhdojë të jetë në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në Gjermani. Në këtë drejtim, kërkojmë edhe mirëkuptimin tuaj që të rrisim dhe përforcojmë kulturën e komunikimit institucional dhe publik.
Përpos faqes zyrtare të ARKS në Berlin, jemi aktiv edhe përmes rrjeteve sociale (Facebook, Tëitter dhe Instagram). Të gjitha këto janë ndërmarrë me qëllim që të jemi sa më afër jush, si dhe me qëllim që t`ju njoftojmë për të gjitha çështjet me rëndësi. Andaj, zotimi ynë për një kapitull të ri e të mirëfilltë të bashkëpunimit dhe të informimit, nuk është i mundur pa një bashkëpunim të ngushtë, korrekt dhe duke reflektuar qasje qytetare e me integritet ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Përzemërsisht,
Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin
E-Diaspora
-
Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë Pas një gare të fortë ndërkombëtare në kuadër të Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së...
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën
-
Dyseldorf: Ndahen mirënjohjet për nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe
-
Liriona Morina, finaliste në mesin e avokatëve të rinj më të mirë të Evropës
-
Nxënësit shqiptarë nga Zvicra nisin Shkollen Verore “Jam Shqiptar”
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj