Lajme

37 milionë euro fitime kanë realizuar bankat komerciale

ProCredit Bank" ka shënuar profit prej 16 milionë e 835 mijë eurove, derisa "Raiffeisen" ka shënuar profit prej 12 milionë e 50 mijë eurove

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar profitin më të lartë që nga themelimi i tyre në Kosovë. Brenda 12 muajve operimi gjatë 2011-së, tetë bankat komerciale që operojnë në tregun financiar të vendit kanë shënuar së bashku mbi 37 milionë euro profit, shkruan shtypi kosovar.

Përqindjen më të madhe nga profiti i përgjithshëm i bankave e kanë shënuar “ProCredit Bank” dhe “Raiffeisen Bank”.

E para ka shënuar profit prej 16 milionë e 835 mijë eurove, derisa “Raiffeisen” ka shënuar profit prej 12 milionë e 50 mijë eurove.

Ky raportim është bërë nga bankat komerciale në Bankën Qendrore të Kosovës. Në krahasim me operimin gjatë 2010-së, bankat komerciale realizuan rreth 5 milionë euro profit më shumë.

Raporti i publikuar së voni tregon se me gjithë profitin e shënuar, bankat vazhduan të përballen me rritje të ngadaltë të kreditimit dhe të realizimit të depozitave nga klientët.

Vlera e përgjithshme neto e kredive të dhëna nga bankat komerciale e shënuar më 31 dhjetor të 2011 arriti në 1 miliard e 562 milionë euro.

Gjatë 2010, vlera e kredive neto e dhënë nga bankat komerciale ishte në vlerën prej 1 miliard e 335 milionë eurosh.

Brenda 2011 kreditimi shënoi rritje prej 227 milionë eurove. Krahas ngadalësimit të kreditimit, vlera e depozitave gjatë  2011 u rrit për 100 milionë euro.

Tetë bankat që operojnë në vend shënuan gjatë vitit të kaluar 2 miliardë e 97 milionë euro. Gjatë 2010, vlera e përgjithshme e depozitave të klientëve në banka komerciale ishte 1 miliard e 927 milionë euro.