Muzikë
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
Aktiviteti jubilar për 30 vjetorin u mbajt më 14 qershor në sallën Stadthalle të Bylahut (Bülach), qytetit ku 30 vite më parë është themeluar ansambli

Arritja e një shoqate kulturore që ta shënojë 30 vjetorin e punës në vazhdimësi, është vetvetiu një dëshmi për pjekurinë dhe qëndrueshmërinë e saj. Dhe kur kjo shoqatë ose ansambël mban emrin “Vatra”, fantazia merr krahë: kjo “Vatër” ka ngrohur dhe ushqyer tashmë disa breza shqiptarësh, duke ua frymëzuar dashurinë për kombin, gjuhën dhe kulturën e atdheut. Duke filluar nga vogëlushët simpatikë 4-5 vjeç, të cilëve u shkëlqejnë sytë nga lumturia që po vallëzojnë e këndojnë shqip e deri te veteranët që bartin mbi supe organizimin e këtij ansambli – të gjithë ndihen krenarë me arritjen që po e festojnë, 30 vjetorin e punës së suksesshme.
Në përpjesëtim me rëndësinë e jubileut që po festohej ishte edhe angazhimi i drejtuesve të ansamblit “Vatra”. Një punë e madhe e shkrirë në këto vite të ekzistimit, meritonte mobilizimin e madh që shihej në gjithë organizimin e aktivitetit festiv që u mbajt më 14 qershor në Stadthalle të Bylahut (Bülach), qytetit ku 30 vite më parë është themeluar ansambli.
Fjalën përshëndetëse për manifestimin jubilar e bëri kryetari aktual i “Vatrës” Lulzim Krasniqi, i cili duke përgëzuar të gjithë anëtarët e dikurshëm dhe ata të tashëm të ansamblit, ka shpallur të hapur mbrëmjen e madhe festive.
Në vazhdim, në emrin e përfaqësive diplomatike të Kosovës në Zvicër, publikut i është drejtuar me një fjalë përshëndetjeje zonja Shukrije Ramadani, zëvendës ambasadore në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zvicër. Ajo me këtë rast ka vënë theksin në punën e madhe krijuese të kryer ndër vite nga ansambli “Vatra”, një punë që ka frymëzuar brezat e rinj me dashurinë për kombin dhe atdheun.
“Sot nuk po shënojmë thjesht një përvjetor. Kjo që po festojmë është një dëshmi e gjallë për 30 vite të përmbushura me kulturën dhe përkushtim ndaj identitetit dhe përpjekje për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në diasporë. Ansambli “Vatra” është bërë një pikë referimi, një burim force për ruajtjen dhe kultivimin e identitetit tonë kombëtar”, ka thënë veç tjerash zonja Ramadani.
Ndërsa bashkëthemeluesi i ansamblit “Vatra”, Nexhmedin Isufi, ish kryetar, valltar dhe koreograf, njëri ndër të pakëtit që vazhdojnë të jenë aktivë në këtë ansambël ka sjellë para publikut një biografi të shkurtë të “Vatrës”. Ai ka falënderuar me këtë rast të gjithë ata/ato që kanë kontribuuar ndër vite për themelimin, ngritjen dhe rritjen e ansamblit, duke e sjellë deri këtu.
Isufi ka pasur një falënderim të veçantë për prindërit e fëmijëve, të cilët kanë pasur vullnetin dhe gatishmërinë që t`i sjellin fëmijët e tyre në “Vatër”, për t`i ushqyer ata me vlerat e mirëfillta të kombit të cilit i takojnë. Ai ka kujtuar me pietet edhe anëtarët e hershëm të ansamblit, që nuk jetojnë më dhe kontributi i të cilëve ka qenë i pamohueshëm për rritën e Vatrës.
Në vazhdim skena ka qenë në dispozicion të grupeve të valltarëve dhe këngëtarëve e recituesve të të gjitha moshave. Kanë parakaluar sidomos fëmijët, nga 4-5 vjeç e më lartë, të cilët kanë magjepsur me bukurinë dhe freskinë e valleve, këngëve dhe kostumeve të tyre. Ata kanë lënë mbresa të pashlyera në veçanti me vallen e bazuar mbi kompozimin “Pastorale” të Rexho Mulliqit.
Kjo valle ashtu si dhe shumica e atyre që u luajtën në këtë mbrëmje, ishin realizuar nga koreografi i shquar, profesori Xhemajli Berisha, i cili ishte i pranishëm dhe u nderua nga organizatorët dhe publiku. Dhe, kur jemi te prof. Berisha, duhet të theksohet se dora e tij ishte e gjithëpranishme në programin e mbrëmjes, jo vetëm nga prizmi profesional prej koreografi por edhe si frymë që e përshkonte artin e prezantuar para publikut. Për këtë, nuk mungoi mirënjohja e shprehur ndaj tij, nga organizatorët, publiku dhe në veçanti nga fëmijët artistë.
Fëmijët janë paraqitur edhe me valle tjera por edhe me këngë korale dhe solistike, duke treguar dashurinë e tyre të madhe për kulturën e të parëve të tyre. Ka qenë sidomos mbresëlënëse paraqitja e vogëlushes 5 vjeçare, Lura Krasniqi me këngën “Jam një vajzë nga Dukagjini”, që dëshmon për një talent dhe fuqi të admirueshme interpretimi, për moshën.
Aktori i njohur Çun Lajçi është paraqitur me një monolog frymëzues që bën fjalë për vuajtjet, sakrificat por dhe trimërinë e treguar nga populli ynë në epoka të ndryshme.
Në program ka pasur një numër të madh vallesh, ku ishin përfshirë pothuajse të gjitha trevat shqiptare, me një larushi kostumesh dhe lëvizjes elegante në skenë. Vallet si, ato të Opojës, të Podgurit, Shota, Vallja me shpata, pastaj ato me motive nga jugu etj., këngët e çobaneshave, ato “me gisht në fyt” etj., kanë parakaluar në skenën e përgatitur bukur, të koncertit festiv, duke sjellë para publikut larushinë e ngjyrave dhe pasurinë e pafund të folklorit tonë burimor.
Këngëtarja Fjolla Berisha ka interpretuar këngë të njohura si Tumankuqe, pastaj së bashku me grupin e fëmijëve edhe këngën “Mos ua prishni lumturinë”, dhe “himnin” aktual të koncerteve “Mora fjalë”.
Të gjithë programin e ka moderuar me nivel e spontanitet, moderatorja e njohur e RTK-së Alketa Gashi -Fazliu ndërsa anëtari i kryesisë, Shaban Haliti ka ndihmuar në prezantimin e mysafirëve dhe pikave artistike të programit.
Në përmbyllje, nuk kishte si të mungonte ndarja e mirënjohjeve për më të merituarit, e të cilët kësaj radhe ishin me të vërtetë të shumtë. Kjo, për faktin se gjatë 30 viteve të ekzistimit të suksesshëm, nëpër Ansamblin e Valleve “Vatra” kanë kaluar me qindra në mos me mijëra veta që kanë lënë gjurmët e tyre të ndritshme, duke mundësuar vazhdimësinë e shëndetshme të kultivimit të trashëgimisë sonë kulturore në mërgim.
Pas përfundimit të programit zyrtar festiv, mbrëmja ka vazhduar me këngëtarë nga estrada e Kosovës.
E-Diaspora
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani Një 18-vjeçar vdiq të premten si pasojë e një aksidenti që ndodhi teksa ai ishte duke...
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
-
Mira Murati këtë vikend martohet në një ceremoni private në Toskanë
-
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë prezanton denjësisht traditat shqiptare
-
Dita e Çlirimit të Kosovës u festua me krenari në Stokholm
Jeta në Austri
-
Carinthia: Dy të vdekur në liqene gjatë fundjavës Gjatë fundjavës, dy persona u mbytën në liqene, konfirmoi për APA një zëdhënës i Drejtorisë së...
-
A mund të natyralizohen fëmijët nën 18 vjeç në Austri?
-
Ekstremi i djathtë në Austri përpiqet të shfrytëzojë tragjedinë në Graz për përçarje dhe urrejtje
-
Austri: Sa po zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkolla?
-
Policia e Vjenës do të mbyllë 2/3 e stacioneve gjatë fundjavave dhe festave