Lajme

21 vjet nga ndërhyrja NATO-s në Kosovë

Data 24 mars të vitit 1999 shënon edhe fillimin e fushatës së bombardimeve të Aleancës Veriatlantike për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.

Asokohe, pasi nga Beogradi ishte kthyer duarthatë ish i dërguarin e posaçëm amerikan, Richard Holbrook, dhe i kishte thënë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se diktatori Slobodan Millosheviq kishte refuzuar edhe kërkesën e fundit për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë, nisën sulmet ajrore të kësaj aleance për ta çliruar Kosovën.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por, presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”.

Më 9 qershor u arrit “Marrëveshja e Kumanovës”, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës, përcjell Albinfo.ch.