Lajme

206 milionë euro për udhëtime jashtë vendit

Shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtime jashtë vendit më shumë para se të huajt kanë sjellë në udhëtimet e tyre në Shqipëri

Shqiptarët shpenzuan rreth 206 milionë euro për udhëtime jashtë vendit gjatë tremujorit të parë të këtij viti. 
 
Shpenzimet për udhëtime jashtë ishin më të ulëta krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2012, por në rritje me afro 14% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, thuhet në një raport të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. 
 
Pavarësisht nga kriza ekonomike, shqiptarët duket të shpenzojnë shuma të konsiderueshme për udhëtime jashtë vendit.
 
Për herë të parë që nga viti 2011 bilanci tremujor neto i të ardhurave valutore nga udhëtimet rezultoi negativ. 
 
Kjo do të thotë që shqiptarët kanë shpenzuar në udhëtime jashtë vendit më shumë para se të huajt kanë sjellë në udhëtimet e tyre në Shqipëri. 
 
Në këtë mënyrë, udhëtimet duket se kanë dhënë një ndikim negativ në bilancin e pagesave në tre muajt e parë të këtij viti.
 
Shqipëria nuk ka arritur të sigurojë një bilanc pozitiv nga turizmi. Shqiptarët kanë shpenzuar jashtë më shumë nga sa kanë shpenzuar të huajt në Shqipëri.