Futboll
20 Minuten: Lidhja e veçantë e Riolës me vëllain binjak
Futbollistja shqiptare Riola Xhemaili ishte në disponim shumë të mirë pasi shënoi gol për suksesin historik të Zvicrës, të enjten mbrëma. Falë golit të saj, Zvicra për herë të parë do të luajë në çerekfinale të Kampionatit Evropian të futbollisteve. Do të përballet me superfuqinë Spanjën, shkruan 20 Minuten, përcjell albinfo.ch.
Pas golit dhe suksesit historik, Riola ka dhënë me durim intervista të shumta. Ka folur për momentin e jashtëzakonshëm dhe kohërat e vështira me Zvicrën. Në një moment futbollistja shqiptare ka dashur të jetë me familjen e saj, ndër të tjera me vëllain binjak Rionin, me të cilin flet çdo ditë.
Me Rionin, vëllain binjak të yllit të ri të Zvicrës, ka folur gazetari i mediumit zviceran 20 Minuten. Rioni është në pushim, por ishte në stadiumin e Gjenevës të enjten mbrëma. Ishte së bashku me pjesën tjetër të familjes.
“Kemi lidhje të veçantë. Ajo është motra ime, motra ime binjake”, thotë ai.
Për një kohë të gjatë, ndeshja ndaj Finlandës që përfundoi 1:1 nuk i është dukur shumë interesante atij.
“Por pas golit të Finlandës dhe ndryshimeve në përbërje, ka pasur shumë tension”, thotë Rioni.
Ndër të tjera u aktivizua motra e tij, që la gjurmë të pashlyeshme.
“Kur ajo shënoi, ishte një ndjenjë e pabesueshme. Kam kërcyer nga gëzimi dhe isha jashtëzakonisht i lumtur. Isha i lumtur për të dhe për gjithë Zvicrën.”
Ende në fushë, Riola bëri me shenjë drejt vëllait të saj binjak. Ata të dy kanë luajtur së bashku si fëmijë në qytetin Biberist.
“Gjithnjë i them asaj që është futbolliste e rrugës”, thotë Rion Xhemaili, që luan për ekipin U21 të Winterthurit.
Njësoj si motra binjake, ai ka nisur të luajë futboll te klubi Solothurn. Më pas së bashku me motrën u transferuan te Baseli. Te klubi i njohur, Rioni u zhvillua në grupmoshat e reja. Si fëmijë, ai i ka mësuar shumë gjëra për futbollin Riolës, që tani është dukshëm më e njohur.
Çerekfinalja mes Spanjës dhe Zvicrës zhvillohet më 18 korrik në Bernë. Spanja vlerësohet favorite, por Rioni është optimist. Ai i beson përfaqësueses së Zvicrës, e sidomos motrës së tij.
Mediumet e Zvicrës shkruajnë vazhdimisht për Xhemailin. Fjalët e mira për të nuk kanë të ndalur. Jo gjithnjë ajo e kishte besimin e plotë në përfaqësuese, por tashmë ka dëshmuar se është shumë e vlefshme, duke siguruar festë të madhe për gjithë Zvicrën.
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste











