Lajme

Fshati Blatten shkatërrohet nga shembja e akullnajës Birch, 1 person rezulton i zhdukur

Një ngjarje e rëndë ka goditur fshatin Blatten në rajonin Lötschental të Zvicrës. Të mërkurën pasdite një pjesë e madhe e akullnajës Birch u shemb, duke shkaktuar një rrëshqitje masive dheu që shkatërroi pjesën më të madhe të fshatit në Valais të Epërm. Mbeturinat bllokuan gjithashtu lumin Lonza.

Sipas autoriteteve, një person rezulton i zhdukur pas katastrofës. Fshati ishte evakuuar më 19 maj si masë paraprake për shkak të rritjes së rrëshqitjeve ditët e fundit, transmeton albinfo.ch.

Banorët janë të tronditur, pasi shumë prej tyre kanë humbur gjithçka. Ata kishin vetëm rreth njëzet minuta kohë për të mbledhur sendet personale para se të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Këshilli i Shtetit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Forcat e ndërhyrjes ndodhen në terren për të vlerësuar situatën dhe për të planifikuar hapat e mëtejshëm.

Situata mbetet kritike, ndërsa autoritetet po punojnë intensivisht për të garantuar sigurinë dhe për të kërkuar personin e zhdukur.