Lajme

10 vjetë pas, flitet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit

Në Maqedoni kanë filluar aktivitetet për shënimin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit

Edhe 10 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, në Maqedoni vazhdon të flitet për nevojën e zbatimit të këtij dokumenti, që ndërpreu luftën e vitit 2001, apo nëse me këtë marrëveshje është arritur të përmirësohet politika juridike e shqiptarëve të Maqedonisë, raporton REL.

Një nga pjesëmarrësit në bisedimet për hartimin e kësaj marrëveshjeje, Naser Zyberi, konstaton dështimin e partive politike, në veçanti të atyre shqiptare, jo vetëm në zbatimin e dispozitave të saj, por, edhe në ndryshimin e frymës së këtij dokumenti paqësor.

Zyberi thotë për Radio Evropa e Lirë se partitë apo pushteti ishin të obliguara që Marrëveshjen e Ohrit ta zbatojnë deri në vitin 2004, por, ky detyrim jo vetëm që nuk u përmbush, por, shumë pjesë të saj u ndryshuan apo filluan të zbatohen në kundërshtim me frymën e saj.

Ai këtu përmend gjuhën shqipe, që ende nuk ka gjetur zbatimin zyrtar në praktikë, pastaj përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar, risocializimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione, e shumë obligime tjera.

Nga ana tjetër, Vllado Popovski, po ashtu pjesëmarrës në bisedime, thotë se Marrëveshja e Ohrit, duhet shikuar si proces dhe të gjitha dallimet që mund të paraqiten në raport me zbatimin e saj duhet zgjidhur përmes dialogut.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit nuk duhet shikuar vetëm si nevojë e plotësimit të dëshirave, por, si një kornizë e funksionimit të shoqërisë multietnike.

Manifestimi kryesor i 10 vjetorit të kësaj marrëveshjeje do të shënohet sot, pikërisht në Ohër, ku edhe liderë të katër partive maqedonase dhe shqiptare firmosën këtë dokument në prani të ndërmjetësve të SHBA-së dhe BE-së.