Sektori i turizmit në Zvicër pritet të regjistrojë rreth 18.7 milionë netqëndrime gjatë sezonit dimëror 2026/27, duke iu afruar rekordit historik të arritur një vit më parë. Këto janë parashikimet e fundit të Institutit për Kërkime Ekonomike KOF, pranë Shkollës Politeknike Federale të Cyrihut (ETH Zurich).
Sipas analizës, numri i netqëndrimeve pritet të jetë vetëm 0.1% më i ulët se gjatë dimrit 2025/26, që përkthehet në rreth 15 mijë netqëndrime më pak. Megjithatë, rezultati do të mbetet më i lartë se ai i sezonit 2024/25, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit turistik zviceran, transmeton albinfo.ch.
Turistët vendas pritet të vazhdojnë të jenë kontribuuesit kryesorë në këtë sektor. KOF parashikon rreth 9.5 milionë netqëndrime nga qytetarët zviceranë, pothuajse në të njëjtin nivel me rekordin e vitit të kaluar. Një nga faktorët që favorizon turizmin e brendshëm është dobësimi i lehtë i frangës zvicerane, i cili i bën pushimet jashtë vendit më të shtrenjta dhe i nxit qytetarët të zgjedhin destinacionet vendase.
Ndërkohë, numri i netqëndrimeve nga turistët evropianë pritet të arrijë në 5.6 milionë, duke shënuar rritje prej 0.8%. Afërsia gjeografike dhe mundësia për të udhëtuar drejt Zvicrës pa pasur nevojë për fluturime të kushtueshme konsiderohen përparësi të rëndësishme për vizitorët nga vendet evropiane.
Situata paraqitet më sfiduese sa u përket turistëve nga vendet jashtë Evropës. Për këtë kategori parashikohen rreth 3.6 milionë netqëndrime, që përfaqësojnë një rënie prej 1.7%. Tensionet gjeopolitike, konfliktet ndërkombëtare dhe rritja e kostove të transportit ajror vazhdojnë të ndikojnë në kërkesën turistike, veçanërisht nga Azia dhe vendet e Gjirit Persik.
Parashikimet pozitive për dimrin vijnë pas një sezoni veror gjithashtu të suksesshëm. Bazuar në të dhënat e periudhës maj–shtator, KOF vlerëson se gjatë verës 2026 do të regjistrohen rreth 25 milionë netqëndrime, vetëm 0.5% më pak krahasuar me rekordin e vitit 2025.
Gjatë kësaj periudhe, kërkesa nga turistët vendas është rritur me 0.9%, ndërsa tregjet më të largëta kanë shënuar rënie prej rreth 5%. Kjo tregon se turizmi i brendshëm dhe vizitorët evropianë vazhdojnë të luajnë rol vendimtar në ruajtjen e rezultateve pozitive të sektorit.
Edhe perspektiva për verën e vitit 2027 mbetet optimiste. Instituti KOF parashikon rreth 25.1 milionë netqëndrime, që do të përfaqësonin një rritje prej 0.4% krahasuar me verën e vitit 2026.
Pavarësisht pasigurive ekonomike dhe zhvillimeve ndërkombëtare, Zvicra vazhdon të mbetet një destinacion tërheqës turistik. Infrastrukturat moderne, ofertat e larmishme turistike dhe atraktiviteti i rajoneve alpine pritet të vazhdojnë të mbështesin kërkesën për pushime në vend.