Nga 2 nëntori 2026, qytetarët zviceranë mund të aplikojnë për kartën e re biometrike të identitetit, e cila synon të rrisë sigurinë e dokumenteve personale dhe të lehtësojë udhëtimet brenda Bashkimit Evropian.
Zvicra ka nisur zyrtarisht lëshimin e kartave të reja biometrike të identitetit, pas miratimit të ndryshimeve përkatëse ligjore nga Këshilli Federal. Dokumenti i ri përmban një çip elektronik, në të cilin ruhen fotografia e fytyrës dhe dy gjurmë të gishtërinjve të mbajtësit.
Sipas autoriteteve federale, kjo teknologji ofron mbrojtje më të madhe kundër falsifikimit dhe keqpërdorimit të dokumenteve të identifikimit.
Një nga arsyet kryesore për këtë ndryshim është përshtatja me standardet e Bashkimit Evropian, ku që nga viti 2021 shtetet anëtare lëshojnë vetëm karta biometrike të identitetit për arsye sigurie, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, pajisja me dokumentin e ri nuk është e detyrueshme. Qytetarët zviceranë do të vazhdojnë të kenë mundësinë të zgjedhin ndërmjet kartës biometrike dhe asaj tradicionale, pa çip elektronik.
Autoritetet rekomandojnë kartën biometrike për personat që udhëtojnë shpesh në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa për ata që e përdorin dokumentin vetëm për identifikim brenda Zvicrës, karta e zakonshme mbetet e mjaftueshme.
Kartat ekzistuese të identitetit, të lëshuara para hyrjes në fuqi të sistemit të ri, do të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në datën e skadimit, përfshirë edhe udhëtimet në Bashkimin Evropian. Prandaj, qytetarët nuk kanë nevojë t’i zëvendësojnë menjëherë dokumentet aktuale.
Karta e re biometrike mund të kërkohet pranë autoriteteve përkatëse kantonale dhe përfaqësive diplomatike zvicerane jashtë vendit. Tarifat mbeten të pandryshuara krahasuar me kartën tradicionale të identitetit.
Autoritetet kanë sqaruar gjithashtu se karta biometrike nuk duhet të ngatërrohet me identitetin elektronik zviceran (e-ID). Ndërsa karta biometrike është dokument fizik identifikimi dhe udhëtimi, e-ID është projektuar për identifikimin e qytetarëve në shërbimet digjitale dhe nuk shërben si dokument udhëtimi.