Skip to content

Zgjedhjet në Serbi, rritet pjesëmarrja në votime në Bujanoc krahasuar me vitin 2023

Mbi 6 mijë qytetarë kanë votuar deri në mesditë në Bujanoc, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me listën e përbashkët "Koalicioni Shqiptar", me synimin për të rritur përfaqësimin në Parlamentin e Serbisë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në Serbi, në Komunën e Bujanocit është regjistruar një pjesëmarrje më e lartë në votime krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, të publikuara nga portali lokal Bujanovačke, deri në orën 12:00 kanë votuar 6.133 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja në të njëjtën periudhë gjatë zgjedhjeve të vitit 2023 ishte raportuar në 8.67%.

Në Komunën e Bujanocit janë të regjistruar 44.665 qytetarë me të drejtë vote, të cilët mund të votojnë në 59 vendvotime.

Sipas kryetarit të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, Leon Memeti, të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë, në orën 07:00.

Gjatë orëve të para janë regjistruar disa probleme të vogla teknike në dy vendvotime. Në fshatin Sejacë është konstatuar dëmtimi i një kutie votimi, ndërsa në Llillancë ka munguar ndriçimi i nevojshëm. Të dyja problemet janë zgjidhur dhe procesi ka vazhduar pa pengesa.

Në këto zgjedhje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës po garojnë me një listë të përbashkët, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, e cila mban numrin 17 në fletëvotim.

Bashkimi i subjekteve politike shqiptare synon rritjen e përfaqësimit të komunitetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ku në përbërjen e kaluar shqiptarët përfaqësoheshin nga një deputet, Shaip Kamberi.

Përfaqësuesit shqiptarë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje, përfshirë edhe qytetarët e Luginës që jetojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote në Serbi.

Vendvotimet do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00, ndërsa pas përfundimit të procesit pritet të fillojë numërimi i votave./Albinfo.ch