Skip to content

Serbia para zgjedhjeve, rreth 150 mijë qytetarë në protestën e madhe kundër pushtetit të Vuçiqit

Një tubim masiv në Beograd ka shënuar përfundimin e fushatës së lëvizjes studentore, e cila synon të sfidojë Partinë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.

Serbia po hyn në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në një klimë të tensionuar politike, pas gati dy vjetësh protesta të udhëhequra nga studentët kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit, përcjell albinfo.ch.

Rreth 150 mijë qytetarë u mblodhën të enjten, më 22 tetor, në qendër të Beogradit, në mbështetje të lëvizjes studentore që kërkon ndryshime politike dhe luftimin e korrupsionit.

Sipas agjencisë AFP, tubimi u zhvillua në Sheshin Slavija dhe në rrugët përreth tij, ku protestuesit mbanin flamuj dhe pankarta me mesazhe në mbështetje të listës zgjedhore të studentëve.

Lëvizja studentore, e cila garon me listën “Studentët fitojnë”, synon t’i japë fund qeverisjes më shumë se 14-vjeçare të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Protestat masive në Serbi nisën pas shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Ngjarja shkaktoi reagime të shumta publike, ndërsa studentët dhe qytetarët kërkuan transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të dyshimeve për korrupsion në projektet infrastrukturore.

Me kalimin e kohës, protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisjes, duke çuar edhe te kërkesa për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në zgjedhjet e së dielës, lëvizja studentore garon me një listë prej 250 kandidatësh, ku përfshihen profesorë universitarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe persona që më parë nuk kanë qenë pjesë e politikës aktive.

Nga ana tjetër, Aleksandar Vuçiq, i cili ka lënë postin e presidentit për të kandiduar për kryeministër, synon rikthimin në drejtimin e qeverisë përmes Partisë Përparimtare Serbe.

Fushata zgjedhore është shoqëruar me akuza për presion ndaj kundërshtarëve politikë, incidente të dhunshme dhe keqpërdorim të burimeve publike.

Organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për kushtet në të cilat po zhvillohet procesi zgjedhor, ndërsa autoritetet serbe kanë hedhur poshtë akuzat e opozitës për keqpërdorime.

Zgjedhjet e 25 tetorit kanë rëndësi edhe për shqiptarët në Serbi, të cilët garojnë për përfaqësim në Kuvend përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”.

Në këtë proces do të zgjidhen 250 deputetët e përbërjes së re parlamentare, ndërsa rezultati do të përcaktojë edhe formimin e qeverisë së ardhshme të Serbisë./Albinfo.ch