Kosova

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut i bashkohet thirrjes së Ramës

Ai ka shkruar në një postim në Facebook se i bashkohet thirrjes së Ramës për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Thirrjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ta rishikuar Rezolutën 1782 të Këshillit të Evropës, që është hartuar mbi raportin e Dick Martyt, i është bashkuar zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

Ai ka shkruar në një postim në Facebook se i bashkohet thirrjes së Ramës për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “I bashkohem plotësisht thirrjes së tij për drejtësi ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Gjykata Speciale dhe kërkesës për rishikimin e Rezolutës 1782 që të shpallen të pabaza akuzat për trafikim të organeve njerëzore në luftën e Kosovës”, raporton Albinfo.ch.

Duke folur për paraqitjen e Ramës në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Grupi ka thënë se ishte një retrospektivë faktike e historisë së mbarë popujve të Ballkanit, e kapitullit të mbyllur të armiqësive dhe kapitullit të hapur të paqes dhe bashkëpunimit nën udhëheqjen e institucioneve ndërkombëtare. Po ashtu, e ka cilësuar edhe si porosi të fuqishme drejtuar Evropës.

“Fjalë që vunë në dukje vullnetin tonë të palëkundur të partneritetit properëndimor dhe ëndrrën e pashuar të integrimit, por edhe kërkesat tona plotësisht legjitime dhe të drejta kombëtare për Kosovën dhe luftën e saj të drejtë ndaj mbrapështisë ideologjike të një regjimi okupator”, ka shkruar Grubi./Albinfo.ch