Sport

Xhudistet kosovare mësojnë kundërshtarët

 

Të premten pas mesnatës fillojnë Lojërat Olimpike, derisa disa nga sportistët kosovarë kanë mësuar kundërshtarët e tyre. Për herë të parë, Kosova do të marrë pjesë me tetë sportistë, shkruan albinfo.ch.

Majlinda Kelmendi ka mësuar kundërshtaren e parë në Lojërat Olimpike. Xhudistja kosovare raundin e parë e ka kaluar pa luftë, ndërsa në raundin e dytë do të takohet me fituesen e ballafaqimit mes francezes Priscilla Gneto dhe zviceranes Evelyne Tschopp. Një sfidë e vështirë për xhudisten kosovare mund të jetë ajo e gjysmëfinales, ku mund të takohet me japonezen, Nakamura.

Ndryshe, me rumunen Andrea Chitu në kategorinë deri në 52 kilogramë, Kelmendi mund të takohet vetëm në finale. Vlen të theksohet se të gjitha meçet e kësaj kategorie do të zhvillohen më 7 gusht.

Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë do të përballet me garuesen kolumbiane Amaris. Gjakova për herë të parë ‘ethet’ e Lojërave Olimpike do t’i përjetojë me datën 8 gusht.

Fituesja e duelit mes Norës dhe Amaris, do të përballet me rumunen Caprioriu.

Ndërkohë, sportistja e parë e Kosovës që do të garojë është Urata Rama. Ajo do të paraqitet në garën me pushkë prej 10 metrave distancë, ndërsa do të garojë në ora 13:30 të ditës së shtunë.

Pas saj do të paraqitet çiklisti, Qëndrim Guri, i cili do të nisë garën në ora 14:30.