Shqipëria

World Economic Forum: Turizmi shqiptar ngrihet në rangim me ofertë të balancuar financiare

Shqipëria ngjitet 12 vende ne rangim si destinacion turistik nga World Economic Forum.

Edi Rama mund ta ketë mirë kur thotë se Shqipëria duhet të synojë tregun e turizmit cilësor të klientëve që shpenzojnë më shumë, jo atyre që shpenzojnë pak. Mirëpo, një raport i World Economic Forum (Forumi Ekonomik Botëror) për turizmin, i bërë nga ekspertë të universiteteve prestigjioze, tregon se gjatë pesë viteve të fundit ajo që ka bërë Shqipëria është të konkurrojë me çmim.

Ky raport që botohet periodikisht ka lajme të mira për Shqipërinë, por tregon edhe ngecjet. Shqipëria nga rangimi në vendin e 78 sipas “Indeksit të Turizmit dhe Udhëtimeve” (Travel and Tourism Development Index – TTDI) ka arritur në rangimin numër 66. Mirëpo, për të dëshmuar argumentin se Shqipëria për këto vite nuk ka konkurruar në cilësi, tregon fakti se arsyet e rritjes së këtij indeksi janë konkurrenca e çmimeve, siguria dhe shëndeti e higjiena. Pra, njëra nga pikat e forta të turizmit të Shqipërisë është se atje është lirë. Edi Rama është kryeministër tash 11 vjet dhe ka arritur që ta bëjë Shqipërinë tërheqëse me çmime.

Duke përmbledhur raportin, aty thuhet: Shqipëria ka treguar përmirësime të dukshme në Indeksin e Zhvillimit të Turizmit dhe Udhëtimeve (TTDI – Travel and Tourism Development Index) 2024, duke avancuar nga vendi i 78-të në vendin e 66-të që nga viti 2019. Ky përparim tregon përkushtimin e Shqipërisë për të përmirësuar sektorin e saj të turizmit dhe udhëtimit, një pjesë jetike e ekonomisë së saj. Megjithatë, pavarësisht këtyre përmirësimeve, vendi ende përballet me sfida të mëdha që duhet të adresohen për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tij turistik.

Pikat pozitive të turizmit të Shqipërisë

Konkurrenca e Çmimeve: Përballueshmëria e Shqipërisë krahasuar me destinacionet e tjera evropiane e bën atë një opsion tërheqës për udhëtarët me buxhet. Ky faktor është i rëndësishëm për të tërhequr turistët që kërkojnë vlerë për paratë e tyre pa bërë kompromis për përvojën.

Siguria: Përmirësimet në siguri dhe sigurim kanë forcuar apelin e Shqipërisë, duke siguruar që turistët të ndihen të sigurt gjatë vizitave të tyre. Ky përmirësim është thelbësor për ndryshimin e perceptimeve dhe për tërheqjen e më shumë vizitorëve.

Shëndeti dhe Higjiena: Vendi ka bërë përparime të lavdërueshme në standardet e shëndetit dhe higjienës, të cilat janë gjithnjë e më të rëndësishme në peizazhin pas pandemisë. Sigurimi i mjediseve të pastra dhe të sigurta për turistët është një prioritet që Shqipëria ka adresuar me sukses.

Pikat e dobëta të turizmit të Shqipërisë

Megjithatë, Shqipëria ngec në shumë fusha dhe pikat më të dobëta janë ato që i përkasin shtetit t’i bëjë, menaxhimi dhe reklamimi i resurseve.

Burimet Natyrore: Shqipëria ka një notë të ulët në menaxhimin dhe reklamimin e burimeve natyrore, me një pikë 2.17 krahasuar me mesataren evropiane 2.57.

Burimet Kulturore: Në menaxhimin e resurseve kulturore, Shqipëria ka një notë 1.29 krahasuar me mesataren evropiane 2.58.

Burimet Jo-Rekreative: Shqipëria ka një notë 1.52 në menaxhimin e burimeve jo-rekreative (turizmi i konferencave, etj) krahasuar me mesataren evropiane 2.65. Në këtë rafsh nuk ngecë vetëm Shqipëria por i tërë Ballkani.

Analiza Krahasuese me Malin e Zi, Kroacinë dhe Serbinë

Kur krahasojmë Shqipërinë me fqinjët e saj rajonalë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Serbinë, nga raporti dalin në pah disa të dhëna:

Mali i Zi: Mali i Zi renditet më lart se Shqipëria në TTDI, duke përfituar nga infrastruktura turistike më e zhvilluar dhe theksimi më i madh në praktikat e qëndrueshme. Mali i Zi ka shfrytëzuar në mënyrë efektive burimet e tij natyrore dhe kulturore, duke tërhequr një numër të konsiderueshëm turistësh çdo vit.

Kroacia: Kroacia dallohet si një lider rajonal në turizëm, me burime të gjera kulturore dhe natyrore që janë të mirë-promovuara dhe të menaxhuara. Infrastruktura e fortë turistike e vendit, e kombinuar me përpjekje të suksesshme të markës dhe marketingut, e vendosin atë shumë më lart se Shqipëria në renditjet e TTDI.

Serbia: Serbia, ndërsa përballet gjithashtu me sfida të ngjashme me Shqipërinë, ka bërë përparime të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj turistike. Fokusi i Serbisë në turizmin kulturor dhe turizmin e ngjarjeve i ka ndihmuar të fitojë një avantazh konkurrues.

Përfundim

nga raporti mund të nxjerret përfundimi se rruga e Shqipërisë në zhvillimin e sektorit të saj të turizmit dhe udhëtimit është shënuar nga përparime të rëndësishme dhe sfida të vazhdueshme. Përmirësimet në siguri, shëndet dhe përballueshmëri janë të lavdërueshme dhe vendosin një themel të fortë për rritje. Megjithatë, për të realizuar plotësisht potencialin e saj turistik, Shqipëria duhet të adresojë dobësitë kritike në infrastrukturë, gatishmërinë dixhitale, cilësinë e shërbimeve, burimet natyrore, kulturore dhe jo-rekreative.

Turizmi elitar dhe klientët me xhepa të thellë nuk janë specialiteti i Shqipërisë. Mirëpo të ardhura ka, unë mendoj se është e rëndësishme të theksohet se si shtet nuk duhet të mendohet vetëm se sa para shpenzohen në turizëm por edhe si shpërndahen ato dhe sa mbesin brenda Shqipërisë. Me zhvillimin e resorteve të mëdha do të rritet nevoja për fuqi punëtore, mundësisht të lirë. Kjo do të jetë vështirë të sigurohet në Shqipëri, dhe zgjidhja do të jetë importimi i shtresës së varfër të Azisë për punë në Shqipëri, përderisa shqiptarët do të migrojnë. Për këtë, Shqipëria duhet të synojë një turizëm që krijon vende cilësore të punës, duke u koncentruar në Turizmin e Aventurës apo të Eksperiencave, të përkrahura nga mikrobizneset familjare që do krijonin kurrizin e shërbimeve.

Modelet për këtë lloj të turizmit tashmë ekzistojnë në Shqipëri. Thethi, Fishta, Sotira, Përmeti janë kthyer nga zona të harruara në destinacione primare turistike që shkëlqejnë si margaritarë në shtypin perëndimor si National Geographic, Financial Times, dhe mediumeve të tjera të klasës së mesme të lartë. Kryeministri i Shqipërisë vizitoi Thethin vetëm 11 vjet pas shërbimit si kryeministër. Nëse shikon mediat e huaja dhe mbulimin e turizmit të Shqipërisë, Thethi është aty nga viti 2013 kur doli në New York Times. Edi Rama sigurisht se meriton duartrokitje për këtë zhvillim të Shqipërisë por duhet të marrë përgjegjësitë që zhvillimi të shkojë në drejtim të duhur.

Opinion nga Virtyt Gacaferi


 Opinione tjera