Kosovarja Drilona Musa, finaliste e ‘The Voice of Switzerland’

Është Drilona Musa, vajza shqiptare nga Kosova që po bënë shumë “zhurmë” në Zvicër. Madje, u komentua për ngjyrat e saj të zërit kumbues, duke ”pushtuar” skenën e “The Voice Switzerland”, shkruan albinfo.ch.

Që në paraqitjen e parë, në audicionet e fshehta, Drilona goditi fort me zërin e saj dhe me mjeshtri të veçantë të trajtimit të këngës, vlera këto që i gëzon ajo.

Artistja e re shqiptare është rritur dhe jeton në Bazel të Zvicrës. Musa pati një sukses të madh me paraqitjen e saj në programin “The Voice of Switzerland” të vitit 2020, duke arritur deri në finale, por aktiviteti u ndërpre për shkak të pandemisë. Muzika është një pjesë e rëndësishme e jetës së saj dhe gjatë këtij viti Drilona planifikon të publikojë disa kompozime të reja. /Albinfo.ch

Gjatë këtij vitit Drilona planifikon të publikojë edhe disa këngë të tjera.

Belgjikë: Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, me veprimtari artistike

Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, jeton dhe ushtron aktivitetin e saj artistik në Belgjikë, transmeton albinfo.ch.

Artistja e mirënjohur vazhdon me interpretimet e saj në skenat evropiane, pas pak kohësh ajo do të jetë aktive në fushën e kinematografisë, duke u bërë dhe pjesë e një filmi.

“Në moshë shumë të vogël, 13 vjeçe, shkova të bëja master klasa dhe koncerte në Belgjikë. Aty krijova lidhjet dhe mundësitë që të mund të studioja në shkollë të mesme”, shprehet ajo.

Aftësia vokale dhe interpretuese i kanë siguruar asaj role të shumta në skenat belge dhe në shtete të tjera, si Spanja, Franca etj.

Ana thotë se, edhe pse ka pasur fat, suksesi i saj është më tepër punë dhe këmbëngulje. Ajo është nënë e një djali 13-vjeçar që nuk dëshiron të largohet nga Belgjika dhe kjo është arsyeja që nuk është kthyer në Shqipëri.

“Unë kam pasur shumë fat. Por dua të them se është tepër punë, punë natë e ditë dhe këmbëngulje. Sigurisht që në Shqipëri mendoj se do ta kisha shumë më të lehtë, njerëzit njihen më tepër dhe kush nis rrugën e tij, ecën para shumë më shpejt. Pas kohësh që isha unë u desh shumë kohë që talente të rinj të dalin. Arsyeja pse nuk kthehem në Shqipëri është se kam një djalë 13 vjeç që është shumë belg, e do Belgjikën”, vijoi Ana. /Albinfo.ch

Liridona Gjokaj, fotografja shqiptare në SHBA

Liridona Gjokaj është fotografja pasionante shqiptare në SHBA, transmeton albinfo.ch.

Ajo në një intervistë për New York Elite Magazine ka rrëfyer për jetën, eksperiencën dhe pasionin e saj për fotografinë.

Ajo flet edhe për projektet në të cilat është duke punuar.

Liridona është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016.

Me një karrierë të suksesshme, vitet e fundit fotografja shqiptare është vlerësuar me shumë çmime të rëndësishme, transmeton tutje albinfo.ch.

Liridona Gjokaj është vlerësuar me çmimin e fotografes më të mirë në Festivalin e Filmit në New York. Ajo ka fotografuar modele të njohura në Javën e Modës të organizuar në New York, SHBA.

Studim: Një në tre zviceranë besojnë teoritë e konspiracionit rreth Covid-it

Teoritë e konspiracionit rreth koronavirusit kanë tërhequr vëmendjen me rreth një të tretën e njerëzve që iu përgjigjën një studimi akademik në Zvicër dhe Gjermani, shkruan swissinfo.ch, përcjell albinfo.ch.

Studiuesit në Universitetin e Bazelit pyetën grupin e mostrës prej më shumë se 1,600 njerëz nëse ata besonin se teori të tilla si Covid-19 është shpikur nga njeriu dhe se pandemia po përdoret për të ushtruar kontroll autoritar mbi njerëzit. Një në dhjetë të anketuar thanë se besonin fuqimisht në të paktën një nga këto teori, ndërsa një tjetër 20% thanë se ishin pajtuar në një shkallë të moderuar.

Shumica dërrmuese e të anketuarve (70%) thanë se ata i hodhën poshtë plotësisht teoritë e tilla. Mostra e sondazhit u pyet gjithashtu për mirëqenien e tyre të përgjithshme psikologjike. Mesatarisht, njerëzit që ishin më të prirur drejt teorive të konspiracionit ishin më të rinj, më të stresuar dhe shpesh kanë prirje të ngjashme me paranojat, përcjell tutje albinfo.ch.

 

Këngëtarja shqiptare nga Holanda, me projekt të ri muzikor

Këngëtarja e re me prejardhje shqiptare, Alisa Opari Luzi, ka lindur në Holandë, por me prejardhje është nga Shqipëria, transmeton albinfo.ch.

Ajo është në fillimet e karrierës së saj muzikore dhe deri tani ka kompozuar 3 këngë, ku e fundit është në gjuhën shqipe dhe holandeze.

Pavarësisht se nuk ka lindur në Shqipëri, me një shqipe të pastër ajo tregon për publikimet e saj dhe jetën artistike larg vendlindjes.

“Pasioni im për të nxjerrë një këngë, ka filluar gjatë shkollës ku dhe kemi dhënë shumë koncerte. Mbaj mend një shfaqje në Carre, teatrin më të madh në Holandë, ku unë në atë kohë isha 17 vjeç. Ishte një eksperiencë shumë e madhe për mua dhe unë mendova që e dua vërtet shumë dhe dua të provoj më shumë”, tregon artistja shqiptare. /Albinfo.ch

Qielli është i vetmi limit për astronomen shqiptare

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet shpeshherë edhe përballë diçkaje të pazakontë, siç është fusha e astronomisë. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë se sa Pranvera Hyseni, astronome shqiptare, me ambicie të mëdha, shkruan albinfo.ch.

Ajo bëri shumë “zhurmë” në Kosovë për arritjet e saj dhe çmimet e fituara si astronome.

Ani pse e lindur dhe e rritur në Kosovë, me mundësi dhe mjete jo të mira për astronomi, nuk e ndaloi së realizuari ëndrrën e saj.

Që në moshë të re kishte tërheqje ndaj fushës së astronomisë, duke u “zhytur” thellë në gjithësi, se një ditë ka për t’u bërë një studiuse astronomike, shkruan tutje albinfo.ch.

Sheti i Kosovës nuk ka ofruar mundësi njohjeje me fushën e astronomisë dhe vazhdon ende të ketë mungesa mjetesh për këtë lëmi.

Pavarësisht kësaj, Pranvera, edhe pse në moshë të re, pasionin që kishte për astronomi, bëri që në janar të vitit 2015 të themelojë organizatën “Astronomy Outreach Kosova”, bashkë me disa profesorë dhe një numër të rinjsh të apasionuar pas astronomisë.

“Në fillimet tona, ne kemi startuar në mënyrë amatore, me disa teleskopë që kemi siguruar si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Përmes këtyre pajisjeve, jemi munduar të realizojmë aktivitete të ndryshme, edukative- shkencore në shkolla të ndryshme të Kosovës, duke u dhënë një mundësi që ata të mund të vrojtojnë trupat qjellorë, diçka të re që në shtetin e Kosovës nuk ka qenë më herët”, është shprehur Pranvera në një intervistë.

Duke punuar me vullnetin e mirë, ky grup i të rinjve realizoi organizatën joqeveritare “Astronomy Outreach Kosova” që për pak kohë arriti të bëhet e njohur ndërkombëtarisht edhe nga figurat e njohura shkencore, që tani janë duke gëzuar mbështetje maksimale në të gjitha format.

Teleskopët e parë në këtë organizatë erdhen nga Shtetet e Bashkuara dhe sigurimi i pajisjeve ka qenë shumë e rëndësishme për këtë organizatë, shkruan albinfo.ch.

Pranvera është themeluese dhe drejtoreshë e “Astronomy Outreach Kosova”, program me më shumë se 200 pjesëmarrës që punon për të ngjallur interesim për astronominë mes fëmijëve në gjithë Kosovën. Duhet theksuar se shoqata gjithashtu ka dhuruar një shumë të konsiderueshme për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në Kosovë.

Vlen të cekët se kjo organizatë është programi më i lartë për shpërndarjen dhe popullarizimin e astronomisë në Kosovë.

Në vitin 2020 Pranvera filloi studimet në Shtetet e Bashkura të Amerikës, në Universitetin e Kalifornisë, në Santa Claus, studime Mastër, në Shkenca Planetare, për studimin e sistemit diellor dhe planetëve të tjerë.

Ajo është edhe një promovuese e shkëlqyer e Kosovës dhe po përfaqëson shqiptarët në mënyrën më të mirë me botën e saj të pasur në shumë konferenca shkencore, ndërkombëtare, duke përmendur Kosovën dhe duke siguruar donacione të shumta për astronomi.

Një asteroid merr emrin “Pranvera”

Një asteroid ose planet i vogël është emëruar me emrin e themelueses së “Astronomy Outreach of Kosovo”, Pranvera.

“Asteroidet janë një ndër trupat qiellorë që unë më së shumti merrem me ta dhe i fotografoj. Shpeshherë asteroidet emërohen sipas personave që i zbulojnë apo ata që japin një kontribut të caktuar në shkencë. Kjo ka qenë një nder jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën” sepse është votuar nga të gjithë astronomët”, shprehet ajo.

Në faqen e Unionit Ndërkombëtar të Astronautëve, Pranvera përshkruhet si një përfaqësuese entuziaste e Kosovës në Astronomi.

Përvoja në NASA

Pranvera, përveç tjerash, ka vizituar edhe Departamentin e shkencave në Cyrih të Zvicrës, madje pa nga afër shkëmbin hënor të sjellë nga NASA në Milano të Italisë, ku pati rastin të takojë dhe të bisedojë me shumë ekspertë të astronomisë, shkruan albinfo.ch.

Në atë kohë, me ftesë të Robert Rives, Pranvera Hyseni mbajti një fjalim para shumë astronautëve dhe shkencëtarëve të NASA-s në konventën shkencore Spacefest 2017 në Arizona.

Hyseni ka përfaqësuar Kosovën denjësisht në tubime dhe konferenca të shumta shkencore anembanë botës. Ajo ka vizituar qendrat e NASA-s, SpaceX dhe Northrop Grumman, qendra astronomike.

Për të ka qenë shumë interesante të shihet gjithë ajo teknologji amerikane në institutin NASA. Sipas saj, shteti amerikan e vlerëson shumë edukimin, jo vetëm të astronomisë, duke zotëruar të gjitha mundësitë, prandaj edhe ka filluar studimet pikërisht në këtë vend.

Fituese e çmimit “Michael D. Reynolds”

Në vitin pandemik, Pranvera nuk reshti së punuari. Për angazhimin e saj u nderua me çmimin “Michael D. Reynolds” nga Organizata Ndërkombëtare e Vëzhguesve Hënorë dhe Planetarë, shkruan tutje albinfo.ch.

Çmim ky, në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për kontributin e dhënë në popullarizimin e shkencës së Astronomisë.

Duhet theksuar se organizata në fjalë ka dhuruar një shumë të konsiderueshme financiare për të mbështetur ndërtimin e observatorit të parë në shtetin e Kosovës.

“Qielli është limiti për Pranvera Hysenin”

/Albinfo.ch

 

 

Sopranoja shqiptare, në skenat botërore

Sopranoja e njohur shqiptare, Marigona Qerkezi, ka një krijmtari të pasur atistike si soprano e shquar në shumë skena botërore.

Më operan “L’Elisir d’amore” në skenën e Teatro Petruzzelli të Barit, sopranoja shqiptare ishte në rolin e Adinas, që u transmetua në “Rai5”.

Ajo mori vëmendje të madhe në skenat teatrore SHBA-së, Holandë, Itali, Slloveni, Moskës në Rusi e Barcelonës në Spanjës, pavarësisht marrëdhënieve diplomatike të këtyre dy shteteve me Kosovën, transmeton albinfo.ch.

Qerkezi është shembull i asaj se arti arrin përtej diskutimeve të përditshme dhe paragjykimeve shoqërore.

Ajo po ashtu tregon se viti pandemik pati shumë vështirësi në fushën artistike, por që shpresat janë të mëdha që shumë shpejt të rikthehen gjërat në vend. /Albinfo.ch

 

Ilira Gashi, ylli i pop-it zviceran

Ilira Gashi, e njohur me emrin e saj skenik ILIRA, është një këngëtare, kantautore shqiptare, e cila është duke e shijuar suksesin e saj në shoqërinë zvicerane dhe atë gjermane. Ajo është 26-vjeçare, e lindur dhe rritur në Köniz-i të Bernës, shkruan albinfo.ch.

Rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Shqipëria dhe Kosova. Si një shqiptare e Kosovës, ajo nuk ka frikë të flasë dhe nuk ka frikë nga ballafaqimet dhe diskutimet, qoftë edhe lidhur me prejardhjen e saj.

Ilira tani jo vetëm që po zë vendin e saj në industrinë muzikore, por është edhe e dashur për mijëra ndjekës në mediat sociale dhe për stilin e saj “pa filter”. Kjo e bën atë të dallohet nga të gjitha këngëtaret për stilin e saj të veçantë dhe, realisht më zbavitëse për momentin në tregun e muzikës, shkruan tutje albinfo.ch.

Duhet theksuar se karriera muzikore e saj filloi me shfaqjet në shkollën fillore. Ajo së pari u shfaq në TV zvicerane dhe shqiptare si adoleshente, më pas u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një menaxhim, kontratë botuese me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë në gusht të vitit 2018 Ilira nënshkroi me Four Music dhe publikoi single-in e saj të parë “Whisper My Name”.

Së fundmi, platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify, ka publikuar statistikat vjetore për të gjithë artistët nga bota. Ilira tashmë edhe zyrtarisht është këngëtarja ndër më të dëgjuarat zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.

Artistja shqiptare është dëgjuar 87.7 milionë herë në Spotify. Për këtë sukses, ajo ka falënderuar fansat e saj, duke thënë se numrat tregojnë për arritjet, por arti i vertetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat.

“Numrat gjithmonë tregojnë diçka për arritjen, por arti i vërtetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat. Kam një shije jo të mirë të numrave, sepse unë personalisht mësova të mos i gjykoj këngët sipas numrave. Por, më duhet të pranoj se më bëri të lumtur në mënyrë të pabesueshme kur i pashë këta numra”, është shprehur Ilira.

Ajo është e gëzuar për faktin se këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin dhe se muzika e saj i lidh njerëzit në kuptimin pozitiv.

“Këngët e mia janë dëgjuar në gjithë globin, pa marrë parasysh se çfarë kulture, feje, gjinie apo çfarë gjuhe flasin. Muzika ime i lidhi njerëzit. Më pëlqen të shoh përkrahësit e mi të lidhen përmes muzikës time, duke u bërë miq përmes faqeve të internetit dhe duke ndarë muzikën time”, tregon ajo.

Aktualisht Iliria jeton në Berlin të Gjermanisë dhe po vlerësohet si më e mira e pop-it, për shkak të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj. Ajo ka një sekret në teknikën e saj të paimitueshme vokale të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit me një gamë që përfshin mbi 4 oktava, që pak këngëtar nga bota e kanë këtë dhunti. Madje, ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.

Vlen të theksohet se ngjashmëritë e zërit të saj me Mariah Carey janë vertet tipike, ajo së fundmi ka relizuar një cover tjetër. Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Iliria pikërisht ka zgjedhur këngën e Mariah Carey-t, “All I Want For Christmas Is You”, e cila këndohet me mjeshtëri dhe ngjyrim emocional, të cilën mund ta dëgjoni edhe në You Tube.

Nga ana tjetër, ndër këngët më të dëgjuara të Iliria Gashit janë “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj. Të gjitha nga këto këngë kanë një sukses të madh, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional.

Me këngën “Fading”, ajo ishte në krye të top-listave gjermane për javë të tëra.

Një adhuruese e madhe e tatuazheve

Përveç muzikës, Ilira është edhe adhuruese e madhe e tatuazheve. Ajo ka disa të tilla dhe i konsideron si simbole të identitetit të saj krijues.

“Një identitet i formësuar nga gratë e forta”. /Albinfo.ch

 

 

 

Annella, nga Zvicra, në Danimarkë, për t’u bërë emër suksesi

Annella është shqiptarja, e cila pa dyshim se është një yll në ngritje e sipër, me një histori frymëzuse të suksesit. Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare në mbarë diasporën po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme, por, duket se ajo muzikore po mbizotëron fuqishëm në tregun botëror, aq sa edhe na bëjnë të ndihemi krenarë për arritjet e tyre dhe që nuk kanë hezituar asnjëherë tregojnë prejardhjen e tyre shqiptare, shkruan albinfo.ch.

E njëra prej tyre është sigurisht edhe Annella Zarina, këngëtare në Danimarkë, me krijimtari të pasur muzikore e cila jo vetëm që po zë vendin e saj në këtë industri, por edhe po vlerësohet si person i dashur, pozitiv dhe me stil unik nga shoqërinë daneze.

Annella ka lindur në Cyrih, në Zvicër, por me prejardhje është nga Dukagjini. Prindërit e saj kishin ardhur nga Peja në Zvicër, por jo për të vazhduar gjatë. Pas një viti e gjysmë nga lindja e Annellës, ata u shpërngulën në Danimarkë si refugjatë, shtet ky, ku Annella është rritur dhe zhvilluar artistikisht.

Një talente shqiptare në Danimarkë

Dëshira për muzikë ka filluar shumë herët për Annellën, që në moshën 9-vjeçare. Ajo për albinfo.ch tregon se si filloi dëshira për të kënduar dhe cilin shembull e kishte si pikënisje të saj.

“Dashuria për muzikë ka filluar shumë herët. Babi im ka qenë klarinetist dhe prej që kam qenë e vogël, më kujtohet shumë mirë, kur babai lunate me klarinet. Saktësisht, në moshën 9-vjeçare më ka lindur dëshira për muzikë, më kujtohet shumë pastër, kam qenë duke shikuar një televizion shqiptar dhe pashë Inva Mula, operiste, duke kënduar, këtu ka qenë pikënisja ime që do të bëhem një këngëtare”, është shprehur ajo, për albinfo.ch.

Nga kjo moshë ajo filloi të mirret më seriozisht me muzikën, duke kënduar në disa organizime, që i shërbenin edhe si motivim për të vazhduar tutje, që një ditë të bëhej edhe si Britney Spears dhe Christina Aguilera.

“Dëshira ime ishte të bëhem këngëtare e shquar, një artiste sikurse Britney Spears dhe Christina Aguilera që i vlerësoj shumë. Duke parë këtë vullnet që kisha, me ndihmën e babait fillova të shkoj në studio muzikore dhe të merrem me muzikë, pra në moshën 14 vjeçe kam filluar seriozisht muzikën”, bën të ditur Annella.

Zëri më i mirë i zgjedhur danez

Annella si 14-vjeçare kishte filluar në mënyrë profesionale të këndojë në një studio në Danimarkë. Prindërit e saj donin që paralelisht me këndimin, ajo të shkollohej edhe në “Shkollën e Muzikës”. Ani pse në fillim ajo nuk e pranoi aq mirë këtë, sot ndihet falënderuese prindërve, sepse aty pikërisht mësoj shumë dhe u bë e pasur profesionalisht.

“Prindërit e mi nuk pranonin të bëhem një këngëtare, pa u shkolluar. Edhe pse në fillim nuk pranova lehtë, por nga që kjo do të më shërbente, pranova propozimin e prindërve dhe fillova shkollën e mzikës për 4 vjet me radhë. E gjitha kjo ishte, sepse, sipas tyre, nëse dëshiron të bëhesh këngëtare duhet shkolluar për atë fushë. Dhe kishin të drejt sepse aty kam shkolluar gjuhën e muzikës në mënyrë profesionale dhe në veçanti zërin tim”, tha Annella.

Pas përfundimit të shkollës së muzikës, ajo ka udhëtuar për në SHBA, pikërisht në Nju Jork, për të punuar me producetë të njohur, duke bërë një mix këngësh klasike me ato moderne, pra një kombinim i zhanreve muzikore që vështirë realizohen, shkruan tutje albinfo.ch.

Zëri i saj është karizmatik, dhe ndjek një rrymë interesante të trajtimit të këngës. Shumë ekspertë danezë e vlerësojnë ngjyrën e zërit të saj të veçantë dhe unike në tregun muzikor që sipas tyre ka shumë pak në fushën e saj.

Tashmë këngët e saj janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë. Rreth një muaj më parë, artistja shqiptare u vlerësua si zëri më i mirë danez në industrin muzikore.

Disa nga këngët më të suksesshme të saj janë: “Perfume”, “All in”, “Kisse Misse”, “Bass me Baby”, “Red Stilettos”, “Like a Jazz Song”, “Trouble”, “Love Music, “My Fix” dhe “Shall We”.

“Pop elektro-suing”, zhanër i veçantë

Annella Zarina po krijon një karrierë interesante, duke ndjekur një rrymë muzikore, artistike në zhanrin e “Pop/elektro-suing”. Duhet theksuar se ky zhanër muzikor është shumë i rrallë dhe se çdoherë e më shumë po bëhet më i dashur për publikun.

Duke qenë se këngët e saj tashmë janë mes 100 këngëve të momentit në Danimarkë dhe si zëri më i mirë i zgjedhur danez, i dha shumë popullaritet.

Annella shquhet edhe për gjallërinë që krijon në këndim dhe skenë, me ngjyrat e saj dhe stilin e veçantë të veshjës. Po ashtu, për të nuk është aspak problem të këndoj edhe në zhanret tjera dhe se në planet e saj të afërta do të bëjë një mix të tillë.

Vlen të theksohet se Kënga “Perfume” ka pas një sukses të mirë në tregun muzikor. Ajo realisht është kënga e saj më e dëgjuar në Spotify, një platformë muzikore e dëgjimit.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person

Pandemia dhe muzika

Viti 2020 pa dyshim se ishte shumë i vështirë për të gjithë, shkaku i pandemisë që paralizoj po thuajse të gjitha fushat e jetës. Njëjtë ishte edhe për Annellën, ajo e cilëson një vitë të vështirë në aspektin muzikor, një mbyllje totale e koncerteve dhe muzikës në tërësi.

Viti 2020 ka qenë shumë i vështirë. Të gjitha koncertet janë anuluar dhe viti si i tillë nuk ka qenë produktiv, sidomos në muzikë. Nuk kam mundur të udhëtoj në Amerikë shkaku i virusit, kjo më ka stopuar, sepse aty e kam bazën e këngëve dhe melodisë që i punoi bashkë me producentë”, shprehet ajo.

Megjithatë, duke qenë se Annella është tekstë-shkruese dhe të gjitha këngët i punon vet, ky vit ka një medalje pozitive për të. Ngaqë kishte shumë kohë të lirë, ajo vendosi që të shkruaj tekste muzikore për të bërë “bum” në vitin 2021 me këngët e saj.

“Gjatë këtij viti edhe pse ishte i vështirë, ne artistët gjejmë një mënyrë që të bëjmë diçka. Gjatë kohës së karantinës, kam shkru shumë tekste këngësh, kam filluar po ashtu me bashkëpunu me disa muzikantë dhe producentë këtu në Danimarkë” bënë të ditur ajo.

2021 do të startojë me këngë të re dhe projekte të reja

Annella është shumë optimiste për vitin 2021, sipas saj, ky viti do t’i sjellë shumë suksese.

Plani për vitin 2021 është lanësimi i të gjitha këngëve të reja që i kam shkruar, duke i punuar edhe me videoklipe artistike. Po ashtu, me kalimin e koronës, shpresoj t’i realizoj edhe disa koncerte në stinën e verës”, tregon ajo.

Në planet e saj, në vitin 2021 është edhe ardhja në Kosovë, ku do të bashkëpunojë edhe me artistë shqiptarë.

Për Albinfo.ch, Annella Zarina bënë të ditur për herë të parë lansimin e këngës së re e cila do të bëhet më 27 janar dhe quhet “Selfish”. Këngë kjo, e cila do të jetë më shumë pop dhe do të ketë pak a shumë tema të cilat jemi ballafaqur gjatë viti 2020.

“Jam shqiptare dhe ndihem krenare për këtë” /Albinfo.CH 

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, duke buzëqeshur

Shqiptarja që “pushtoi” skenën e “The Voice Germany”, tani në version tjetër

Është Rrezarta Bojaxhiu, vajza shqiptare që pëlqen ta thërrasin shkurt Rreze. Ajo bëri shumë “zhurmë” në Gjermani. Madje, u komentua për ngjyrat e saj të zërit kumbues, duke ”pushtuar” skenën e “The Voice Kids Germany”.

Që në paraqitjen e parë, në audicionet e fshehta, Rrezarta goditi fort me këngën klasike të operës, “Nessun Dorma” nga Luciano Pavarotti. Këngë kjo e vështirë, që në vete do përveç zërit, edhe mjeshtri të veçantë, që të dyja këto vlera i gëzon ajo.

“Në një farë mënyrë, e prisja që do të ketë sukses, por asnjëherë nuk e mendoja se do të ishte aq e madhe”, tha ajo për Albinfo.ch.

Ishte juria ata që u habitën me performancën e saj, juri kjo e përbërë nga 5 persona, emra të njohur të skenës botërore, të cilët pa hezituar shtypën butonin “PO”, duke dhënë sinjal pëlqimi që ta kenë në ekipin e tyre, si Lena Meyer-Landrut, Sasha, Max Giesinger dhe dy anëtarët e grupit “Meine Freunde”.

Duhet theksuar se Rrezarta nuk kishte aplikuar në “The Voice”, por ishin ata të cilët e ftuan që të performojë në skenën e tyre.

“Filimisht, mua më kanë ftuar në “The Voice Kids”, unë nuk kam aplikuar, por pranova me dëshirë. Ishte shumë ekperiencë e veçantë për mua. Aty arrita deri në gjysmëfinale dhe jam shumë e gëzuar se fazat më të vështira i kam kaluar”, shprehet ajo.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, tekst

Nga Islanda, drejt një jete të re në Zvicër

Rrezarta ka lindur në Islandë, ndërkohë që prindërit e saj janë nga fshati Plavë, treva e Opojës, në komunën e Dragashit, në Kosovë. Që në moshën 5-vjeçare ajo filloi të këndojë në disa evente, ndërkohë në moshën 9-vjeçare u bë pjesë e një opere.

“Unë si 9-vjeçare isha pjesë e një opere në Islandë dhe të këndosh në një arenë të operës, nuk është e lehtë, por për mua nuk ishte fare problem. Gjithashtu, kisha edhe eksperienca në gara (kompetitione) nga kam marrë edhe përvojen e duhur, duke sjellë suksese shumë të mira”.

Në vitin 2017, Rrezarta, së bashku me familjen e saj, u shpërngulen nga Islanda drejt një jete të re në Zvicër. Ajo që tre vjet jeton në Zvicër, në kantonin e Cyrihut dhe ndihet shumë mirë me jetën që i ofrohet në Zvicër.

 

Dashuria për muzikën klasike, pa lënë anash “pop music”

Rrezja, përveç muzikës klasike, këndon shumë bukur edhe “pop music”, por atë klasike e ka më për zemër dhe e do më shumë.

“Të them të drejtën, muzikën kalsike e kam në zemrën time. Zemra ime pushon kur këndoj një “Arie” të veçantë. Ndërkohë “pop music” më pëlqen, por që klasikën e kam më në zemër.

Rrezja ka një gërshëtim të veçantë mes këtyre dy rrymave, sepse në të dyja ka treguar rezultate të suksesshme dhe kjo patjetër se është një përparësi për të që në një të ardhme të bëhet një yll i muzikës botërore.

 

“Unë të du ma s’shumti n’botë” dhe “Dont Let Go”

Këto janë dy këngët e fundit të realizuara që njëra është publikuar para disa muajve “Un të du mas shumti n’botë” dhe “Dont Let Go”, e cila u publikua para disa dite.

“Mas shumti n’botë” publikuar para disa muajve tashmë është një debutim i suksesshëm i saj në tregun muzikor, qoftë me paraqitjen e saj artistike, ashtu edhe me baladën e saj.

Muzika e këngës së regjistuar nga “Mixey Music” është kompozuar nga Armend Rexhepagiq, me tekst nga Aida Baraku dhe producentë Yll Limani e Fatjon Miftari.

Ajo aterroi në Tiranë e Vlorë për të realizuar këngën e saj të parë me videoklip dhe jo më kot i kishte zgjedhur këto dy vende.

Rrezja është shprehur për Albinfo.ch se kjo këngë është në gjuhën shqipe, pasi që ishte edhe ëndrra e prindërve të saj.

Kënga “Ma s’shumti n’botë” ishte ëndrra e prindërve të mi. Me një fjalë, doja të realizoja ëndrrën e tyre, që ta bëj një këngë në gjuhën shqipe, pasi që krejt çfarë kanë bërë prindërit për mua, kjo ishte thjesht një falënderim për ta dhe realizim i ëndrrës së tyre”.

Nga ana tjetër, “Dont Let Go”, është titulli i këngës së re nga Rrezarta, e publikuar para pak dite. Kjo këngë duket se do të jetë një debutim i suksesshëm i saj në tregun muzikor, qoftë me paraqitjen e saj skenike, ashtu edhe me atë artistike, shkruan albinfo.ch.

Duhet theksuar se kënga eshtë në gjuhën angleze dhe e producuar nga studio “RRecords” nga Rinor Ukimerit. Ndërkohë teksti është punuar nga Ayleen Rogers nga Los Angelos dhe video-klipi është bërë nga “Creative-video-alb” në Tiranë. Vlen të cekët se spoti i kësaj kënge është bërë në Vlorë. /Albinfo.ch

 

Rrezarta tani në prag të karrierës do të ndjekë rrugën e yjeve muzikore të “Pop Star” me renome botërore, sikurse Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha etj.

Igli Mezini, “një shpirt artisti” në skenat botërore

Të jesh artist nuk është e lehtë, para së gjithash kur fillet i ke nga një vend me mundësi relativisht të kufizuara për të depërtuar.

Duhet të jesh vërtet energjik, optimist dhe me shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Këto janë disa prej cilësive kryesore të Iglit që i shërbyen për të qenë sot një balerin i suksesshëm në shumë skena botërore.

Ai është vetëm 27 vjeç, i lindur dhe rritur në Tiranë. Dashuria që ka për vendlindje është e madhe, pasi aty kaloi vite të mira të jetës së tij. Që në moshën 7-vjeçare i lindi dëshira për balet, sepse talentin thuajse e kishte të lindur për të qenë një artist i skenës, i duhej fare pak për të kaluar në nivelin e duhur.

“Me fillimin e klasës së parë zgjodhëm bashkarisht me familje që paralelisht me shkollën, të kërceja e të impenjohesha në art, “balet”. E teksa vitet kalonin, unë u bëra pjesë e Shkollës Kombëtare të Baletit, një shkollë nga ku kanë dalë shumë legjenda të artit”, thotë ai.

 

“Një zanat i bukur, por i lodhshëm”

Rrugëtimi i tij drejt suksesit nuk ishte i lehtë, ndërsa formimi i tij me perspektivë profesionale i mori goxha punë dhe energji. Për baletin thuhet se është “një zanat i bukur, por i lodhshëm”.

“Absolutisht e vërtetë. Me një ekzigjencë të madhe artistike e me një punë rigoroze të përditshme vërtetonin fjalët e njerëzve, ku çdo ditë pjesët e trupit dhimbnin, e askush s’donte t’ia dinte e kurrë s’duhej të thoshe se sa dhemb”, shprehet Igli.

 

Franca, pikënisja e parë e depërtimit në tregun evropian

Iglit në moshën 18-vjeçare iu dha drita jeshile në një nga shkollat me prestigjoze në Kanë të Francës. Një vend me një mentalitet të hapur dhe shumë demokratik, ku arti përmbledh gjithmonë artistë nga i gjithë globi.

“Kana ka qenë trampolina më e mirë për vazhdimësinë e karrierës sime deri më sot. Një vend i mrekullueshëm, inspirues, ku fatmirësisht kam takuar njerëz shumë të përgatitur artistikisht, e që kam pasur fatin e madh të punoj e të mësoj nga ta”.

Mezini aty ushtroi kërcim kontemporan, klasik, kërcim në çift, teatër, kanto, cirk dhe shumë fusha interesante për t’u bërë një artist i plotësuar.

“Kohë të mrekullueshme që i kujtoj me shumë mall e që ndihem shumë i privilegjuar që m’u dha ajo mundësi e artë”, tregon ai.

 

Jeta profesionale në Gjermani, eksperienca e duhur!

Franca i shërbeu Iglit në formimin e tij intelektual, profesional dhe etik për baletin, e kjo i hapi rrugë të depërtojë edhe në tregun gjerman. Sipas tij, Gjermania dhe teatri “Wiesbaden” ishin gjëja e duhur në momentin e duhur.

“Për gati 4 vjet kam jetuar dhe punuar në një nga teatrot më të vjetër e më të bukur të Gjermanisë, që ishte Wiesbanden. Një staf prej 28 balerinësh që vinim nga vende të ndryshme të botës”.

Gjatë katër vjetëve, ai ishte balerin solist në këtë teatër ku punoj me koreografë nga më të njohurit në botë, aq sa edhe Igli e quan “një fabrikë arti”.

 

“Zvicra, vendi në të cilin dashurova që nga dita e parë”

Mezini kishte vite që bashkëpunonte me kompaninë e baletit “Linga”, por në vitin 2019 kjo kompani po bëhej gati për një koncept të ri në teatrin Octogone në Pully dhe Igli u vendos pikërisht në Lozanë për të performuar.

“Linga po bëhej gati që një koncept të ri dhe unë u vendosa në Lozanë të Zvicrës, vendi që u dashurova që nga dita e parë. Në Linga kam qenë edhe profesor kërcimi duke drejtuar provat dhe duke punuar me artistët e tjerë të kompanisë që ishin më të mëdhenj se unë në moshë”, shprehet ai.

Pas shijimit të këtyre sukseseve, destinacioni i tij i ardhshëm ishte në kantonin e Lucernit. Saktësisht, një ofertë nga teatri i këtij qyteti, ku edhe tani ushtron profesionin si solist.

“Teatri në Lucern funksionon shumë mirë, stafi është shumë profesional dhe artistikisht u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të mia si artist. Në Luzern kemi diku 60 shfaqje në sezon, me një repertor shumë të larmishëm”, tregon ai për Albinfo.ch.

Artist në shumë skena të rëndësishme të botës

Destinacionet që ka performuar Igli janë të shumta, qoftë në skenat e Europës, ashtu edhe të Azisë dhe Amerikës.

“Shumë shtete e skena të Europës, Azisë, Amerikës Latine kam pasur fatin t’i shkel, por edhe të performoj, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Zvicër, Austri, Gjermani, Francë, Spanjë, Portugali, Turqi, Itali, Kolumbi, Australi, Singapor, Kinë, Taivan, Hong-Kong, Belgjikë, Suedi dhe në disa vende të tjera”, tregon ai.

Ndërkohë që skenat që ka performuar dhe shijuar Igli si balerin kanë qenë të shumta, si: “Sydney Opera House”, “Wiesbaden Staats Theater”, “Cultural Center Hong Kong”, “Taichung Theater Taiwan”, “Teatro Mayor Bogotá”, “Singapore Theater”, “Beijing Theater” e shumë të tjera.

Ky është Igli, një artist frymëzues i suksesit në Zvicër.

Modelja sharmante, Bleonida Pepshi, imazh bukurie në Zvicër

Tashmë edhe botërisht duket se vajzat shqiptare kanë një element të veçantë bukurie në vete. Këtë po e dëshmojnë sukseset e tyre të vazhdueshme veçmas në fushën e modelizmit.

Modelja shqiptare, Bleonida Pepshi, 18-vjeçare, e lindur dhe rritur në Zvicër, por me prejardhje nga Juniku, tashmë është bërë mjaft e kërkuar dhe pjesë e disa projekteve si imazh bukurie në Zvicër.

Që në moshë të re ajo kishte pëlqime për fushën e modelizmit dhe me kalimin e kohës, tiparet e saj reflektonin në përputhshmëri të plotë me këtë profesion.

Ndërkohë në moshën 17-vjeçare ajo vendosi të merret me botën e modelimit dhe se është e duhura që ta zotërojë këtë fushë.

Jeta në Zvicër

Ani pse Bleonida ka lindur, jeton dhe vepron në Zvicër, ajo është me origjinë nga Juniku i Kosovës. Prindërit e saj, Mentor Pepshi dhe Valdete Salhi-Pepshi, para shumë vjetësh kishin emigruar në Zvicër shkaku i luftës dhe situatës jo të mirë të krijuar në atë kohë.

Bleonida shollimin e kishte filluar në Kerzers, në kantonin e Freiburgut, të cilin e vazhdoi deri në klasën e shtatë, pastaj së bashku me familje kishin lëvizuar nga kantoni i Freiburgut në kantonin e Argau.

Sa i përket jetës dhe shoqërisë në Zvicër, ajo tregon se nuk ka qenë aspak e vështirë ambientimi i saj me rrethin shoqëror dhe se ndjehet e barabartë me të gjithë, pa paragjykime.

“Meqenëse jam lindur dhe shkolluar këtu, për mua nuk ka qenë aspak e vështirë të ambientohem me jetën dhe shoqërinë në Zvicër”.

E bukur, delikate dhe plot sharm

Këto janë fjalët që e karakterizojnë Bleonida Pepshin, modelja që po ecën me hapa të sigurt në Zvicër dhe po tregohet goxha e suksesshme në këtë fushë, duke pozuar brende të veshjes dhe së fundmi edhe të parfumit “Versuit” në Zvicër.

Ajo është një fytyrë e re e modës, delikate, që në vete bart elegancë të plotë, fal pamjes së saj dhe stilit të veçantë të veshjes.

Duke qenë se çdo modele në plan të parë ka bukurinë dhe veshjen, Bleonida Pepshi shprehet se është e pasionuar në raport me të dyja këto.

“Veshjet e markës ‘Gucci”, e po ashtu edhe ajo ‘Zara’ më pëlqejnë më së shumti, por nuk janë të vetmet, sepse më pëlqejnë edhe shumë marka të tjera”, shprehet ajo.

Po ashtu, rëndësi për Bleoniden ka edhe kozmetika. Patjetër që për një modele që të duket bukur, duhet edhe gërshetimi i saj me kozmetikën.

“Përveç modelizmit, si fushë e preferuar imja, tani jam duke ndjekur edhe kurse për kozmetikë në Zvicër”.

Dashuria e saj për fotografinë

Ani pse Bleonida është një emër i veçantë, asaj i pëlqen ta quajnë shkurt Nida. Fotosesionet e saj janë me shumë shije dhe mjaft tërheqëse. Fotot e saj reflektojnë një karakter të fortë dhe mjaft seriozitet.

Shumë faqe të njohura Instagrami për femra, si nga Kosova, Shqipëria, ashtu edhe nga Zvicra, kanë postuar foto të ndryshme të saj, si modele bukurie.

Duke qenë se është fotogjene, Bleonida së fundmi ka reklamuar parfumin e ri të quajtuar “Versuit”, e po ashtu edhe disa veshje për butiqe të ndryshme.

“Së fundmi kam realizuar një reklamë për parfumin “Versuit” që shumë shpejt do të dalë në treg. Jam ndarë shumë e kënaqur, për mënyrën se si është realizuar reklama, ndërkohë që marketingun e ka bërë fotografi Shpend Salihu dhe me pronarët e parfumit që janë shqiptarë, Fatmir dhe Mimosa Kastrati”, është shprehur Nida.

Kosova dhe veshjet tradicionale

Shohim shumë modele që janë të dhëna pas veshjeve moderne, duke harruar apo edhe duke mos dashur t’i kultivojnë veshjet e mirëfillta tradicionale.

E për Bleoniden kjo nuk vlen, sepse veshjet tradicionale, e po ashtu edhe veshjet e nusërive në Kosovë i pëlqen shumë, aq sa edhe ka bërë reklama për to.

“Veshjet tradicionale i dua dhe më pëlqejnë shumë. Kam reklamuar veshje tradicionale në Kosovë, në qytetin e Vushtrrisë, në butikun “Vella”.

Nga ana tjetër, Bleonida është shumë e lidhur me Kosovën, ajo tregon se zemra i rrah ndryshe kur prek tokën e Kosovës, ku atje ka edhe familjarë të saj, duke e bërë një lidhje të ngrohtë me ta.

“Jam shumë e lidhur me Kosovën dhe më pëlqen vendi im, andaj për çdo vit udhëtojmë për pushime Kosovë”.

Bleonida Pepshi është një emër premtues në fushën e modës me qëllime të qarta drejt suksesit.

“Hana jem” i hap Albi Hoxhës rrugën e suksesit

Garës së këngëtarëve të rinj për t’u futur me sukses në kupolën e artistëve të preferuar nga publiku, i është shtuar edhe një artist i ri, spoti i të cilit po shpërndahet në rrjetet sociale me këngën Hana jem. 

Albi Hoxha ka lindur, është rritur dhe shkolluar në Zvicër, dhe ndonëse flet më mirë gjermanishten, muzika në gjuhën shqipe i jep më shumë kënaqësi. shtu kënga e tij e parë vjen në shqip, si një përzierje mes zhanrit të muzikës rep dhe hip-pop. Ai ka filluar si fëmijë të merret me muzikë, duke marrë për disa vite edhe sim privat në lëndën e muzikës. 

Vokali i Albit shquhet sidomos në tone të larta, tregon babai i tij Selajdin Hoxha, i cili është kujdesur që fëmija i tij i vetëm të ketë një lidhje emocionale me vendin e prejardhjes, Gjilanin. 

Babai i tij kujton djalin e tij të vetëm, Albin, si një fëmijë i pasionuar pas muzikës, që mbyllej në dhomën e tij dhe këndonte e luante me instrumentin e tij. 

Vokali i jashtëzakonshëm i Albit  

Albi qysh i vogël ka kënduar dhe unë kam vërejtur që ka një vokal të jashtëzakonshëm. Shumë herë i kam kërkuar të fokusohet më tepër në vokalin e tij, por ai preferon momentalisht më tepër zhanrin e muzikës rep e hip-pop, megjithëse talentin e ka në vokal, në tenor thotë babai i tij.  

Me këngën e tij të parë: Hana jem, Albi ka dëshmuar talentin e tij edhe në zhanrin e muzikës rep, duke kaluar me sukses provën e parë. Kjo këngë është pritur mirë dhe Albi do të vijë para festave të fundvitit edhe me këngën e dytë, mirëpo kësaj radhe në gjermanisht. Kurse këngën e tretë do ta sjellë të kombinuar shqip e gjermanisht, duke ndjekur kështu gjurmët e idhujve të tij, Azet dhe Noizy 

„Këngën e tretë planifikoj ta sjelli miks, në gjuhën shqipe dhe gjermane“, zbulon Albi planet e zhvillimit të karrierës së tij muzikore. 

Ëndrra e tij është muzika  

„E kam dashur gjithmonë muzikën, e kam pasur si hobi, vazhdimisht kam qëndruar mbi Keyboard (sint) duke provuar e interpretuar këngë të ndryshme të muzikës rep e hip-pop“ tregon gjilanasi 21 vjeçar që është i lidhur ngushtë me vendlindjen e babai të tij. 

Saherë kemi dëgjuar muzikë në veturë apo në shtëpi, unë gjithnjë kam kënduar këngët duke ndjekur ritmin e radios dhe interpretuesit. Kështu talenti im për muzikën nuk ka kaluar pa u vërejtur nga rrethi familjar dhe shokët të cilët vazhdimisht më kërkonin të filloj të merrem muzikë. Ëndrra ime është të bëhem muzikant dhe për këtë po punoj shumë, tregon me vendosmëri Albi Hoxha. 

Ai është i vetëdijshëm që e pret një sfidë e vështirë në rrugëtimin e tij drejt majave të suksesit, por vokali i tij dhe sidomos kënga e dytë që do të lansohet deri në fund të nëntorit, do të tregojë aftësitë e tij vokale të mahnitshme. 

Instagram: Albi Hoxha

 

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani promovoi librin “Bürde & Segen“ në Cyrih

Shkrimtarja shqiptare, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, Shqipe Sylejmani, ka promovuar mbrëmë botimin e librit të saj më të fundit në gjuhën gjermane “Bürde & Segen“ (Barrë&Bekim), shkruan albinfo.ch.

Shqipe Sylejmani ka lindur në Prishtinë, Kosovë, në vitin 1988 dhe jeton në Zvicër që kur ishte katër vjeçe. Ajo studioi gazetari dhe komunikim në Cyrih dhe punoi ndër të tjera si gazetare në Zvicër dhe New York. Që nga viti 2018 ajo është përfshirë në fushën e financimit kulturor dhe është presidente e shoqatës “Kulturwerkstatt: Techno”.

Libri i saj u prmovua mbrëmë, më 22.10.2020, në Cyrih të Zvicrës, ku të pranishëm ishin një numër i madh i libërdashësve. Përveç kësaj, promovimi u shoqërua edhe me muzikë popullore e folklorike.

Shkrimtarja Shqipe Sylejmani mbajti edhe një fjalim në lidhje me librin e saj “Bürde & Segen“, duke pasqyruar disa pjesë të librit para audiencës së pranishme, shkruan tutje albinfo.ch.

Në librin “Bürde & Segen“ trajtohen tema interesante, ndërthurje historie, me të cilën autorja me mjeshtërinë e saj letrare rrëfen përvojën e saj të migrimit dhe udhëtimet në vendlindjen e saj.

Romani rrëfen historin e vajzës që jeton në Zvicër dhe ka gjithçka që të afërmit e saj në Kosovë mund të dëshirojnë: lirinë, mundësitë dhe ambiciet. Megjithatë, edhe në fëmijërinë e saj, ajo ndjeu se gjithnjë i ka humbur diçka. Kur gjyshja i vdes dhe e lë me një fletore me destinacione udhëtimi në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e reja vendos të udhëtojë në këto vende vetëm për të gjetur qartësi në lidhje me jetën e saj. Në udhëtimin e saj ajo jo vetëm zbulon anekdota të vjetra, histori dhe mite, por gjithashtu gjen miq të rinj, dashuri dhe veten, shkruan albinfo.ch.

 

Sopranoja e njohur shqiptare hap shkollë muzike në Gjermani

E njohur shpesh si ‘motra e Elvana Gjatës’, sopranoja Migena Gjata ka arritur te krijojë një karrierë të suksesshme në Gjermani. E suksesin e saj ajo tashmë do ta kurorëzojë edhe me hapjen e një shkollës të muzikës në qytetin e Duseldorfit në Gjermani, trandmeton Albinfo.ch.

Përmes rrjeteve sociale, artistja shqiptare që jeton në diasporë ka bërë të ditur se hapja e kësaj shkolle të muzikës do të jetë një përvojë e mirë për ta ndarë me nxënësit.

“Kam punuar për këtë projekt gjatë 15 viteve të fundit. Në këtë rrugëtim artistik dhe arsimor, unë kam qenë i shoqëruar nga një grup njerëzish; mësues, muzikantë, kolegë, miq dhe familjarë, ndaj të cilëve dëshiroj të falënderoj.

Mirënjohje për të gjithë profesorët dhe mësuesit e mi në Universitetet e Muzikës shqiptare, italiane dhe gjermane, me të cilët pata privilegjin të punoja, ata më frymëzuan dhe inkurajuan; më mësuan parimet themelore të të kuptuarit të muzikës dhe të kënduarit” shkruan Gjata.

Sopranoja Migena Gjata, rrugëtimin e saj muzikor e nisi si 13 vjeçare në Tiranë derisa në Gjermani jeton tash e 10 vjet.

Erza, me vokalin e saj, po mahnit gjithë Francën

Erza Muqolli është 14-vjeçarja me origjinë nga Deçani i Kosovës, e lindur në Paris të Francës. Prindërit e saj kanë emigruar drejt Francës në vitet ’90. Në Francë ajo është tashmë ndër të rinjtë që merr vëmendjen më të madhe të mediave dhe publikut me projektet e saj muzikore. Muqolli ka qenë e ftuar në emisionin “Soirée” në Top Chanel, ku ka folur për familjen, origjinën shqiptare si dhe sukseset në muzikë, transmeton albinfo.ch.

Muqolli u shpreh se viziton çdo vit Kosovën e shoqëruar nga familja e saj, dhe në çdo koncert e thotë me krenari që është shqiptare. Për Muqollin, idhulli i saj në muzikë është Dua Lipa.

Ajo u bë e famshme falë talentit të saj të jashtëzakonshëm, ndërsa së fundmi ka publikuar edhe një album muzikor.

Lajmin e dha vetë artistja e vogël, ndër të tjera, Erza zbuloi se kush është artistja shqiptare, e cila i ka kërkuar bashkëpunim.

Ajo tha se këngëtarja Tuna i ka shkruar babait të saj për të bërë një bashkëpunim.

“Kur kam nisur të këndojë ‘Xhamadani’, Tuna ka qenë që më ka kërkuar të bëjmë një bashkëpunim”, tha ajo. /Albinfo.ch

Fotografia e Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës

Këngëtarja shqiptare që po mahnit Rusinë

Këngëtarja po merr pjesë në garën “New Wave Festival 2019” që po mbahet në Sochi të Rusisë.

Ajo për dy net radhazi ka marrë pikët maksimale të jurisë, e cila përbëhet nga artistë të njohur rusë.

Inis Neziri po vlerësohet për vokalin e fuqishëm si dhe paraqitjen dinjitoze.

Gjatë prezantimit, këngëtarja ka bërë edhe shqiponjën para publikut rus, ku është shfaqur edhe flamuri shqiptar, kanë raportuar mediat kosovare.

https://youtu.be/w3H37KH3ao4

Me kërrabëzat kosovare në sfilatat botërore

Albinfo.ch vazhdon me prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare. Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë të shtuar në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshme, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.

Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës.

Cikli i dymbëdhjetë portreteve “Storie suksesi” është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim në Kosovë (SDC-DEZA-DDC), Programit për Promovimin e Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe projekti po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Fatjeta Barbullushi dhe bendi Guralumi vijnë me albumin “Lule bore”

Këngëtarja e njohur shkodrane, Fatjeta Barbullushi, në një intevistë për albinfo.ch zbulon më të rejat në karrierën e saj muzikore dhe tregon se sa e  vështirë është të jesh artiste në një vend të huaj.

Ndër të tjera, ajo zbuloi projektin më të ri muzikor “Lule bore”, që e kishte realizuar në bashkëpunim me një grup të njohur të skenës muzikore në Zvicër.

Ndoshta, mision i vështirë por Barbullushi bashkë me bendin “Guralumi” ia kanë arritur me projektin më të ri të sjellin një homazh kolosëve të muzikës së mirëfilltë shqiptare, si Nexhmije Pagarusha, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Muharrem Gurra e plot kompozitorë e artistë  të tjerë shqiptarë.

Fatjeta, e cila jeton dhe krijon në Zvicër, njihet për shumë hite, siç janë “Pashë dy sytë në ballë”, etj.

Ajo kishte emigruar në Zvicër që në vitin 1999, ndërsa sot e kësaj dite i mbetet besnike identitetit, traditës, kulturës e artit shqiptar.

“Vija shpesh edhe me organizime e aktivitete muzikore edhe më përpara. Jam pritur mirë padyshim, e publiku shqiptar më ka përkrahur, ndoshta sepse ishim të njohur me njëri-tjetrin gjithsesi me anë të prezantimeve të mia televizive dhe skenave shqiptare”, fillon rrëfimin Barbullushi.

Ajo ka të edituar deri tani 4 albume,  dhe të gjithë janë të lidhur me veprimtarinë e saj artistike në Zvicër.

Por, albumi i fundit “Lule bore” është më ndryshe.

“Po, `lule bore` përfshin edhe publikun e huaj, i cili shfaq tashmë shumë interes për muzikën të cilën e përcjellim aktualisht”, thotë këngëtarja shkodrane.

“Tematika e këngëve të mia përqendrohet gjithmonë te qëllimi i kuptimit tim për jetën e universin në përgjithësi; `Dashnia”.”

Ajo ka bashkëpunuar për tekste dhe këngë gjithmonë me emrat më të njohur  e të talentuar të muzikës shqiptare.
Barbullushi, me kërkesën e grupit “Guralumi” ka pranuar të jetë soliste e këtij jazz bandi, një grup muzikantësh, të cilët marrin frymëzimin nga muzika shqiptare.

“Dëshira dhe pëlqimi im  për muzikën jazz më kanë shtyrë të jem më e interesuar, kurioze dhe të eksploroj plotë labirinte të këtij zhanri. Kam marrë kurse dhe formacione intensive përpara dhe gjatë integrimit tim në grup”, tregon ajo arsyet për bashkimin me grupin muzikor “Guralumi” të Lozanës

Në dhjetor të vitit kaluar në bashkëpunim me shtëpinë e njohur zvicerane  muzikore në Bernë, “Unit Records” është nxjerrë albumi “Lule bore”, promovimi i të cilit po vazhdon.

“Të jesh thjesht artist, sa është bukur aq është dhe vështirë, po të jesh  artist në emigracion është shumë e vështirë. Mendoj e besoj se aty ku ka vështirësi, ka edhe  arritje të mirëfillta e me kuptim, të suksesshëm e shembullor, nëse dimë t’i qëndrojmë besnik pasionit, identitetit, traditës, kulturës e artit tonë”, thotë këngëtarja Barbullushi.

Albumi “Lule bore” i përmban dhjetë këngë tashmë të mirënjohura për publikun shqiptar.

“Në këtë album, bashkë me aranzhuesin  e kompozitorin Gjon Guralumi, i cili është dhe lideri i grupit, kemi zgjedhur tu bëjmë homazh kolosëve të muzikës së mirëfilltë shqiptare, si Pagarusha, Vaçe Zela, Fitnete Rexha, Muharrem Gurra,  e plot kompozitorë e artistë  të tjerë shqiptarë”, tregon Barbullushi.

Zgjedhja e repertorit e kuruar në detaje përbën larushi këngësh të të gjithë trevave shqiptare.

Albumi  është regjistruar në një studio profesionale në Zvicër pas një pune intensive dy vjeçare të bendit dhe solistes.

Editimi është realizuar në një ndër shtëpitë muzikore të njohura zvicerane “Unit Records”, e cila iu bashkua projektit me një kontratë pesë vjeçare bashkëpunimi.

 

Mes stripit, jazz-it dhe gazetarisë: gjeniu humanist i Gani Jakupit

  • Foto: Frank Margerin

  • Havana 2014

  • Barcelona

  • Caen 2013

  • Jamboree 2016

  • Connections

  • Prishitnë 2010

Me “rücksack”-un e tij në shpinë, ku kishte gjithsej 6 skica stripesh, para më shumë se 40 vitesh po trokiste plot vetëbesim në redaksitë më prestigjioze të revistave kulturore të Parisit. “Isha shumë naiv”, thotë, sot, pas kaq vitesh, tek kujton fillimet e veta. Por, duke marrë shtytjen nga ky “naivitet”, sigurisht edhe duke “ja ba hyzmetin” me punë siç e thotë vetë, bashkëbiseduesi ynë sot është një emër i përveçëm në botën e romanit grafik, stripit, gazetarisë, muzikës xhaz…: Fjala është për Gani Jakupin, “katundarin” e Gollakut të Prishtinës, siç ka dëshirë të prezantojë veten, që jeton dhe krijon në Barcelonë. Një “Weltburger” i vërtetë dhe i rrallë ndër shqiptarët e sotëm. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të, në prag të vizitës së tij në Zvicër, ku do të jetë mysafir në aktivitetin artistik “Délémont’BD” që mbahet në kryeqytetin e Kantonit Jura dhe në Gjenevë, sponosir medial i të cilit është albinfo.ch

Albinfo.ch: Kush është Gani Jakupi?

Gani Jakupi: Unë kam lindur në vitin 1956 në male të Gollakut, por jam rritur në Prishtinë. Gjithë shkollimin e kam kryer në Kosovë. Kam diplomuar në fakultetin e Elektronikës dhe telekomunikacioneve. Mentori i temës sime të diplomës, “Modulimi frekuencor”, ka qenë Agron Dida. Fatkeqësisht, kurrë nuk e kam praktikuar këtë profesion, për shkak se shumë më herët kam pas filluar me udhëtime, dhe në momentin e diplomimit unë veçse jetoja në Paris. Atje nuk ma pranuan diplomën e Prishtinës, e unë s`kisha mundësi financiare për të rifilluar studimet. Nuk e mbaj mend daljen e parë jashtë vendit, me gjasë diku nga viti 1974 apo 1975… Së paku nga 1978 e më tutje, me nji “rücksack” (sac à dos”) në shpinë, udhëtoja nëpër Evropë.

Albinfo.ch: Si 13 vjeçar keni botuar për herë të parë në një magazinë në gjuhën shqipe. Pastaj, në vitet `70 keni publikuar në revistat dhe gazeta që botoheshin asokohe në ish RFJ. A mund të na tregoni se për çfarë botimesh është fjala?

Gani Jakupi: Fillimisht kam botuar disa poezi, por nuk më kujtohet se në çfarë moshe… Njëkohësisht vizatoja, dhe e mbaj mend se si tetëvjeçar, gjatë një shërimi, kur nuk më lejonin te bëja tjetër gjë, kam marrë dhe e kam vizatuar faqen time të parë të stripit. E si trembëdhjetëvjeçar e kam realizuar një strip trefaqësh, me temë nga historia ilire, që Tajar Hatipi vendosi ta botonte në revistën “Pionieri”. Kjo më dha guxim që t’i drejtohesha “Rilindjes për fëmijë”, ku Vehap Shita insistoi shumë që ta bindja se vërtet jam unë ai që po i krijoja storiet e mia, se nuk jam duke kopjuar nga ndonjë revistë. Mbas asaj, erdhën“Bat”-i, “Zëri”, “Jedinstvo”… dhe gati çdo publikim që dilte në Kosovë. Pasoi tregu jugosllav: Serbi, Kroaci, Bosnjë. Botoja stripe, ilustrime, karikatura (dessin de presse).

Albinfo.ch: Vitet `70 mbahen mend si kohë e një shpërthimi krijues, nëse mund të thuhet kështu, në Kosovë, kohë kur fillon për herë të parë një zhvillim i asaj që quhet jetë kulturore atje. Çka mbani mend nga kjo kohë dhe atmosferë? A keni qenë pjesë e saj dhe si mund ta përshkruani?

Gani Jakupi: Konsideroj se kam pasur fatin që, edhe pse vija nga një familje e varfër me origjinë fshatare, më kanë vërejtur dhe me kanë inkurajuar letrarët si Mirko Gashi, Vehbi Kikaj ose Tajar Hatipi. Miku im, jazzisti Ilir Bajri pat thënë një herë se “s’ka ma keq për zhvillim artistik se me qenë më i miri në lëmin tënd!”. Kjo më pati ngjarë si autor stripesh. Takimi me Nexhat Krasniqin- NEKRA, diku kah fillimi i ’80-ve, qe inkurajues, por ai vinte nga karikatura… kështu që e mora hapin më të mirë të mundshëm – shkova atje ku automatikisht rashë pothuajse “në fund të shkallës”: në Paris!

Albinfo.ch: Sigurisht stripi dhe aq më pak romani grafik, nuk kanë qenë atëherë dhe nuk janë as tash, të eksploruar në Kosovë dhe ndër shqiptarët në përgjithësi. Keni bërë ju asokohe përpjekje për ta zhvilluar këtë zhanër dhe si jeni pritur?

Gani Jakupi: Personat më të moshuar, që e kanë përjetuar Jugosllavinë titiste, e dinë se censura ka qenë shumë më liberale se në vendet tjera të bllokut komunist. Ne kemi mundur t`i lexonim, ngandonjëherë gati se edhe në real time, stripat që botoheshin në Paris, Romë, Londër e gjetiu. Por më lejoni një saktësim të vogël. Strip (ose “bande dessinée” në frëngjisht) quhet çdo rrëfim ku gërshetohen teksti dhe vizatimi sipas disa kodifikimeve specifike. Historikisht, stripi u është drejtuar fëmijëve apo adoleshentëve. Të rriturit e kanë lexuar eventualisht nga nostalgjia. Epoka e revolucionit seksual e ka sjellë si material të quajtur “për adult”, “për të rritur”, por ky nënkuptonte vetëm vepra erotike, pornografike ose, eventualisht, underground (shprehje e “kontra-kulturës” së viteve ’70). Zhanri i romanit grafik e ka zanafillën në krijimtarinë e angazhuar politikisht të viteve ´80, në veprat e autorëve gjenialë si Hugo Pratt e Jacques Tardi, por nuk definohet konkretisht si i tillë deri kah fundi i të ’90-ve dhe fillimi i mileniumit të ri. “Maus” (Art Spiegelmann), “Persepolis” (Marjane Satrapi), “Le photographe” (Emmanuel Guibert) e hapin rrugën për një rrëfim më serioz, që i drejtohet një publiku me sensibilitet kulturor e letrar të veçantë.

Albinfo.ch: Ju dolët jashtë vendit. Fillimisht në Francë, në Paris. Çfarë kishit marrë me vete dhe me çfarë synonit të prezantoheshit para francezëve? A na përshkruani shkurtimisht përvojat e para?

Gani Jakupi: Isha shumë naiv! Unë kam udhëtuar për në Paris me gjashtë ilustrime nën sqetull. Bile nuk iu drejtova publikacioneve të vogla: shkova drejt e në “Paris Match”, “Jour de France”, “Le Figaro”, e s’di më se ku… Kjo atyre iu duk simpatike, e më udhëzuan në hapat e parë. Gjatë disa viteve botova ilustrime në revista të vogla, me ndonjë sukses sporadik në ndonjë më të madhe. Me kohë u integrova në botën e stripit, dhe e fillova bashkëpunimin me një skenarist francez. Ky aktivitet qe jetëshkurtër, sepse u binda se kisha gjëra më interesante për të rrëfyer, nga ajo që më propozonin. Posa e përfitova teknikën e skenarizimit, e zbatova në projektet e mia. Që nga fundi i të 80-ve, fillova të punoja si skenarist me vizatuesin francez Hugues Labiano

Albinfo.ch: Me cilat punë, krijime, e keni realizuar veten në Francë? 

Gani Jakupi: Trilogjia “Matador” (1991-1994) me Hugues Labiano pati goxha sukses, dhe ma dha një prestigj të mirë por, në njëfarë mënyre, e huça shansin tim! Refuzova të angazhohesha në disa projekte me grafistë që nuk ma “mbushnin syrin”, pata fatin e keq të bija në vorbullën e ndryshimeve radikale në shtëpitë e mëdha botuese (blerja e “Dargaud” dhe “Dupuis” nga grupe religjioze), dhe e përjetova një lloj zhgënjimi me nivelin a stripit në përgjithësi. Fatkeqësisht, isha vizionar në hulumtimin e rrugëve të reja krijuese, por jo edhe në gjetjen e partnerëve profesional adekuat.

Albinfo.ch:  Vetëm pak vite më vonë ju e braktisni Francën për t`u shpërngulur në Spanjë. Si ndodhi kjo? Çka ju tërhiqte në Spanjë, Barcelonë dhe ku ishte dallimi me Parisin?

Gani Jakupi: E lashë Parisin për arsye sentimentale: u ndava nga bashkëshortja ime. Arsyeja e kundërt më solli në Barcelonë. Ky hap qe i mirë për jetën time personale, por më penalizoi profesionalisht. U largova nga Parisi mu në momentin kur filloi të “zihej” ajo që unë aq shumë e dëshiroja, ndërrimi radikal i rrëfimit në strip. Me vite të tëra kam refuzuar t`i kthehesha, me ndjenjën se “e kam huq trenin”. Por, s’ka asnjë të keqe që nuk e sjell ndonjë të mirë! Natyrisht, nëse ia “ban hyzmetin”. Disfatat dhe zhgënjimet kurrë nuk më kanë bllokuar. Largimin nga stripi e shfrytëzova për t`u u zhytur në lëmenj tjerë: dizajn, fotografi, teatër, përkthim, gazetari, etj. Kjo ma dha një përvojë të rrallë në mjedisin profesional të autorëve të stripit

Albinfo.ch: Fakti që ju tashmë po i bëni mbi 20 vjet jete e pune në Spanjë tregon se jeni stabilizuar atje. Si ka shkuar rruga deri në këtë, ta quajmë, stabilizim. Jeni gjetur mirë në skenën e atjeshme artistike apo e keni pasur edhe ju atë periudhën e parë, të vështirë të adaptimit?

Gani Jakupi: Edhe pse i pata disa tentativa sporadike projektesh në strip (si skenarist me një vizatues kolumbian, ose si autor komplet me një revistë spanjolle) hoqa dorë prej tyre sepse tirazhet që parashiheshin nuk më dukeshin tërheqëse. Nuk ishte problemi material, nuk kërkoja honorarë të lartë, por dëshiroja që ajo që punoja të mbërrinte te një numër substancial i lexuesve. Në vitin 2005, në bashkëpunim me kritikun e jazz-it të së përditshmes kryesore spanjolle “El País” e krijuam një koleksion të librave-hibride: strip biografik mbi një figurë të rëndësishme muzikore, tekste kritike dhe recensione, dhe nga dy CD me përpilime të veprave të zgjedhura të këtyre personaliteteve. Fatkeqësisht, logjistika doli goxha e mangët, por puna ime e tërhoqi vëmendjen e mediave spanjolle (shtypi, televizioni, radiot), por edhe atë të botuesve francezë që më ftuan të këthehesha. Por tash me propozimet e mia, me tema që unë dëshiroja t`i trajtoj.

Albinfo.ch:  E mësuat shpejt gjuhën apo e keni pasur të njohur më parë? Kur e them këtë, mendoj për përkthimin që gjatë kësaj kohe i keni bërë në spanjishte një shkrimtari kaq kompleks si Danilo Kish!

Gani Jakupi: Spanjishten e kam folur ende pa shkuar në Barcelonë. Për herë të parë e kam pas mësuar në Budapest, nga e bija e ish ambasadorit hungarez në Havanë. Leksionet i pata vazhduar me disa vallëzues të flamengos në Angli, e kështu më tutje. Por, ta flasësh një gjuhë, e ta aplikosh atë në krijime letrare, janë dy nocione jashtëzakonisht të largëta. Edhe pse shkruaja sinopsise e skenarë në spanjisht pa problem, nuk e ndieja veten të aftë për t`iu qasur letërsisë. Kur filloi lufta e Kosovës, ftohesha pa ndërpre nga mediat spanjolle, e sa më tepër ngrihej niveli i debateve, më të mëdha bëheshin kërkesat e programuesve. Në disa aspekte, Spanja nuk është kulturalisht aq progresiste si, të themi, Franca. Që të dukem më “serioz” përball sfidave me intelektualë dhe politikanë të ndryshëm, më propozuan që të vendosin tjetër profesion në teletipet e prezantimit (deri atëherë isha ilustrues dhe dizajner grafik). Por unë kur nuk kam pranuar të vishja identitete falso. Kështu që brenda disa muajve i hyra intensivisht perfeksionimit të spanjishtes letrare, derisa ia arrita që të ma botojnë tregimin e parë në një revistë letrare. Po flas për një vepër fiksioni, se shkrime politike botoja gjithë kohën. Nga ky moment filluan të më prezantonin si “shkrimtar dhe gazetar shqiptaro-kosovar”. Më në fund e botova edhe romanin e parë spanjisht, “Día de gracia”, që në të vërtetë e kam pas shkruar fillimisht në frëngjisht.

Sa i përket përkthimeve, kam bërë edhe të tjera, por ai me të cilin jam më i kënaqur është “Mansarda” e Danilo Kishit. Për shkak të kualiteteve të veprës, por edhe sepse ky roman ka qenë i përkthyer më parë, por kritika letrare nuk e ka pas vlerësuar veçanërisht. Përkthimi, tash për tash ka mbetur definitiv.

Albinfo.ch:  Cilat kanë qenë lidhjet që gjatë kësaj kohe i keni mbajtur me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithësi? Keni pasur kontakte me artistët, krijuesit e atjeshëm?

Gani Jakupi: Që nga hyrja e trupave të NATO-s, unë kam udhëtuar rregullisht në Kosovë, nga disa herë në vit. Kam sjellë ndihma përmes OJQ-ve, kemi ndihmuar  ndërtime shkollash e banesash, kemi financuar shtëpi botuese, media, ndihmuar shoqërinë civile, etj. Në vitin 2000, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit, e kam organizuar një dyjavësh të kulturës kosovare në Barcelonë, ku kam ftuar letrarë, aktivistë, fotografë, muzicientë të jazzit dhe të muzikës klasike, kam organizuar ekspozita, debate, koncerte dhe prezantime filmike. Nga ana tjetër, jam lidhur me shumicën e intelektualëve kosovarë, kam bashkëpunuar me shtypin, e edhe kur e lash gazetarinë, vazhdova bashkëpunimin me revista katallane në temat lidhur me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Intervenimin e mbramë e kam bërë në një moment simbolik: e kam shkruar kolumnën editoriale për një mujore politike barceloneze me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Nga ai moment e tutje, kam hequr dorë nga ky aktivitet. Në Kosovë ka tash më shumë analistë politikë se sa inkasantë të rrymës, munden bile edhe me eksportue. Nuk kanë nevojë për mua.

Shpresoj të kontribuoj më tepër në lëmin e kulturës. KOHA e ka nxjerr “Imazhin e fundit” (fillimisht i botuar në frëngjishte si “La dernière image”), duke qenë kështu romani i parë grafik në gjuhën shqipe. Së shpejti përgatitet ribotimi i një strip-reportazhi tim, zhanër goxha i ri në botën perëndimore, e në të cilin (zhanër) unë kam fituar tashmë një mirënjohje të caktuar. Dëshiroj që artistëve shqiptarë t’iu prezantojë rrugë krijuese alternative, duke shpresuar që kjo do t’i inspirojë dhe nxisë për t` iu qasur edhe ata vet.

Albinfo.ch: Në vitin 1999 keni qenë si gazetar në Kosovë dhe nga kjo kohë ka dalë romani juaj grafik “Kthimi në Kosovë”. A na tregoni diçka nga përshtypjet tuaja të asaj periudhë?

Gani Jakupi: Mund ta merrni me mend se sa e dhimbshme është kur punoni në një temë e cila përfshin vrasjen e anëtarëve të familjes suaj! Por edhe niveli i përgjegjësisë, sepse deontologjia gazetareske kërkon që rezultati të jetë objektiv e jo militant apo anues. Duket se ia kam dalë deri në një masë, sepse në fillim të intervistës për të përditshmen “Le Monde”, gazetari më pati përgëzuar për objektivitetin tim.

“La dernière image” gjendet pothuajse në të gjitha bibliotekat publike franceze, dhe pandërprerë më ftojnë nëpër festivale të stripit, literaturës ose filmit për të dhënë konferenca në lëmin e rrëfimit dokumentar. Romani grafik  “Retour au Kosovo”, për të cilin e kam shkruar skenarin ndërsa e ka vizatuar grafisti argjentinas më i mirë në këtë moment, Jorge González, është përkthyer edhe në italisht, spanjisht e rusisht. Botuesi rus e ka cekur në parathënie mospajtimin me mënyrën si unë e prezantoj intervenimin ndërkombëtar në Kosovë, por thotë se i është qasur botimit sepse “trajtimi i temës nga Jakupi e ka nji dimension human të jashtëzakonshëm”.

Albinfo.ch:  Pastaj vjen muzika, xhazi. Si lindi kjo te ju? E kishit brenda vetes edhe më parë, kishit të kryer ndonjë shkollim muzikor?

Gani Jakupi: Gjithmonë e kam dashur muzikën, por e praktikoja si autodidakt dhe si amator, sepse nuk kam formacion adekuat akademik. Kur më në fund ia pata filluar t’i qasesha seriozisht, nuk kisha pretendime të posaçme. Isha i kyçur në mjedisin jazz të Barcelonës, dhe vetëm doja t`i bashkoja disa shokë që do të interpretonin kompozimet e mia. Një takim i rastësishëm me Latin Jazz pianistin më të mirë në Spanjë, José Reinoso (nga Uruguaji), i ndryshoi të gjitha. Mbasi i dëgjoi demo inçizimet, më ftoi në studion e tij, dhe më lidhi me disa nga muzicientët më të mirë të skenës së Barcelonës. Disa ishin me prejardhje nga Brazili, Venezuela, Moldavia, Zvicra, Argjentina… Nga ana ime, incizova disa tema me miqtë nga Prishtina, si: Ilir Bajri, Armend Xhaferi, Visar Kuçi dhe Teoman Ukqa. Aranzhimet dhe drejtimi i incizimeve të muzicientëve të nivelit aq të lartë ishin ngarkesë e madhe për mua, ashtu që as nuk mendova të inkuadrohesha në to. Rezultati: albumi Aldea (2012), i tejkaloi të gjitha pritjet e mia. Mora kritika të mira nga shtypi e radiot e specializuara franceze dhe spanjolle. Radio Montreali i Kanadasë ma kërkoi një ekzemplar për prezantim dhe për arkivat e veta. Më vonë, muzika ime u prezantua në radiot e Miami (USA), Buenos Aires (Argentina), e gjetiu.

Dy vjet më vonë vendosa ta formoja një kuintet me interpretët vijues: Marcelo Mercadante, bandoneonisti më i mirë argjentinas në Spanjë; Manuel Martínez del Fresno, violonçelist i Operës së Barcelonës, që kishte bashkëpunuar edhe me Robert Plant e Jimmi Page (Led Zeppelin), të cilin më vonë e zëvendësoi violonçelistja e re dhe shumë e talentuar Cèlia Torres; Jorgi Gaspar, kontrabasist barcelonez që ka përcjell yjet spanjolle si Joan Manuel Serrat, Ferràn Savall (i biri i Jordi Savall-it), ose amerikanët John Abercrombie, John Zorn e të tjerë; daullisti më i mirë kosovar, Nesim Maxhuni, dhe unë në kitarë. Gjatë një darke me trompetistin franko-katallan Raynald Colóm, ky kërkoi t`i dëgjonte incizimet e mia, dhe e shprehu dëshirën për të marrë pjesë në projekt. Kush do ta refuzonte instrumentistin që katër vjet me radhë ka qenë shpallur si trompetisti më i mirë në Spanjë, dhe konsiderohet si njëri prej më të mirëve n’Europë?! Kështu që tashmë veprojmë si sekstet.

Për albumin vijues, Kismet (2014), gjithashtu ftova mysafirë: nga Turqia, Irani, Greqia, India, dhe mikun tim të mirë kosovar, Armend Xhaferin. Gati askush nuk e di se ky kitarist i famshëm është gjithashtu edhe interpret i spikatur i udit arab- kurrë nuk e ka përdorur publikisht këtë instrument përpos në albumet e mia! Për shkak të obligimeve me romane grafike, i kam refuzuar të gjitha ftesat për performime publike, deri në 2016, kur i dhamë dy koncerte në Shqipëri (Tiranë e Durrës), dhe dy sesione në Barcelonë. Për fund të këtij viti parashohim edhe një koncert në Spanjë e dy në Francë (Limoges). Ndërsa, duke filluar nga viti 2018 planifikojmë t`i përkushtohemi më tepër muzikës.

albinfo.ch: Mund t`i përmendni ndoshta disa nga krijimet tuaja në këtë fushë dhe një prezantim të shkurtë të grupit që e drejtoni “Gani Jakupi Connections”.

Gani Jakupi: Më vjen vështirë të bëj dallime mes veprave të mia. Kontrabasisti im më ka thanë se nuk beson se ndonjëherë do ta tejkaloj në bukuri melodinë e baladës “Novembro”, të kënduar nga brazilianja Anna Luiza Bonfím. E kam vënë re se qoftë me muzicientët e mi të zakonshëm, qoftë me mysafirë, kur dalim nga provat, zakonisht dikush e fishkëllen temën kryesore të pjesës “Kismet”. Në koncertet barceloneze, publiku ka shfaqur admirim për versionin orkestral të “Transparent House” (të cilin në albumin Aldea e interpretojnë kosovarët Xhaferi – Kuçi – Ukqa). Personalisht, jam emocionalisht i lidhur me kompozimin “Despedida”, të cilën ia kam kushtuar prindërve të mi të ndjerë.

Albinfo.ch: Diçka rreth pjesëmarrjes suaj në aktivitetin që do të zhvillohet javën që vjen në Zvicër. Me çfarë krijimesh do të prezantoheni dhe çka do të thotë kjo pjesëmarrje për Ju?

Gani Jakupi: Do të ketë një prezantim dhe bisedë me publikun në Universitetin e Gjenevës, diçka të ngjashme edhe në Delémont. Gjithashtu do të ekspozohen origjinalet nga romanet i mia grafike, me theks të posaçëm në “La dernière image / Imazhi i fundit”. Natyrisht, mysafirët do të gjejnë ekzemplarë të këtyre dy librave si dhe të veprave të tjera, po edhe të CD-ve Aldea dhe Kismet. Ideja kryesore e këtij organizimi është vendosja e kontaktit me diasporën kombëtare në Zvicër.

Kreshnik Ibrahimi shfaq komedinë “Gurbetçari” në teatrin e Munihut

I njohur për rolet e tij të shumta, aktori Kreshnik Ibrahimi prej gjashtë muajsh është shpërngulur për të jetuar në Munih të Gjermanisë.

“Ramushi i vogël”, siç njihet në opinion, më të mbërritur në mërgim ka filluar punën për të sjellë projektin e tij të parë para publikut shqiptar të diasporës. Të dielën, më 9 prill, në Bürgerhaus Gräfelfing të München-it nga ora 20.00 do të shfaqet me stand –up komedia “Gurbetçari”.

“Është një ide e kamotshme që në diasporë të sjell diçka ndryshe, një stand-up komedi. Duke qenë që tashmë edhe vetë jam gurbetçar, si të gjithë bashkatdhetarët e mi, vendosa të sjell pikërisht këtë komedi që flet shqip, e cila do të jetë e para që do të shfaqet në skenën e këtij teatri gjerman”, thotë Kreshniku për albinfo.ch, duke shtuar se skenari është punuar në bashkëpunim me aktorin Simon Tanushi, ndërsa regjia nga vetë ai. Kreshiku shprehet se komedia do të zgjatë afërisht një orë, ku do të këtë situate të shumta humori, të cilat do të servohen nga ai përmes 15 personazheve artistike. “Qëllimi im dhe i gjithë stafit tim ka qenë që publikut shqiptar t’i sjellim një natë ndryshe, pra të qeshim të gjithë së bashku. Të qeshim me realitetin tonë të gurbetçarit që është sa i bukur, aq edhe i hidhur nganjëherë. Dhe, në fund qëllimi kryesor është që teatri gjerman të flasë dhe të duartrokasë shqip”, pohon ai. Aktori Ibrahimi pret nga diaspora shqiptare që të jenë në numër sa më të madh për ta përkrahur atë, por edhe për të kaluar një natë të paharruar. Ai mendon se pas premierës në Munih, ta shfaqë këtë komedi edhe në vende dhe shtete të tjera, ku jeton diaspora shqiptare.

Soprano shqiptare mahnit publikun në Firencë

Soprano shqiptare, Dioklea Hoxha ka debutuar në skenën e operës në Firencë të Italisë. Ajo në rolin e Paminës ka luajtur në shfaqjet “Piramida e Dritës” nga “Fyelli Magjik” i Mozartit, raporton albinfo.ch.

Debutimi i saj ka marrë shumë vlerësime pozitive, derisa shfaqja do të vazhdojë në qytetin italian deri më 7 prill në dy termine.

Ajo ka performuar së bashku 900 fëmijë nga shkollat e Firencës. Pikërisht qëllimi i shfaqjes ka qenë lidhja e fëmijëve dhe Teatrit të Operës në Firencë.

Ajo është shprehur e lumtur për debutimin dhe me përkrahjen që i kanë dhënë. “Jam e lumtur që kam edhe përkrahjen e vendit tim, ju kam në zemër”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Megjithatë, ajo nuk e ka ndërmend të ndalet dhe sipas “opusalb.com”, pritet që të performojë edhe në Teatrin e Operës në Tiranë, një ide të cilën e ka përkrahur edhe sopranoja nga Prishtina.