Kosova

VV-ja paralajmëron procedimin në Kuvend të Projektligjit për Referendum

Deputetja Albulena Haxhiu tha se kjo kushtetutë ishte kompromis e jo shprehje e vullnetit demokratik. “Përgjatë këtyre viteve, e kemi ndjerë edhe në praktikë se sa koncesione të dhimbshme u përbrendësuan në kushtetutë"

Lëvizja Vetëvendosje, në 10-vjetorin e themelimit të kushtetutës së Kosovës, ka thënë se për një dekadë, akti më i lartë juridik i vendit është shkelur pikërisht nga ata që thirren në kushtetutë.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se kjo kushtetutë ishte kompromis e jo shprehje e vullnetit demokratik. “Përgjatë këtyre viteve, e kemi ndjerë edhe në praktikë se sa koncesione të dhimbshme u përbrendësuan në kushtetutë. Sa herë përpiqemi për ndryshime kushtetuese, që kanë për qëllim shprehjen e vullnetit të qytetarëve, dalin pengesa me të drejtën e vetos, që shpesh po duket si diktaturë e pakicës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo më tutje ka bërë të ditur se Vetëvendosje, brenda kësaj jave, do ta procedojë në Kuvend projektligjin për referendum.

Ndërkohë, deputeti tjetër Sami Kurteshi ka numëruar një për një shkeljet që, sipas tij, i kanë bërë deputetët për periudhën 10-vjeçare.

Sipas tij, kushtetuta u shkel kur deputetët synonin pensione suplementare pas mandatit, miratimi i platformës për bisedime me Serbinë, votimi i gjykatës speciale, zgjedhja e presidentëve Pacolli e Thaçi dhe votimi i demarkacionit.