Kosova

Vuçiq i shqetësuar për Kosovën  

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është i shqetësuar në prag të nisjes së zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave.

Me këtë vendim, të datës 29 qershor, të gjitha makinat me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, duhet të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës.

Automjete me targa të tilla – rreth 10.000 – qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

“Jam i shqetësuar dhe do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha të enjten Vuçiq, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.