Lajme

Vota e emigrantëve, dy modele për krijimin e listës së votuesve nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri bëri publike dy modele për krijimin e listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në zgjedhjet e 25 prillit

Me afatet të cilat po ngushtohen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon për krijimin e regjistrit të diasporës për zgjedhjet e 25 prillit.

Identifikimi i adresës së shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit së Shqipërisë, sipas variantit zyrtar të KQZ-së do të realizohet nëpërmjet vetëdeklarimit on-line. Për këtë qëllim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri publike dy modele  për krijimin e listës  së zgjedhësve që  votojnë nga jashtë vendit, raporton Tch, përcjell Albinfo.ch.

Opsioni i parë parashikon regjistrimin përmes portalit e-Albania, ku emigrantët  deklarojnë të dhënat personale, bashkë me numrin e identifikimit dhe adresën e vendbanimit të përhershëm. KQZ në bazë të dhënave të regjistrit kombëtar të gjendjes civile evidenton shtetasit, të cilët e kryen regjistrimin, ndërkohë pas kësaj procedure, emigranti që ka deklaruar adresën dërgon kërkesën për të votuar nga jashtë, nëpërmjet shërbimit online të KQZ-së.

Varianti i dytë parashikon që pranë KQZ-së të ngrihet një sistem i posaçëm për regjistrimin dhe administrimin e kërkesave nga shtetasit shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë vendit. Ky sistem do  t’u kërkojë emigrantëve të dhënat identifikuese, si pasaporta apo karta e ID-së. Në mënyrë opsionale mund të kërkohen edhe të dhëna që provojnë se ai është në emigracion, si leja e qëndrimit apo kontrata e punësimit. Edhe kjo mënyrë parashikon detyrimin për regjistrimin e vendbanimit pranë Drejtorisë së Gjendjes Civile.

Të dyja variantet e propozuara për krijimin e listës së votuesve nga jashtë vendit parashikojnë që të gjitha procedurat të mbyllen brenda mesit të muajit mars. Regjistrimi i adresës së vendbanimit të përhershëm në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kërkesa pranë KQZ-së për pajisjen me dokumentacion janë dy kusht, pa të cilat emigrantët nuk mund të bëhen pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit.