Lajme

Vlerat ushqyese të orizit

Sallatë me oriz

Orizi është baza e ushqimit për më shumë se gjysmën e popullsisë në botë. Por, edhe ne shqiptarët, në fakt, e njohim mirë pasi e kemi përdorur atë rëndom në receta të ndryshme e sidomos në tavë me pulë.

Orizi bën pjesë në grupin e brumërave dhe ka përqindje të lartë karbohidratesh (sheqeri), të cilat ofrojnë 85% të kalorive të tij.

Kualiteti proteinik është më i lartë se te gruri apo misri. Por, cilin tip orizi duhet të zgjedhin njerëzit për konsum, pasi jo të gjitha llojet e orizit i ofrojnë këto të mira?

Janë dy lloje orizi më të përdorur, por pakkush e di se cili është më i shëndetshëm.

Sipas dietologes, njëri lloj është orizi kaf, të cilit i është hequr vetëm lëvozhga e patretshme dhe i është lënë pjesa e brendshme e saj me ngjyrë kafe. Lënia e kësaj lëvozhge e bën atë shumë më të ushqyeshëm se orizin e bardhë pasi ajo është e pasur në vitamina dhe fibra bimore.

Ndërsa lloji tjetër i orizit është pikërisht ky i bardhi, që është orizi i zakonshëm i pastruar nga lëvozhgat. Ky oriz, sipas dietologes, është shumë i varfër në proteina, në fibra bimore, dhe nuk përmban vitaminë B1, çka do të thotë se nga vlerat ushqyese është shumë më inferior se orizi ngjyrë kaf.

Megjithatë orizi nuk ka vetëm vlera, por mund të shkaktojë edhe sëmundje. Dietologia e nis argumentimin pikërisht nga vitamina B1, e cila ndodhet vetëm në lëvozhgën e orizit. Me zhvillimin e teknologjisë, sipas dietologes, u bë e mundshme heqja e lëvozhgës së orizit dhe njerëzit filluan të preferonin orizin e bardhë ndaj atij kaf. Ky proces largoi edhe vitaminën B1 ose ndryshe Thiaminen, mangësia e së cilës shkakton një sëmundje të zemrës dhe të sistemit nervor.