Lajme

Trump: Ngushticës së Hormuzit do t’i vë emrin tim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka mbrojtur sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane teksa tha se pa ndërhyrjen e SHBA-së, Irani mund të kishte siguruar armë bërthamore, ndërsa la të hapur mundësinë për goditje të tjera.

Trump iu rikthye edhe deklaratave të tij të pazakonta për emrat gjeografikë. Ai tha se Ngushtica e Hormuzit mund të quhej “Ngushtica e Trumpit” dhe sugjeroi që New Mexico të riemërtohej “New America”.

Tutje, ai ka bërë një premtim të bujshëm gjatë konventës së republikanëve në Dallas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e mesmandatit.

Ai ka deklaruar se, nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, çdo i rritur amerikan do të përfitojë një “dividend” prej 5 mijë dollarësh. Sipas tij, paratë duhet të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara, transmeton albinfo.ch.

Trump u bëri thirrje amerikanëve të votojnë për republikanët, duke e paraqitur garën si vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të rrezikonte politikat e tij për kufijtë, taksat, sigurinë dhe ekonominë.