Politikani zviceran Thomas Aeschi ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij për Këshillin Federal të Zvicrës, duke synuar të pasojë Guy Parmelinin, i cili ka paralajmëruar largimin nga qeveria në fund të vitit, përcjell albinfo.ch.
Aeschi, 47 vjeç, është kryetar i grupit parlamentar të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) dhe deputet në Këshillin Kombëtar nga kantoni Zug.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “SonntagsBlick”, ai ka deklaruar se është i bindur që përvoja e tij politike dhe profesionale e ka përgatitur për marrjen e përgjegjësive në qeverinë federale.
Politikani ka shprehur interes të veçantë për drejtimin e Departamentit Federal të Drejtësisë dhe Policisë, i cili aktualisht drejtohet nga këshilltari federal Beat Jans. Sipas Aeschit, në fushën e azilit dhe migracionit ekzistojnë probleme që kërkojnë zgjidhje.
Partia kantonale e SVP-së në Zug e kishte propozuar Aeschin si kandidat më 23 tetor, por ai nuk kishte konfirmuar menjëherë nëse do ta pranonte kandidaturën.
Aeschi ka shpjeguar se, përpara marrjes së vendimit, kishte zhvilluar bisedime me familjarë, miq dhe përfaqësues të partive të ndryshme politike.
Kjo nuk është hera e parë që ai synon një vend në qeverinë zvicerane. Në vitin 2015, Aeschi kishte kandiduar për Këshillin Federal, por në atë kohë ishte zgjedhur Guy Parmelin.
Aktualisht, tetë kandidatë nga SVP-ja janë paraqitur për të pasuar Parmelinin. Grupi parlamentar i partisë pritet të vendosë më 20 nëntor se cilët kandidatë do t’i propozojë zyrtarisht për zgjedhjet e 9 dhjetorit.
Vendimi përfundimtar për anëtarin e ri të Këshillit Federal do të merret nga Asambleja Federale e Zvicrës.