Gjykata Supreme Federale e Zvicrës ka vendosur njëzëri se marrëdhënia romantike mes dy gjyqtarëve federalë, Yves Donzallaz dhe Béatrice van de Graaf, përbënte bashkëjetesë afatgjatë dhe ishte në kundërshtim me ligjin zviceran.
Sipas nenit 8 të Ligjit për Gjykatën Federale, personat që bashkëjetojnë në mënyrë afatgjatë nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht detyrën e gjyqtarit në këtë institucion.
Vendimi mund të ketë pasoja në rreth 15 raste gjyqësore, për të cilat janë paraqitur kërkesa për rishqyrtim për shkak të marrëdhënies mes dy magjistratëve. Ndër rastet që mund të preken është edhe ai i Erwin Sperisenit, ish-shefit të policisë së Guatemalës, i dënuar në Gjenevë për bashkëpunim në vrasje.
Gjykata Federale tashmë ka pranuar një kërkesë për rishqyrtimin e një vendimi në një rast vrasjeje në kantonin e Lucernës.
Gjatë seancës, gjyqtari Yves Donzallaz kritikoi mënyrën se si institucioni e kishte trajtuar këtë çështje, duke pretenduar se ajo ishte shndërruar në një proces politik dhe se synimi kishte qenë krijimi i një skandali. Ai kundërshtoi edhe pezullimin e tij nga detyra dhe pretendoi se i ishte shkelur e drejta për t’u dëgjuar.
Çështja mund të ndikojë edhe në rizgjedhjen e dy gjyqtarëve, e paraparë për muajin dhjetor. Ndërkohë, është hapur procedurë lidhur me mundësinë e mosrizgjedhjes së tyre.