Skip to content

Cassis për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Nuk është vendim politik, Zvicra i pranon vendimet e gjykatave

Shefi i diplomacisë zvicerane ka theksuar se Zvicra mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe respekton vendimet e gjykatave, duke mos komentuar përmbajtjen e tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka komentuar vendimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se ai duhet kuptuar si vendim gjykate dhe jo si vendim politik, transmeton albinfo.ch.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis është pyetur për vendimin që lidhet me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në përgjigjen e tij, kryediplomati zviceran ka theksuar se vendi i tij mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe pranon vendimet e tyre, duke vlerësuar se nuk i takon të komentojë përmbajtjen e vendimeve gjyqësore.

“Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton këto vendime. Sepse është vendim i gjykatës dhe nuk është vendim politik, prandaj Zvicra i pranon këto vendime”, ka deklaruar Cassis.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë qenë në qendër të vëmendjes publike në Kosovë, duke nxitur reagime dhe diskutime të shumta.

Ndër shqetësimet e ngritura në Kosovë gjatë procesit kanë qenë edhe çështjet që lidhen me transparencën dhe trajtimin e provave të paraqitura në gjykatë./Albinfo.ch