Skip to content

Cassis: Marrëdhëniet Zvicër–Kosovë janë të shkëlqyera, rreth 500 mijë persona me prejardhje kosovare jetojnë në Zvicër

Shefi i diplomacisë zvicerane ka vlerësuar lidhjet e fuqishme ndërmjet dy vendeve, duke paralajmëruar një fazë të re të bashkëpunimit ekonomik nga viti 2029 dhe duke konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Cyrih.

Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, i ka cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, duke theksuar historinë e gjatë të bashkëpunimit dhe lidhjet e fuqishme njerëzore që janë krijuar ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, Cassis ka deklaruar se kjo është vizita e tij e parë në Prishtinë si anëtar i Qeverisë zvicerane, duke shprehur kënaqësinë për realizimin e saj.

Ai ka rikujtuar se Zvicra ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, ndërsa si një prej faktorëve kryesorë të afërsisë ndërmjet dy shteteve ka veçuar diasporën kosovare.

Sipas Cassis, rreth 500 mijë persona me prejardhje nga Kosova jetojnë në Zvicër, një komunitet që përbën pothuajse 10 për qind të popullsisë së përgjithshme të vendit.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare, ose të paktën vijnë nga kjo trevë. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë”, ka deklaruar Cassis.

Ai ka përmendur edhe lidhjen e komunitetit kosovar me futbollin zviceran, duke e cilësuar diasporën si një urë të rëndësishme ndërmjet dy shoqërive.

Në fjalën e tij, Cassis ka rikujtuar edhe vizitën shtetërore të ish-presidentes Vjosa Osmani në Zvicër, në mars të vitit të kaluar, duke e vlerësuar atë si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe.

Një tjetër zhvillim që ai ka veçuar është pjesëmarrja e Kosovës në samitin e dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, ministri zviceran ka theksuar se Zvicra është e pranishme në Kosovë që nga viti 1998, fillimisht përmes ndihmave humanitare, të cilat më pas u shndërruan në një partneritet afatgjatë, transmeton albinfo.ch.

Ai ka bërë të ditur se Programi i Bashkëpunimit Zviceran për periudhën 2026–2029 është në zbatim, me një buxhet prej afro 20 milionë frangash në vit. Programi synon të mbështesë reformat në Kosovë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian.

Sipas Cassis, nga viti 2029 bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve pritet të hyjë në një fazë të re, me fokus të shtuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet, tregtinë dhe krijimin e vendeve të punës.

Në këtë kontekst, ai ka veçuar edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, e cila, sipas tij, krijon mundësi të reja për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, veçanërisht në sektorin e shërbimeve.

Cassis ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (ICT), si një prej fushave ku Zvicra dhe Kosova tashmë kanë marrëdhënie të zhvilluara./Albinfo.ch