Evropa është përballur për të tretën ditë gjatë kësaj jave me një valë alarmesh të rreme për bomba në avionët e pasagjerëve. Sipas autoriteteve dhe kompanive ajrore, incidentet e raportuara më 5 nëntor kanë prekur kryesisht fluturimet drejt ose nga Bullgaria, Republika Çeke dhe Italia, si dhe disa kompani ajrore me kosto të ulët, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.
Forcat ajrore të Italisë, Francës dhe Bullgarisë janë mobilizuar për të shoqëruar avionët e pasagjerëve dhe për të garantuar uljen e tyre të sigurt. Deri në momentin e raportimit, të gjitha fluturimet e prekura kishin përfunduar pa incidente serioze dhe kontrollet nuk kishin zbuluar lëndë shpërthyese.
Një nga rastet më të spikatura ishte fluturimi i kompanisë Aer Lingus nga Dublini drejt Romës, i cili u devijua drejt një baze ushtarake në Évreux, në perëndim të Parisit. Avioni u shoqërua nga aeroplanë ushtarakë francezë, ndërsa autoritetet ndërmorën kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Një tjetër fluturim, i kompanisë Finnair, nga Helsinki drejt Romës, u shoqërua nga avionë luftarakë italianë deri në aeroportin Fiumicino. Pas uljes, ekspertët e sigurisë kontrolluan avionin, por nuk gjetën asgjë të dyshimtë.
Edhe Bullgaria u përball me tri kërcënime ndaj avionëve të kompanisë Ryanair që udhëtonin nga Madridi, Kopenhaga dhe Londra drejt Sofjes. Dy avionë u ulën në destinacionin e planifikuar, ndërsa fluturimi nga Londra u devijua drejt aeroportit të Plovdivit. Të tre avionët u kontrolluan dhe nuk u gjetën eksplozivë.
Ndërkohë, kompania Wizz Air u detyrua të devijonte një fluturim nga Milano drejt Varshavës për në Vjenë, ndërsa autoritetet çeke aktivizuan protokollet e sigurisë pas kërcënimeve ndaj katër avionëve që udhëtonin drejt Pragës.
Sipas raportimeve, gjatë kësaj jave janë regjistruar mbi 20 kërcënime të tilla në fluturimet evropiane, prej të cilave të paktën shtatë kanë prekur kompaninë Ryanair.
Autoritetet evropiane po përpiqen të identifikojnë burimin dhe motivet e këtyre kërcënimeve. Megjithëse incidentet kanë ngritur shqetësime për mundësinë e veprimeve të koordinuara që synojnë destabilizimin e transportit ajror, deri tani nuk është konfirmuar se kush qëndron pas tyre. Kjo valë alarmesh ka shkaktuar ndërprerje të operacioneve në disa aeroporte, devijime fluturimesh dhe mobilizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë, duke rikthyer vëmendjen te siguria e transportit ajror në Evropë.