Skip to content

Thirrje për vaksinim për mbrojtje nga fruthi

Në njoftimin e Institutit është thënë se 95 për qind e rasteve me fruth janë regjistruar te personat e pavaksinuar

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje prindërve që të sigurohen që fëmijët e tyre të vaksionohen për mbrojtje nga fruthi.

Vitia në një video-adresim në Facebook ka thënë se fruthi është rikthyer dhe se kjo situatë kërkon vëmendje, përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme.

“Të dashur prindër, fruthi është rikthyer në vendin tonë, sëmundje që mund të shkaktojë komplikime dhe shumë telashe shëndetësore. Kjo situatë kërkon vëmendjen, përgjegjësinë dhe angazhimin e përbashkët të të gjithëve për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të kësaj sëmundjeje, lehtë të parandalueshme me vaksinim të rregullt, siç e kemi bërë me gjenerata.   Institucionet tona shëndetësore tash e sa muaj janë duke monitoruar nga afër situatën epidemiologjike. Po ashtu po merren të gjitha masat e nevojshme duke u kujdesur për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, e veçanërisht të fëmijëve tanë. Vaksinimi është mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga fruthi.   Prandaj, të dashur prindër, ju lutem që të kontrolloni statusin e vaksinimit të fëmijëve tanë dhe të sigurohemi që ata të jenë të vaksinuar”, ka thënë Vitia.

Në përditësimin e fundit të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë është thënë se nga 16 prilli deri më 11 tetor janë regjistruar 203 raste me fruth, ndërsa prej tyre 17 janë regjistruar gjatë javës së fundit. Në njoftimin e Institutit është thënë se 95 për qind e rasteve me fruth janë regjistruar te personat e pavaksinuar.