Skip to content

Tjetër akuzë ndaj Presidentit të FIFA-s

E përditshmja ‘Le Monde’ denoncon se FIFA në vitin 2025 mori me qira një zyrë ‘fantazmë’ në Trump Tower për rreth 4 milionë euro për 7 vitet e ardhshme

Në muajin qershor e përditshmja ’New York Times’ publikoi një artikull për shkëmbime të mundshme favoresh mes presidentit të SHBA, Donald Trump dhe atij të FIFA, Gianni Infantino. Por tani në Francë, mediat transalpine shkuan edhe më tej në lidhje me këtë çështje duke zbuluar edhe shifrat.

E përditshmja  ‘Le Monde’ denoncon se FIFA në vitin 2025 mori me qira një zyrë ‘fantazmë’  në Trump Tower për rreth 4 milionë euro për 7 vitet e ardhshme.

Shifra konkrete mësohet se është 3.19 milionë euro për katin e 17 me një sipërfaqe 450 m2 që në pjesën më të madhe është bosh dhe sipas të përditshmes franceze, kjo marrëveshje tregon lidhjen e ngushtë mes Infantinos dhe Donald Trump.

Sipas dokumenteve të papublikuara më parë tek të cilat ‘Le Monde’ kishte akses, FIFA ra dakord që duke nisur nga qershori i 2025 të paguajë këtë shifër, kompanisë me seli në Nju Jork dhe që drejtohet nga djali i presidentit të SHBA, Eric Trump. Kontrata u nënshkrua nga 4 anëtare të Këshillit Administrativ në maj të 2025 ku në krye ishte firma e sekretarit të përgjithshëm Mattias Grafstrom.

Gjithnjë sipas artikullit të ‘Le Monde’, nuk ka personel të FIFA në këto ambiente dhe se shumica e stafit nuk ishin në dijeni të kësaj marrëveshje për hapësirën në Trump Tower ku Gianni Infantino ka zyrën e tij.

Me një akord deri në 2032 me Trump Tower, nëse FIFA do të dojë të zgjidhë kontratën e qirasë, do të mund ta bëjë këtë vetëm në fund të një periudhe 5 vjeçare dhe 7 muaj nga data e  hyrjes në fuqi. Për më tepër, sipas dokumenteve, parashikohet edhe një njoftim 12 muaj para dhe parapagesa e një shume që është e barabartë me 6 muaj qiraje. Gjithnjë sipas të njëjtave dokumente që ka siguruar ‘Le Monde’, FIFA nuk ka vizituar ambiente të tjera dhe as nuk ka shqyrtuar oferta konkurruese nga kompani të tjera përpara se të zgjidhte Trump Tower si seli përfaqësuese, ndryshe nga sa kishte vepruar në Majami.

Në dritën e këtyre fakteve, disa anëtarë të administratës së FIFA-s thuhet se kanë shprehur shqetësimin për marrjen me qira të zyrës, duke ngritur dyshime për një konflikt të mundshëm interesi dhe duke vënë në dukje se procedura e ndjekur nuk ishte në përputhje me praktikën e zakonshme.