Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt am Main është pritur një grup studentësh shqiptarë nga “Frankfurt School of Finance & Management”, ku është diskutuar për mundësitë e angazhimit të të rinjve në projekte që lidhen me zhvillimin e vendit, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit, gjatë takimit me Konsullin e Përgjithshëm është biseduar për krijimin e platformave të bashkëpunimit dhe rrjetëzimit të studentëve, me qëllim shfrytëzimin e njohurive dhe përvojave të tyre profesionale në nxitjen e ideve dhe projekteve konkrete për Kosovën.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe roli i diasporës shqiptare, e cila po dëshmon gjithnjë e më shumë sukses në fusha të ndryshme akademike dhe profesionale në arenën ndërkombëtare.
Konsullata ka vlerësuar angazhimin e studentëve dhe ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së tyre në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e vendit./Albinfo.ch