Kosova

Stoltenberg u kërkon Kurtit e Vuçiqit të përmbahen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me situatën aktuale në veri të Kosovës.

Përmes një postimi në Twitter, Stoltenberg thotë se u ka kërkuar të dyja palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara. NATO mbetet vigjilente”.

Edhe Bashkimi Evropian u bëri thirrje të hënën Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një zgjidhje, siç u tha, evropiane, për të zbutur tensionet në terren, pasi përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës braktisën institucionet e vendit, pas mospajtimeve rreth vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.