Sport

Statistikat e Evropianit

Në këtë Evropian për herë të parë morën pjesë 24 Kombëtare, derisa debutuan katër Përfaqësuese, në mesin e tyre edhe Shqipëria

“Euro 2016” është pa diskutim një nga Evropianët më të çuditshëm, më konkurruesit dhe sigurisht nga më befasuesit. Ndryshimi i formatit i hapi udhën disa ekipeve të vogla, si Shqipëria, Islanda etj, të debutonin për herë të parë në një kompeticion të tillë, shkruan albinfo.ch.

Ëndrra nuk përfundoi vetëm me pjesëmarrjen, disa ekipe thyen çdo parashikim të mundshëm, duke qenë pjesë e fazës me eliminim të drejtpërdrejtë, madje historia e “hirushes” vazhdon ende me Uellsin përfaqësues në gjysmëfinale.

Befasitë e bëjnë edhe më të bukur këtë sport, por qershia mbi tortë janë golat. 103 gola në 48 ndeshje janë shënuar deri në këtë pikë të Evropianit, 2.15 gola për ndeshje. Rendimenti nuk është i lartë, praktikisht është shënuar një gol në çdo 43 minuta. Pjesa më e madhe e golave janë shënuar në intervalin nga minuta e 31-45, saktësisht 20 gola.

Fillimi i pjesës së dytë, nga minuta 46 deri në 60 ka prodhuar 19 gola, po kaq gola janë shënuar edhe nga minuta e 76 deri në të 90. Me pak gola, vetëm 8 te tillë janë shënuar nga 16-30, asnjë gol në shtesë e pjesës së parë ndërsa interesant është fakti që janë shënuar 9 gola në minutat shtesë të pjesës së dytë.

Evropiani humbi shume shpejt një skuadër eksperte në mbetjen e topit, Spanjën, shpikësit e “tiki taka” të famshme, por me sa duket Gjermania e ka perfeksionuar ketë aspekt të lojës, pasi është ajo skuadra me kontrollin më të lartë të topit, 63% diferencat nuk janë shumë të mëdha pasi Spanjollët renditën në vendin e dyte me 61%, çuditërisht në vendin e tretë ndodhet Anglia me 59%.

Kapitulli i Spanjës mund të konsiderohet i mbyllur, ose më saktë jo më fitues por kur vjen puna tek saktësia në pasime ata vazhdojnë të jenë mbretër. 2562 pasime të kryera, 2340 pasa kanë qenë të saktë, 91 % të saktë, përqindje të njëjtë ka edhe Zvicra, ndërsa në vendin e tretë renditet Gjermania me 90%.

Në rang individual, Antoni Griezmann është futbollisti që ka shënuar më shumë gola 4, Eden Hazard ka dhuruar më shumë asis 4, portieri i cili ka shpëtuar më shumë portën është Halderson i Islandës me 27 pritje, ndërsa lojtari më i shpjete është Kingsey Coman, 32.8 km në orë. Këtë janë vetëm disa detaje të “Euro 2016”, mbetet ende për të përcaktuar shumë, mbi të gjitha kush do të jetë triumfues.