Storje Suksesi

Si rrodhi dita e parë e deputetit Alijaj në Parlamentin e Zvicrës

"Kjo është diçka e veçantë. Pak para se të fillojë debati në Dhomën Nacionale të Zvicrës, ai qesh me gjithë zemër: “Ndihem shumë rehat”

Seanca dimërore ka nisur të hënën në Pallatin Federal. Është i pari për Islam Alijaj dhe Philipp Kutter në karrige me rrota. Pikërisht në lidhje me dy deputetët e vetëm me aftësi të kufizuara, televizioni publik zviceran ka realizuar një kronikë interesante, të cilën albinfo.ch e sjell me shkurtime, për lexuesit e saj.

Deputetët e tjerë kombëtarë nxjerrin distinktivët e tyre në hyrje dhe hyjnë në Pallatin Federal. Nga ana tjetër, deputeti i PS-së, i sapozgjedhuri Islam Alijaj, duhet t’i bjerë ziles. Punonjësit e Zyrës Federale të Policisë hapin derën dhe e lënë të hyjë.
37-vjeçari nga Cyrihu ka paralizë cerebrale dhe për këtë arsye ulet në karrigen me rrota, për invalidët.

Alijaj e njeh punën parlamentare nga Asambleja Komunale e Cyrihut, ku ka qenë asamblist dhe ka qenë disa herë edhe në Parlamentin Federal. Prandaj mjedisi nuk është i ri për të. Por ai është këtu për herë të parë në rolin e tij si deputet nacional, tansmeton albinfo.ch.

“Kjo është diçka e veçantë dhe mezi pres të punoj”, thotë ai. Dhe, pak para se të fillojë debati në Dhomën Nacionale të Zvicrës, ai qesh me gjithë zemër: “Ndihem shumë rehat”.

Disa orë më parë, teksa udhëtonte me tren, Alijaj thoshte se ishte mjaft i emocionuar. Sepse ai me të vërtetë nuk e di se çfarë e pret. Përgatitja është e rëndësishme për të. Në ditën e parë të seancës në Bernë, ai shoqërohet ndër të tjera nga një asistente të gjuhës që përsërit fjalitë e tij. Në mënyrë që të gjithë ta kuptojnë atë saktë.

Një tjetër banor i Cyrihut, Philipp Kutter, ka pesë vjet që është deputet në Dhomën Nacionale, për Partinë e Qendrës. Që prej një aksidenti në ski shkurtin e kaluar, 48-vjeçari ka qenë i paralizuar nga qafa e poshtë dhe duhet të mbështetet në një karrige me rrota.

Kjo ka ndryshuar shumë për të, thotë ai. Kolegët e tij në Pallatin Federal e pritën mirë: “Kam ndjenjën se të gjithë janë të lumtur që jam sërish këtu”. Edhe ai vetë është i lumtur.

Të gjithë janë shumë të gatshëm për të ndihmuar dhe sigurisht kjo më ndihmon mua.

Pas disa muajsh rehabilitimi në Qendrën Paraplegjike Zvicerane në Nottwil, Philipp Kutter tani është ulur në një vend të ri në rreshtin e pasmë në Dhomën e Këshillit Kombëtar. Kjo është më e aksesueshme se e vjetra.

Në çdo rast, Pallati Federal tashmë është i pajisur mjaft mirë kur bëhet fjalë për aksesueshmërinë. Dhe ai thotë: “Të gjithë janë shumë të gatshëm për të ndihmuar, kjo sigurisht që më ndihmon mua”.

Por, ai ka vënë re se disa rreshta ishin shumë të ngushtë për një karrige me rrota, përcjell albinfo.ch. Dhe foltorja në Dhomën e Këshillit Kombëtar ka ende nevojë për disa rregullime.

Ashtu si Alijaj, edhe Philipp Kutter ka nevojë për një asistent për ta mbështetur në disa gjëra. Dhe ai gjithashtu ka nevojë për pajisje speciale.

Kjo do të kushtojë shumë. Kutter ende nuk e di se sa. Por: “Unë do të mbuloj (financiarisht) një pjesë të saj vetë.” Megjithatë, zyra parlamentare njoftoi se do të kontribuojë financiarisht.

Islam Alijaj tregon shumë elan për punën që e pret. Ai thotë: “Ne njerëzit me aftësi të kufizuara duhet të kemi fjalën tonë në politikën e aftësisë së kufizuar”. Për të do të thotë shumë fakti që ka mundësi ta bëjë këtë në Dhomën Nacionale të Parlamentit.