Skip to content

Tensionohet protesta në Tiranë, policia ndërhyn me gaz lotsjellës dhe autobotë

Përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit pranë Kryeministrisë, ndërsa policia ndërhyn me autobotë për të shpërndarë turmën.

Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama në Tiranë është përshkallëzuar pasditen e së dielës, më 25 tetor, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë pranë godinës së Kryeministrisë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, policia ka përdorur spraj me piper, gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe autobotët e ujit.

Tensionet janë rritur pasi një pjesë e protestuesve kanë hedhur gurë dhe mjete piroteknike në drejtim të institucioneve dhe forcave të rendit.

Protesta kishte nisur më herët para Ministrisë së Arsimit, ku studentë, të rinj dhe qytetarë ishin mbledhur për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Më pas, protestuesit kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u grumbulluar pranë Kryeministrisë dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Forcat e policisë kanë shtuar praninë në zonë, ndërsa ndërhyrja me ujë me presion dhe gaz lotsjellës ka shkaktuar shpërndarjen e një pjese të protestuesve.

Sipas raportimeve të deritanishme, policia ka shoqëruar edhe disa persona të dyshuar për përfshirje në incidente të dhunshme.

Protesta e së dielës është pjesë e një serie tubimesh që po zhvillohen në kryeqytetin shqiptar, ku pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike, përmirësimin e kushteve ekonomike dhe dorëheqjen e qeverisë.

Situata mbetet në zhvillim, ndërsa autoritetet po ndjekin nga afër zhvillimet në kryeqytet./Albinfo.ch