Skip to content

Dhunë gjatë zgjedhjeve në Serbi, persona të maskuar sulmojnë të rinjtë pranë një qendre votimi

Zgjedhjet parlamentare në Serbi po shoqërohen me incidente dhe përleshje fizike. Në Pançevë, një grup personash të maskuar ka sulmuar disa të rinj me shufra dhe mjete piroteknike, ndërsa policia ka ndërhyrë në vendngjarje.

Procesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi po shoqërohet me tensione dhe incidente të dhunshme në disa qytete të vendit, përcjell albinfo.ch.

Një nga incidentet më serioze është regjistruar sot në Pançevë, ku një grup personash të maskuar ka sulmuar disa të rinj pranë një qendre votimi, të vendosur në Shkollën Bujqësore të qytetit.

Sipas raportimeve të mediave serbe, sulmuesit, të veshur me rroba të zeza dhe me fytyra të mbuluara, kanë përdorur shufra metalike dhe mjete piroteknike gjatë përleshjes.

Nga pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se të paktën një i ri ka pësuar lëndime në fytyrë.

Policia ka dalë në vendngjarje, ndërsa procesi i votimit në këtë qendër ka vazhduar pa ndërprerje.

Prokuroria Themelore Publike në Pançevë ka njoftuar se po punohet për identifikimin e personave të përfshirë në incident dhe përcaktimin e shkallës së lëndimeve, pas së cilës do të bëhet edhe kualifikimi ligjor i veprës.

Ndërkohë, incidente janë raportuar edhe në qytete të tjera të Serbisë, përfshirë Novi Sadin dhe zonën e Nishit, ku janë ngritur pretendime për sulme ndaj pjesëmarrësve në procesin zgjedhor dhe parregullsi gjatë votimit.

Sipas organizatës për monitorimin e zgjedhjeve CeSID, deri në orën 11:00 janë regjistruar mbi 120 parregullsi në qendrat e votimit që ajo monitoron.

Parregullsitë përfshijnë shkelje të fshehtësisë së votës, fotografimin e fletëvotimeve, votimin familjar dhe probleme me listat e votuesve.

Zgjedhjet e sotme po zhvillohen në një atmosferë të tensionuar politike, pas protestave të gjata studentore kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Autoritetet dhe organizatat monitoruese po ndjekin zhvillimet në terren, ndërsa vendvotimet pritet të mbyllen në orën 20:00./Albinfo.ch