Skip to content

Shqipëria planifikon kufizimin e makinave Euro 3 dhe Euro 4 nga viti 2027

Qeveria shqiptare ka miratuar strategjinë e transportit deri në vitin 2030, e cila parasheh largimin gradual të kategorive të vjetra të automjeteve dhe përafrimin me standardet mjedisore të Bashkimit Evropian.

Shqipëria po përgatitet për kufizimin gradual të automjeteve të vjetra të kategorive Euro 3 dhe Euro 4, në kuadër të një plani që pritet të zbatohet gjatë periudhës 2027 deri në vitin 2030, përcjell albinfo.ch.

Qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2030, që synon modernizimin e sektorit të transportit dhe përafrimin e standardeve të emetimeve të automjeteve me ato të Bashkimit Evropian.

Dokumenti parasheh largimin gradual të kategorive të vjetruara Euro, me qëllim uljen e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e standardeve mjedisore.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar nëse kufizimet do të prekin edhe automjetet Euro 3 dhe Euro 4 që janë aktualisht në qarkullim, apo vetëm importin dhe regjistrimin e tyre.

Aktualisht, në Shqipëri lejohet importi i autoveturave të përdorura që përmbushin të paktën standardin Euro 4, ndërsa strategjia e re synon forcimin gradual të kërkesave mjedisore.

Plani përfshin gjithashtu masa për modernizimin e transportit publik dhe rinovimin e flotës së autobusëve ndërqytetës gjatë viteve 2028 deri në vitin 2030.

Autoritetet pritet të përcaktojnë përmes akteve të mëtejshme mënyrën dhe afatet konkrete të zbatimit të kufizimeve për kategoritë e vjetra të automjeteve.