Sport

Shqipëria nën ethet e Evropianit

Fitorja ndaj Rumanisë me rezultat minimal 1:0 i ka hapur rrugë Shqipërisë për një kualifikim të mundshëm në të tetat e finales

Në Grupin A, Shqipëria ka mbyllur fazën kualifikuese në vendin e tretë me tri pikë. Franca a para dhe Zvicra e dyta janë kualifikuar, kurse Shqipërisë i duhet të presë deri të mërkurën. Rumania e ka përfunduar Europianin me vetëm një pikë me barazimin që i ka marrë Zvicrës.

Në përgjithësi Shqipëria është paraqitur mjaftë mirë në këtë kompeticion.

Ndonëse e ka filluar keq me Zvicrën ku vetëm pas 6 minutash lojë ka pësuar golin e parë dhe pas 36 minutash ka mbetur pa idhullin e kombëtares, mbrojtësin Lorik Cana, i cili ishte ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë duke u përjashtuar nga loja, shqiptarët ia kanë dalë ta mbajnë portën e paprekur falë portierit Berisha që ka mbrojtur të gjitha gjuajtjet e sulmuesit zviceran, Seferovic, shkruan albinfo.ch

Ky i fundit ka qenë shumë i pafat, saqë shumë tifozë shqiptarë, duke parë formën e dobët të tij, thoshin me ironi; Seferovic na shpetoi nga turpërimi i duelit, i quajtur ndryshe përballja, mes vëllëzërve.

Në anën tjetër Shqipëria ka huqur dy raste të pastërta për barazim të rezultatit, një në pjesën e parë përmes sulmuesit Armando Sadiku dhe tjetrin në 10 minutëshin e fundit të lojës ku Gashi i gjendur befasisht vetëm për vetëm me portierin Sommer, nuk ia ka dalë ta tundë rrjetën zvicerane.

Ndaj Francës, ndonëse ka humbur, Shqipëria ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira në këte kampionat, duke mos lejuar asnjëherë francezët që ta rrezikojnë seriozisht portën e Berishës deri në minutën e 88-të të lojës, duke luajtur si e barabartë ndaj një ekipi që ka lojtarë me tituj kampioni evropian e botëror.

Shqipëria, me pak fat ka mundur madje të kalojë e para në avantazh përmes Memushajt ku vetëm shtylla i ka shpëtuar favoritët e Europianit, francezët nga turpërimi i një skuadre që renditej në fund të tabelës për mundësinë e fitimit të kampionatit Evropian.

Por kur të gjithë po prisnin përfundimin e ndeshjes pa gola, sulmuesi shkatërrues i Atlhetico Madridit, Antoine Griezman, shënoi i papenguar me kokë golin e epërsisë për Francën në minutën 89 të lojës. Në minutat shtesë të lojës, Payette shtoi epërsinë në 2 me 0.

Siaps analistëve të futbollit, futja në lojë e Paul Pogba e Antoine Grinzman nga ana franceze dhe zëvendësimi i mbrojtësit më në formë shqiptar, Arlind Ajeti me Frederik Veselin, i ka kushtuar Shqipërisë kështu me humbjen e lojës, pasi që Veseli kishte lënë tërësisht të lirë lojtarin më të rrezikshëm të Francës, Antoine Griezman.

Dhe kur pritej që dëshpërimi i humbjes së dy ndeshjeve të kthehet në demoralizim, kundër një ekipi që nuk e kishte mundur për 68 vjet, kombëtarja shqiptare bën kthesën në lojë. Pas një starti të vështirë në 20 minutat e parë të lojës, ku me rastin e pastër për shënim të Lenjanit, i cili nuk arriti ta plasojë dot topin në rrjetën e zbrazët rumune, shqiponjat e zeza marrin krahët dhe që nga ai moment Shqipëria po kontrollonte rumunët e „lodhur“ e pa vullnet, duke shënuar kështu përmes Sadikut në minutën e 43-të pas një pasimi të Memushajt.

Goli i parë i Shqipërisë ishte dhe vula e fitores së parë që i siguroi këtij vendi tri pikë shprese për një kualifikim në të tetën e finalës.

Por jo vetëm kaq, UEFA jep për çdo fitore në fazën e grupeve 1.5 milionë euro. Kurse Qeveria shqiptare ka premtuar një milionë euro për ketë fitore.

Goli njëmilionësh i premtuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk është i vetmi shpërblim që do të marrin lojtarët. Federata Shqiptare e Futbollit do të shpërblejë lojtarët me 2 milionë të tjera.

Ndërkaq, nëse Shqipëria do të arrijë të kalojë grupet, duke u shpallur si e para nga katër të 3-tat më të mira, Federata Shqiptare e Futbollit do të shpërblehet edhe me 10 milionë euro të tjera.

Uniteti i skuadrës dhe tifozeria, arma më e fortë e Kombëtares

Kështu kualifikimi i Shqipërisë do të përbënte suksesin më të madh futbollistik që ka arritur ndonjëherë kjo kombëtare jo vetëm në plasman të renditjeve por edhe në pasurimin e saj me milionat që do të inkasojë nga Uefa dhe premtimet që ka dhënë Qeveria shqiptare, raporton albinfo.ch.

Arma më e fortë e suksesit të Shqipërisë nuk janë paraqitjet individuale të ndonjë lojtari, sepse të tillë Shqipëria nuk ka. Por Shqipëria ka unitetin brenda skudrës e cila vepron e bashkuar për 90 minuta duke dhënë secili lojtar maksimumin për ngjyrat kuq e zi. Mbi këtë, Shqipëria ka edhe lojtarin e 12-të, tifozërinë.  E cila ka shkëlqyer në këtë kampionat me një atmosferë imozante e shumë miqësore kudo që është paraqitur duke i dhënë shqiponjave të zeza mbështetjen maksimale.

Vetëm në stadiumin Stade de Lyon, në Lion kishte mbi 30 mijë tifozë që kishin udhëtuar në mbështetje të kombëtares ani pse kjo dy ndeshjet e para i kishte humbur.

Me fitoren ndaj Rumanisë, Shqipëria do të presë nën ethe zhvillimin e ndeshjeve në grupet e tjera, pasi që sipas golaverazhit që ka, me vetëm një gol të shënuar dhe duke marrë tre gola, gjasat e Shqipërisë për kualifikim janë të vogla, mirëpo teorikisht është ende e mundur.

Atëherë cilat janë mundësitë e kombëtares shqiptare për t’u kualifikuar në të tetat e finales?

Të shkojmë sipas renditjes.

Në grupin B, tashmë është qartësuar gjithçka. I pari i grupit, Uellsi me 6, e dyta Anglia me 5 pikë, edhe e treta Sllovakia me 4 pikë janë kualifikuar.

Në grupin C, është thuajse e pamundur që Irlanda e Veriut të humbë ndaj Gjermanisë me 4 gola diferencë. Përderisa Ukrainës i duhet ta mposhtë Poloninë me një diferencë prej tre golash.

Shpresat më të mëdha të Shqipërisë janë tek grupi D, E dhe F.

Në grupin D, do duhej që çekia dhe Turqia të luajnë baraz, apo në rastin më të keq të fitojë Turqia, por jo më shumë se me një golë diferencë.

Në grupin E, situtata është më e ndërlikuar. Përveç Italisë që tani më është kualifikuar, Belgjika me tri pikë dhe Suedia e Irlanda me nga një pikë janë në luftë për vendin e dytë, respektivisht të tretë. Prandaj këtu Shqipërisë i nevojitet ndihma e fqiut më të adhuruar shqiptar, Italisë. E cila do të përballet të mërkurën në ora 21.00 me Irlandën. Belgjika mund të luajë edhe për barazim, por nuk guxon assesi të humbë. Kurse Suedinë e shpëton nga diskualifikimi vetëm fitorja.

Në grupin F, Hungaria me katër pikë të tubuara mund të themi se e ka të siguruar kualifikimin, pasi që vendin e tretë ndër katër më të mirat nuk mund t’ia marrë më askush. Portugalia me vetëm dy pikë, duhet të shënojë patjetër fitore ndaj Austrisë e cila nuk ka arritur të marrë më tepër se një barazim në dy ndeshjet e zhvilluara. Kurse Islanda me dy pikë që ka nxjerrë ndaj Portugalisë dhe Hungarisë, mund të kualifikohet edhe me barazim në bazë të golaverazhit që ka.

Për futbolldashësit shqiptarë që nuk do të kenë rastin ta shohin përfundimin e lojërave kualifikuese të grupit E dhe F, të mërkurën më së voni prej orës 22.30 përfundon faza kualifikuese dhe varësisht prej rezulatit; ju mund të fleni të qetë  apo të „zgjoheni“ nga zhurma e burive të makinave shqiptare që gjithsesi nuk do e lënë pa e festuar në rrugët e Zvicrës, në rast se Shqipëria do të kualifikohet.