Lajme

Shqipëria mbulohet nga bora

Shqipëria është mbuluar nga bora. Vendi është përfshirë nga temperatura të ulëta nën zero, ndërsa nuk ka munguar dëbora në pjesën malore të territorit dhe pothuajse në të gjitha qytetet e vendit. Në qarkun e Korçës janë regjistruar 4 aksidente brenda disa orëve, për shkak të problemeve që janë shfaqur nga shtresa e dëborës dhe ngrica, raporton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Edhe qarku i Dibrës është përfshirë nga reshje të shumta bore, e shoqëruar edhe me erëra të forta, çka ka sjellë problem me energjinë elektrikë në disa fshatra të Peshkopisë e Bulqizës.

Sipas të dhënave të fundit nga ARRSH, rrugët ku duhet përdorur zinxhir në veri janë  Kuben-Vasije, Peshkopi-Qafë Drajë, Peshkopi-Ushtelencë, Qafë Bualli-Krastë.

Me zinxhir qarkullohen edhe akset Krujë-Sari Salltik, Laç-Milot, si dhe në segmentet e Dajtit. Ndërkohë, në jug, qarkullohet normalisht pa zinxhir, me goma dimërore si në Dardhë, në Voskopojë edhe në Qafën e Qarrit.

Vijon të punohet në Qafë Thanë me 4 borëpastruese, si pasojë e borës me intensitet të lartë që bie. Shërbimet e Policisë Rrugore në të gjithë vendin ndodhen në shërbim 24 orë, në të gjitha akset rrugore kryesore, për të drejtuar qarkullimin rrugor, me qëllim parandalimin e çdo aksidenti, ndërsa në gatishmëri është edhe flota e mirëmbajtjes së rrugëve.