Kosova

Shkrimtarja Mirela Duka Xoxi vjen me librin e saj të fundit “365 ditë autiste”

Resencion

Rrëfimet e këtij libri lexuesin e rëndomtë e shpie në një sferë krejt të panjohur dhe aq misterioze të kësaj botës sonë gjithë trazim. Aty, që në krye të herës, përballemi me një përplasje psikologjike deri në tronditje, që na shfaqet në mënyrë aq të papritur, tërësisht të panjohur dhe krejt brutale.

Kur i përjetojmë këto reagime aq të vrullshme dhe kur jemi bërë pjesë e rrëfimit mbi to, na bëhet sikur jemi futur në një botë që lëviz me një shpejtësi marramendëse. Por sapo ta kemi kaluar këtë gjendje, na ngjan sikur kemi kapërcyer një rrebesh (furtunë) natyre buzëdeti dhe në çastin kur ajo të ketë kaluar, shohim qetësinë mahnitëse të natyrës, ritmin magjepsës të valëve dhe bukurinë e shkëlqimin e pafundmë të thellësisë dhe paanësisë së koloritit të ylbertë të detit të pafund. Kështu, gjatë leximit të tregimeve të librit, na bëhet sikur e shohim dhe e ndiejmë shpirtin gjithë trazim të atyre vogëlushëve, të cilët me shpirtmadhësinë, me çiltërsinë dhe me dashurinë e tyre të pafundme, detyrimisht na bëjnë pjesë të këtij universi njerëzor, sa të panjohur aq të pasur e të brishtë, por dhe pafundësisht delikat e misterioz.

Nga rrëfimet e librit kuptojmë se autorja, në punën e saj ka përbashkuar tri elemente, tri anë a tri segmente, të cilat ajo do t’i përdorë si çelës për t’u futur në këtë univers kaq kompleks e misterioz të këtyre fëmijëve, për t’i kuptuar më lehtë e më mirë ata.

Ato elemente janë përvoja dhe përkushtimi i një mësueseje dhe pedagogeje shumë të kompletuar, përgatitja e saj e përgjithshme intelektuale e një niveli admirues dhe ndjenja e amësisë që bart një grua nënë shumë e përkushtuar. Këto tri elemente të personalitetit të saj, në punën e përditshme me këta fëmijë, ajo do t’i përdorë herë njërin, herë tjetrin e herë që të tre së bashku. Këto do t’i ndihmojnë asaj që në të gjitha situatat dhe për secilin fëmijë veç e veç të gjejë zgjidhjen e duhur dhe më të mirë. Këtyre tre elementeve, gjithësesi i duhet shtuar edhe ndjenja e humanizmit dhe dashurisë ndaj qenies në vështirësi, ndjenjë kjo që tek autorja është e pranishme dhe aq e dukshme. Që në tregimin e parë, autorja na jep një tablo krejt dramatike, të mbushur me emocione të fuqishme nga të dyja anët. Është kontakti i parë i saj me klasën e fëmijëve autistë. Ndaj atë mëngjes ajo e ka të mbushur plot dilema, hamendje, droje e shqetësime. Kontaki i parë i autores me këta fëmijë, krijohet më shumë me shikime, vrojtime, pyetje të heshtura… Pastaj ai vazh- don me një si tërheqje, buzëqeshje, simpati e dashamirësi. Ndonëse nuk e kishte pritur fare, autorja shumë shpejt krijon një përafrim, një kontakt, edhe pse shumë delikat por gjithësesi mjaft të këndshëm. Hapje e ngadaltë dhe shumë e kujdesshme nga të dyja palët. Por krejt papritur, siç ndodh shpesh në këtë universin e këtyre fëmijëve, në mënyrë të befasishme për autoren dhe gjithë të tjerët, ndodh një skenë aq e rrëmujshme e dramatike. Por gjithçka përfundon shpejt. Gloria, që kishte kaluar një gjendje deliri, qetësohet.

Të tjerëve iu bëhet sikur valët gjithë trazim e tërbim u shuan dhe në çast doli dielli gjithë rrezatim. Kështu rrjedhin ditët. Ato arrijnë tek numri 365. Dhe të gjitha këto ditë që përmbushin një vit kalendarik, sa janë të ngjashme ato po aq edhe ndryshojnë me shumëçka. Secila prej tyre është e veçantë. Të veçanta ato i bëjnë reagimet, përjetimet, manifestimet e këtyre fëmijëve. Ata, kur janë në gjendjen e tyre të rëndomtë (normale), janë aq të butë e të dashur, janë aq të këndshëm e dashamirës, mbase më shumë sesa moshatarët e tyre joautistë. Por kur kalojnë në atë gjendjen e tyre, që i veçon nga të tjerët, ata hidhërohen, pezmatohen, acarohen, shqetësohen, mallëngjehen, pikëllohen… Dhe gjithë këtë ata për një çast sikur ua përplasin njerëzve që i kanë përreth. Prindërve, mësuesve, edukatorëve. Të gjithëve. Ia përplasin gjithë shoqërisë. Këta fëmijë janë pengu i shoqërisë! Ata qeshin, ngazëllehen, gëzohen, dashurojnë, dëshirojnë, krijojnë, por edhe shqetësohen, hidhërohen, mallëngjehen, pikëllohen, qajnë, acarohen, ashpërsohen, egërsohen, tërbohen. E veçanta e tyre është se fëmijët me autizëm, të gjitha këto ndjenja e këto gjendje aq të kundërta, shumë shpesh i kanë aq pranë njëra-tjetrës. Jo rrallë ato janë edhe të përziera dhe mund të shpërfaqen në të njëjtin çast. Befas. Papritur. Ata janë aq dashamirës e aq të dashur po në çast mund të bëhen agresivë dhe të egër. Mund të sulmojnë veten e tyre po edhe gjithë të tjerët që kanë përreth. Të gjitha këto ndjenja aq të kundërta, që këta fëmijë i shfaqin shpesh dhe në të njëjtën kohë, autorja i ka vrojtuar, i ka ndjerë, i ka zotëruar, i ka analizuar dhe i ka vendosur në vendin e tyre me shumë pasion, me durim, me dashuri dhe profesionalizëm. Dhe jo vetëm kaq. Me rrëfimin e saj të shkëlqyer autorja ka arritur që edhe lexuesin ta bëjë pjesë të përditshmërisë dhe gjendjeve e ndjenjave të rën- domta e të veçanta, të këtyre fëmijëve, të manifestuara herë të ndara po jo rrallë edhe në të njëjtin çast. Ajo nuk rrëfen çdo ditë të këtyre fëmijëve. Si pedagoge e mirë, ajo i ka spikatur dhe i rrëfen me gjuhën letrare dhe psikologjike vetëm momentet dhe gjendjet e tyre më të veçanta. Ajo na rrëfen situatat, kur ata e manifestojnë natyrën e tyre të veçantë, të pakuptueshme dhe misterioze. Gjendje këto të rënda e shumë të vështira dhe pafundësisht të dhembshme për fëmijët por dhe aq të dhembshme për prindërit dhe familjarët e tyre. Natyrën e ndjeshme dhe shumë delikate të fëmijëve autistë, autorja na e jep në mënyrë shumë të qartë nëpërmjet tri gjendjeve nëpër të cilat Gloria (personazhja e rrëfimit) kalon vetëm brenda pak çastesh:

“Po mundohesha të analizoja kalimin e Glories për pak çaste në tri gjendje aq të ndryshme. Së pari, tek këndonte duke dëgjuar muzikë. Pastaj befas, ngritja dhe futja e dorës poshtë pantallonave dhe tani duke qarë gjithë ngashërim me lotët që i shkojnë rrëke,“ thotë autorja.

Ajo pastaj konstaton gjithë dhembje: “Vetëdija për këto veprime nuk ekziston tek këta fëmijë. Ata nuk mund ta konceptojnë ndjenjën e turpit “.

Gjatë punës me fëmijët autistë, autorja ndjen, përjeton

dhe emocionohet bashkë me ta. Ajo qesh e gëzohet, por jo rrallë ajo edhe qan e përlotet bashkë me ta. Pastaj mërzitet e pikëllohet, ndjen dhembje, vuan e trishtohet, kur pikëllohen e trishtohen ata, por kurrë nuk hidhërohet as nuk dëshpërohet.

Në gjithë rrëfimin në libër, autorja ka sjellë përjetimet, emocionet dhe situatat e fëmijëve por njëherësh ajo ka shprehur edhe përjetimet dhe emocionet e saj. Ajo ndaj fëmijëve shpreh jo vetëm vëmendje e përkujdesje të skajshme por shpreh edhe dashuri e shqetësim, dhembje e trishtim. Ajo gjatë tërë rrëfimit të saj këta fëmijë i quan zogj, lule, engjëj, pëllumba…fjalë e emra këta që shprehin përkushtim, res- pekt e dashuri të pafundme ndaj atyre që aq shumë kanë nevojë që t’i duam por çuditërisht edhe që japin aq shumë kënaqësi e dashuri. Ndaj ky libër, si i tillë, e pasuron fondin e librit aq të nevojshëm për njerëzit që janë në rrethin e fëmijëve me autizëm, qofshin ata prindërit, familjarët apo pedagogët e institucioneve. Pos kësaj, autorja Mirela Duka- Xoxi këtë përvojë profesionale e gjithësesi njerëzore na e sjell nëpërmjet një rrëfimi të shkëlqyer letrar. Rrëfimi i saj në libër është i qartë, i saktë dhe përherë i shkurtër, por i plotë. Ai bëhet me gjuhë aq të rrjedhshme, shprehje të pasur dhe mesazh profesional e njerëzor.

 

Gani Bytyçi