Kosova

Shkoi në Gjermani për jetë më të mirë, kthehet mësuesja në mesin e nxënësve

Ani pse një numër i madh i mësimdhënësve janë duke u larguar nga Kosova, dikush ka vendosur që të rikthehet, përcjell albinfo.ch.

Mësuesja Qëndresa Thaqi-Qelaj pas tre muajve qëndrim ka vendosur të rikthehet në Kosovë. Kjo pasi ajo nuk u përshtat me jetën në Gjermani.

Mes përqafimeve të shumta të nxënësve të saj u prit në shkollë. Të gëzuar u panë edhe prindërit e të vegjëlve. Për tre muaj mësuesja Qëndresë Thaqi-Qelaj nuk pati mundësi të kishte takime me ta.

Ajo kishte rrugëtuar me nxënës për afro 10 vjet në shkollën fillore “Dëshmorët e Greikocit” në Suharekë.

Kjo pasi mësuesja e ciklit të ulët kishte vendosur që të marrë rrugën e mërgimit dhe të fillonte një jetë të re në Gjermani. Por, jetën të cilën e nisi në këtë vend evropian nuk ishte ashtu siç e priti. Prandaj edhe vendosi të kthehej.

“Parja nuk është gjithçka. Është shumëçka, por jo gjithçka. Thjesht, më ka penguar kur u fol ajo gjuhë për mua ka qenë demotivim. Thjesht nuk gjeja një arsye,  ka qenë tmerr. Dikujt i duket kot, por njerëzit që e kanë provuar dhe janë kthyer, besoj më kuptojnë”, thotë ajo për tëvë1.

Ani pse për tre muaj ishte larg fizikisht, kontaktet me nxënësit nuk i ndërpreu asnjëherë.

“Jam rritur me njerëz që kanë punuar në arsim dhe gjithnjë e kam dashur si punë. Ndoshta si fëmijë i kam bërë ato lojëra si mësuese. Dhe normalisht, kur kam shkuar atje, kontaktin me nxënës nuk e kam ndërprerë. Më kanë thirrur. Madje iu kam thënë edhe prindërve që të mos më thërrasin se u mërzitja më shumë”, tregon ajo.

E dita kur vendosi të rikthehej ishte një nga ditë më të lumtura të saj.

Të lumtur me vendimin e mësueses janë edhe menaxhmenti i shkollës.

“Nxënësit e kanë pritur shumë mirë. Është një lajm pozitiv. Shpresojmë që edhe punëtorët e tjerë të rikthehen, nxënës, fëmijë e prindër, që marrin vendime të ngutura duhet të mendojnë mirë para se të lëshojnë këtë vend”, thotë d0rejtori i kësaj shkolle, Bestar Beqiraj.

Mësuesja është e gatshme t’ ia fillojë përsëri mësimit, por për këtë nga Komuna e Suharekës thonë se do të shikohen format ligjore.

“Ka disponim të rikthehet, por do të shikojmë format ligjore që na lejojnë për rikthim në shkollë”, shprehet drejtori komunal i Arsimit, Remzi Bjaselmani.

Nga Komuna e Suharekës që nga 1 janari e deri me tani janë larguar 63 nxënës e dy mësimdhënës, ku 7 prej këtyre nxënësve janë rikthyer në Kosovë.