Sport

Shkëlzen Gashi, yll në Amerikë

Gjatë mbrëmjes gala ku ishte i pranishëm si një nga personalitetet më me ndikim në futbollin amerikan, Gashi u shfaq përkrah emrave të njohur si lojtari më i mirë i Superbowl, Peyton Manning, aktori John C. McGinley dhe fituesi i çmimit Oscar, Jamie Foxx

Shkëlzen Gashi po shkëlqen jo vetëm në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Tashmë ai është shndërruar në idhullin e tifozëve të Colorados, por edhe më gjerë, shkruan albunfo.ch.

 

Në një intervistë për gazetën zvicerane ‘Blick’, Gashi rrëfen momentin emocionues me ndërrimin e fanellave me Steven Gerrard, duke theksuar se Gerrard është një emër i madh i kësaj loje dhe fanella e tij do të qëndrojë përjetësisht mes shumë të tjerave në muzeun e tij personal.

 

Ai është gjithashtu një nga futbollistët më të ndjeshëm ndaj kauzave sociale siç është ajo e fëmijëve me sindromën Down. Gashi ka qenë disa herë i pranishëm në eventet lokale që synojnë sensibilizimin e botës për këtë kategori dhe nuk ngurroi të ishte i pranishëm edhe në një event të zhvilluar ditët e fundit në SHBA. “Fëmijët janë shumë të rëndësishëm për mua, ata janë heronjtë e vërtetë të botës tonë. Nuk u mendova dy herë kur më kërkuan të merrja pjesë në eventin e bamirësisë”, deklaroi sulmuesi shqiptar shqiptar.

 

Gjatë mbrëmjes gala ku ishte i pranishëm si një nga personalitetet më me ndikim në futbollin amerikan, Gashi u shfaq përkrah emrave të njohur si lojtari më i mirë i Superbowl, Peyton Manning, aktori John C. McGinley dhe fituesi i çmimit Oscar, Jamie Foxx. “Fakti që arrita të komunikoja me ta më jep një ndjesi pozitive sepse ndihem mirë kur u tregoj rreth sekreteve të futbollit edhe emrave të tillë”, përfundon 28-vjeçari.