Kosova
SHBA kritikon ashpër mbylljen e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës
Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”, përcjell albinfo.ch.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e Shtetit, Elizabeth Allen, në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet e të adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit ilegale”.
Policia tha se janë konfiskuar “rreth një milion e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinarë, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollarë amerikanë, 40 dollarë australianë si dhe dokumente dhe prova të tjera”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e cilësoi veprimin një “akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.
Ai tha se “Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”.
Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave, por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.
Diplomatët i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore dhe në cilësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara.
E-Diaspora
-
Suedi
Dy akademikë nga Kosova ndër më të spikaturit në universitetet suedeze Miranda Kajtazi, docente në Universitetin e Lundit, dhe Bahtijar Vogel, udhëheqës i Departamentit të Shkencave Kompjuterike... -
Nga Zvicra në Prishtinë: Mjekët shqiptarë frymëzojnë gjeneratën e re të studentëve të mjekësisë -
Përparim Avdili: Nuk duhet të ndryshoj emrin për tu bërë kryebashkiak i Cyrihut -
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë
Jeta në Austri
-
A do të punonit në Austri për 2200 euro? Austria kërkon punëtorë sezonalë në prag të sezonit dimëror... -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë










