Lajme

SHBA dhe BE i bëjnë presion Serbisë dhe Kosovës: Duhet marrëveshje!

Më shume se asnjëherë më parë që nga pavarësia e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar është angazhuar për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo u duk fare qartë si një nga çështjet e diskutuara në Shtëpinë e Bardhë, mes presidentit Biden dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen.

Von Der Leyen në konferencën e mbajtur për media pas takimit që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se është shumë e rëndësishme që dialogu po vazhdon. Shefja e Komisionit Evropian ka thënë se sigurisht që nuk është një proces i lehtë dhe se ka shumë çështje për t’u zgjidhur.

“E kemi prekur këtë teme. Është shumë e rëndësishme që dialogu Kosovë-Serbi vazhdon. Nuk është e lehtë. Ka shumë çështje për t’u zgjidhur, por po lëviz në drejtimin e duhur dhe ka mbështetje të plotë nga të dy palët, SHBA dhe BE, për këtë dialog”, ka thënë Von Der Leyen.

Ndërkohë pak ditë para takimit të Ohrit, Kosovën po e viziton ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias. Greqia është një nga 5 vendet anëtare të BE-së që ende s’e ka njohur Kosovën dhe që shpesh është theksuar se mund të jetë e para që do ta njohë pas nënshkrimit të marrëveshjes për planin europian./Euronews