Kosova

Reagimi i Qeverisë, BE-së dhe Policisë së Kosovës për vrasjen e Ivanoviqit

Qeveria vlerëson se akti i vrasjes së Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës

Qeveria e Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës, përcjell albinfo.ch.

Qeveria vlerëson se akti i vrasjes së Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.

“Dhuna është e papranueshme, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet. Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin përpara drejtësisë”, thuhet në reagimin e ekzekutivit kosovar.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe BE. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë për grupin “Koha” se Bashkimi Evropian e dënon fuqishëm vrasjen e Oliver Ivanoviqit, të martën në veri të Kosovës.

Kocijançiç ka bërë thirrje që të gjitha palët në Kosovë të përmbahen dhe që autoritetet për sundimin e ligjit të kryejnë punën e tyre.

Ndërkohë, edhe Policia e Kosovës me anë të një komunikate ka bërë të ditur disa detaje në lidhje me këtë vrasje.

Ja komunikata e plotë e Policisë:

Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.

Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.