Lajme
Pse diaspora kosovare nuk mund të votojë në ambasada?
Misionet diplomatike në botë shërbejnë edhe si vendvotime për shtetasit të cilët nuk ndodhen fizikisht në shtetin e lindjes, në kohën kur organizohen zgjedhjet.
Por, kjo praktikë e njohur ndërkombëtare, nuk vlen për qytetarët e Kosovës, pasi një gjë e tillë nuk është e paraparë në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Në Kuvendin e Kosovës, në qershor të 2020-ës, Lëvizja Vetëvendosje e kishte iniciuar amendamentimin e këtij ligji, i cili në shtator, kishte marrë dritën e gjelbër nga kryesia e kuvendit. Ky legjislacion do të duhej të shqyrtohej nga komisionet përkatëse, para se të prezantohej për debat dhe votim në seancë plenare. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në ndryshimet e parapara, mundësohet edhe votimi në misionet diplomatike të Kosovës në botë.
Aktualisht, diaspora e Kosovës e gëzon të drejtën e votimit vetëm përmes postës, e drejtë e cila mundësohet përmes një procesi të aplikimit për votim dhe më tej verifikim të së drejtës së votës.
Pritje të ndryshme
Organizata joqeveritare Germin, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, ka qenë pjesë e grupit punues për ndryshimin e këtij ligji.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Lirim Krasniqi nga kjo organizatë, thotë se mundësimi i votimit në misionet diplomatike do të rriste mundësinë që diaspora të ushtronte të drejtën e tyre demokratike e ligjore, përcjell Albinfo.ch.
“Në amendamentimin e ligjit sërish mbetet opsion votimi përmes postës, vetëm se shtohet si mundësi edhe votimi fizik në misionet diplomatike dhe qytetarët mund të kenë të drejtë të zgjedhin nëse duan të votojnë në një ambasadë apo konsullatë, apo ta dërgojnë votën përmes postës”, tha Krasniqi.
Sipas tij, një gjë e tillë nuk është mundësuar deri më tash edhe për faktin se Kosova nuk ka pasur mjaftueshëm misione diplomatike në botë, për të ofruar këtë të drejtë.
“Duke marrë parasysh numrin e limituar të misioneve diplomatike, edhe nëse do të kishim këtë të drejtë, nuk është se do të kishim shumë qendra votimi ku do të mund të organizohej procesi”, shtoi ai.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se nuk kanë qenë pjesë e grupit punues, por konsiderojnë se edhe në formën aktuale, procesi i votimit nga jashtë është “komplet i pambrojtur me mundësi të manipulimit”.
Eugen Cakolli nga ky institut, thotë se Kosova ka nevojë për reformë të plotë zgjedhore dhe jo vetëm ndryshim të pjesshëm të ligjit.
“Aktualisht, Kosova ka vetëm 60 misione diplomatike në botë dhe kjo vështirë që mund të mundësojë të drejtë vote për të gjithë. Prandaj, e shoh si shumë të vështirë që ky model i prezantuar të zbatohet në praktikë”, tha Cakolli.
Sipas tij, problem tjetër është edhe kostoja e lartë financiare dhe mbrojta e integritetit të votës.
“Është i diskutueshëm edhe neutraliteti i komisionarëve në proces, për shkak se ne vazhdimisht kemi pasur akuza se shërbimi i jashtëm i Kosovës është skajshmërish i politizuar. Për këtë mendoj se kjo çështje duhet të mendohet më mirë dhe të garantohet një mekanizëm, i cili do të ishte gjithëpërfshirës edhe nëse mundësohet ky lloj votimi”, shtoi Cakolli.
Votimi i sivjetmë, sërish përmes postës
Këtë vit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë arritur afërsisht 200 mijë kërkesa për të votuar përmes postës elektronike.
“Deri më tani, sipas raportit të mesditës së sotme (e martë, 26 janar), në sistem janë futur 103 mijë aplikacione për regjistrim. Prej tyre janë aprovuar rreth 42 mijë. Sipas të dhënave që kemi nga shërbimi votues janë 51 mijë e-maila të pahapura”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Njohësit e procesit zgjedhor thonë se numri e e-mailave nuk pasqyron numrin saktë të aplikimeve.
“Janë 200 mijë e-maila por jo domosdoshmërish ato përkthehen në aplikacione, pasi një person mund të ketë dërguar disa e-maila, pasi KQZ-ja nuk ka pasur resurse të mjaftueshme që të përgjigjet me kohë. Shumë persona nga diaspora na e kanë konfirmuar edhe neve, se kanë dërguar disa e-maila pasi KQZ-ja nuk iu është përgjigjur në kohë”, tha Lirim Krasniqi nga organizata Gremin.
Ndërkaq Eugen Cakolli nga KDI-ja, vlerëson se procesi aktual i konfirmimit përmes telefonit ka defekte serioze.
“Aktualisht, kemi mbi 20 persona të cilët janë konfirmuar si votues, të cilët nuk kanë aplikuar fare për votim jashtë vendit, dhe nëse merren si shembull zgjedhjet e fundit, ka qenë pikërisht ky numër i vogël, që ka mundur ta lë jashtë parlamentit një subjekt politik”, tha ai.
KQZ-ja ka vënë në dispozicion 25 telefona për të kontaktuar ata që kanë aplikuar për regjistrim për votim, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar nga 2 shkurti. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.
E-Diaspora
-
Ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Fehmi Aganit E realizuar nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, ekspozita organizohet nga Konsullata e Republikës së Kosovës në... -
Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish -
Studentët e Fakultetit të Arteve përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Oberhausen -
Komedia “Ne dhe Ata” në Bernë: humor dhe reflektim mbi jetën në diasporë -
SHBA
Shqiptarja nga Kosova pranohet në një nga specializimet më konkurruese në SHBA
Jeta në Austri
-
Udhëheqësit austriakë shtyjnë përpara reformën në shëndetësi Austria përshpejton bisedimet për reformën shëndetësore, duke synuar një drejtim të unifikuar të pacientëve dhe një... -
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“











