Zhvillim

Prizreni nuk mbështet “Caritasin” e Zvicrës

Dy institucione parashkollore "Mollëkuqet", janë themeluar nga "Caritasi" me përkrahjen e shoqërisë civile. Ato rrezikojnë të mbyllen, sepse DKA nuk i mbështet

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prizren nuk është e gatshme që të zbatoj një marrëveshje që kishte nënshkruar pesë vjet më parë me “Caritasi” zviceran, për financimin e dy institucioneve parashkollore “Mollëkuqet”. Mospagesa e edukatoreve ka vënë në pikëpyetje funksionimin e këtyre çerdheve.

Dy institucioneve parashkollore “Mollëkuqet”, janë themeluar nga “Caritasi” me përkrahjen e shoqërisë civile.

Marrëveshja ka qenë që këto institucione parashkollore në vitin e parë të financohen 75 për qind nga “Caritasi” dhe 25 për qind nga DKA-ja, pastaj në vitin e dytë 50-50, në vitin e tretë 25-75 dhe më pastaj në tërësi nga DKA-ja. Kjo e fundit, siç thuhet, nuk po pranon marrëveshjen me arsyetimin se nuk ka buxhet.

Personeli i angazhuar në këto institucione parashkollore me udhëzimet e Institutit Demokratik të Kosovës ka nisur mobilizimin e prindërve, respektivisht mbledhjen e nënshkrimeve, me kërkesën që të jetësohen në tërësi pikat e akorduara mes “Caritasit” dhe DKA-së, të vitit 2008.

Nga shtatori i vitit të kaluar “Mollëkuqet 1 dhe 2”, siç raporton Koha, zhvillojnë aktivitetin pa ndonjë përkrahje të Komunës së Prizrenit derisa “Caritasi” me mbështetjen e njerëzve të vullnetit të mirë nga Zvicra ka mundësuar vazhdimin e punës, edhe pse pagesa e edukatoreve ka rënë në nivel simbolik.

Në këto dy çerdhe punohet në dy ndërresa me fëmijët të moshës 4 deri në 6 vjeç, që janë të ndarë në 4 grupe me nga 25 fëmijë. Gjithsej janë të angazhuara 9 edukatore, 4 prej të cilave janë pjesëtare të komuniteteve joshumicë.

Edukatorja Fitore Gashi ka theksuar se pas lindjes së paqartësive në lidhje me marrëveshjen dypalëshe edukatoret kanë nisur punën pa pagesë, por që megjithatë “Caritasi” është angazhuar për sigurimin e mjeteve financiare bazike për vazhdimësinë e aktivitetit në dy institucionet parashkollore.

Mirëpo, sipas saj, nëse problemet me DKA-në nuk zgjidhen deri në qershor të këtij viti atëherë ekziston rreziku që “Mollëkuqet 1 dhe 2” të mbyllen dhe që “Caritasi” të tërheqë inventarin dhe ato t’i dërgoj në ndonjë komunë tjetër.

“KDI-ja do të evokojë rreth shqetësimeve të ngritura nga edukatoret e prindërit dhe përmes peticionit do të ushtrohet presion te DKA-ja që të zbatojë në tërësi marrëveshjen e nënshkruar me “Caritasin” zviceran, në mënyrë që fëmijët e lagjes “Lakuriq” të gëzojnë një edukim cilësor”, ka thënë Naim Cahanaj, koordinator i KDI-së.

Në anën tjetër, drejtori i DKA-së, Nexhat Çoçaj, ka pohuar se marrëveshja ka skaduar në gusht të vitit 2012 dhe nuk është vazhduar më tej, prandaj dhe Komuna nuk ka asnjë obligim ndaj “Caritasit”.

“Nuk kemi mundësi që të ndajmë buxhet për institucionet që nuk janë publike”, ka thënë Çoçaj. “Ata nuk janë të regjistruar te ne dhe ne nuk mund të ndajmë buxhet”, është shprehur ai.

Gjithashtu ka bërë të ditur se, sipas normës së institucioneve publike, në 50 fëmijë angazhohet një 1 edukatore, derisa në rastin konkret për 180 fëmijë janë të angazhuar 10 edukatore. “Ne nuk mund ta paguajmë askënd jashtë normave ligjore”, ka përfunduar Çoçaj.