Kosova

Prishtina me ajrin më të ndotur në botë

Prishtina aktualisht është në vendin e parë në botë me ajrin e ndotur, duke lënë pas vetes edhe Indinë, Pakistanin, Bangladeshin e vende të tjera që zakonisht i prijnë listës së vendeve me ajrin më të ndotur

Ajri në Prishtinë vazhdon të jetë i ndotur. Se niveli i ndotjes së ajrit në Prishtinë është në vlera alarmante, u vërtetua edhe nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit”.

Në bazë të këtij indeksi, Kosova, gjegjësisht Prishtina, klasifikohet në kategorinë e parë të ndotjes së ajrit, që ka kaluar normat e lejuara, raportojnë mediat vendore.

Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 18:00 (ditën e shtunë), vlera e ndotjes ka arritur në 350 dhe konsiderohet e shumë e pashëndetshme, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa prej orës 21:00, ndotja ka shkuar deri në 431, çka e bën edhe më tej shqetësuese shëndetin e qytetarëve të Prishtinës.

Sipas ranglistës botërore, Prishtina aktualisht është në vendin e parë në botë me ajrin e ndotur, duke lënë pas vetes edhe Indinë, Pakistanin, Bangladeshin e vende të tjera që zakonisht i prijnë listës së vendeve me ajrin më të ndotur.