Lajme

Përmbytje të mëdha në disa rajone të Gjermanisë

Reshjet e dendura të shiut me emrin “Bernd” kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa rajone të Gjermanisë. Shumë rrugë janë bllokuar, lumenjtë kanë dalë nga shtrati, ndërsa bodrumet janë mbushur me ujë.

   Një shprehje thotë “mos të zëntë shiu i verës”, çka nënkupton që të vjen papritur e me furi, por që pushon shpejt. Por këtë mes korriku Gjermania është prfshirë nga reshje të pazakonta që do të vazhdojnë dy – tri ditë. Këtë dukuri sinoptikanët e kanë emërtuar “Bernd”. Reshjet e dendura të “Bernd” kanë shaktuar aksidente të shumta në shumë pjesë të Gjermanisë. Ndërhyrjet e zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit janë intensifikuar në shumë pjesë të vendit. Situata në disa rajone fillimisht u qetësua pak të mërkurën (14.07) në landin Renania Veriore – Vestfali, por edhe në këtë land kanë vazhduar sërish reshjet papushim. Në ditët në vijim pritet që reshjet e shiut të shtrihen edhe në shumë pjesë të tjera të Gjermanisë.

Në rajonin Erzgebirge në Saksoni një burrë humbi kontrollin dhe ra në ujë. Kërkimet e zjarrëfikësve janë ndërprerë gjatë natës, kumtoi policia. Burri ishte përpjekur të martën në mbrëmje në Jöhstadt të shpëtojë pronat e tij nga vala e ujit, por vala e mori me vete. Nuk dihet ende asgjë për fatin e tij.

81-vjeçari zhduket në valët e ujit

Edhe në Baden-Vyrtemberg një i moshuar 81 vjeç e humbi kontrollin dhe ra në ujë, në kohën kur po përpiqej të nxirrte sendet nga shtëpia e vërshuar nga uji. Ai ende llogaritet si i zhdukur. “Autoritetet thonë se po vazhdojnë përpjekjet për ta gjetur këtë person, por deri tani pa sukses”, kumtoi policia. Puna e ekipeve të shpëtimit është vështirësuar shumë për shkak të vazhdimit të reshjeve të shiut. Shumë rajone të vendit kanë probleme me furnizimin me energji elektrike dhe me ujë.

Në rrethin Hof në Bavari, për një kohë të shkurtër u shpall gjendja e katastrofës, për shkak të reshjeve të mëdha. Për shkak të thirrjeve të shumta, numri i emergjencës 112 nuk mund të arrihej menjëherë, kumtoi Kryqi i Kuq bavarez.

Hageni evakuon të moshuarit

Më shumë se 50 njësi të zjarrfikësve me gati 1000 vetë dhe 140 anëtarë të Organizatës së Ndihmës Teknike (THW) ishin në terren tërë kohën, në rajone të ndryshme, në përpjekje për të ndihmuar njerëzit nga vërshimet. Qyteti Selbitz u godit veçanërisht shumë nga reshjet. Shërbimet e emergjencës kanë pasur atje mbi 120 ndërhyrje.

Në Hagen, Renani Veriore _ Vestfali, shtëpia e të moshuarve është evakuuar për shkak të nivelit shumë të lartë të ujit. “Shtëpia e të moshuarve është e pabanueshme për momentin”, tha një zëdhënës i qytetit. Fillimisht ishte e paqartë se sa të moshuar jetonin atje. Përveç kësaj, të gjithë prindërve në të gjithë zonën e qytetit iu kërkua që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe në shkolla.

330 ndërhyrje në Düsseldorf

Një person ka shpëtuar në momentin e fundit me lëndime të lehta në rajonin e Düsseldorfit, ndërsa disa shoferë u liruan nga makinat e tyre, ku kishin mbetur të bllokuar. Ende nuk dihen të gjitha pasojat e reshjeve, sepse shiu po bie pa ndëprerë, por në Düsseldorf vetëm gjatë natës së kaluar (13.07) ka pasur mbi 330 ndërhyjre të forcave të emergjencës. Qindra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në Erkrath afër Düsseldorfit. Në Altena në Sauerland ka pasur disa rrëshqitje të tokës. Ndërkohë që në shumë rajone ka rrugë të pakalueshme për shkak të vërshimeve.

Gjenjda në Koblenz

Për shkak të ngritjes së nivelit të ujit në lumin Rin dhe në Mosel, zjarrfikësit janë detyurar të ngrejnë mure arfiticiale për mbrojtje. Në Neuendorf, shërbimet kanë ngritur një mur të lartë, thonë përfaqësuesit e shërbimeve.

Shërbimi meteorologjik në Gjermani paralajmëron vazhdimin e reshjeve në Renaninë Veriore – Vestfali, në Rheinand-Palatinate, Zarë dhe në disa pjesë të Hesenit. Në Bavari priten reshje të vazhdueshme nga e mërkura (14.07) në mbrëmje. Reshje të ngjashme ka pasur shpesh, por ekspertët thonë se kjo ka lidhje edhe me ndryshimin e klimës./DW