Kosova
Pasojat për studentë nga largimi i Kosovës prej ENQA-s
Për më pak se dy vjet, Agjencia e Kosovës për Akreditim është përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), derisa dje u bë e ditur se është përjashtuar edhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)

Ky po shihet si dështimi më i madh në arsim në 20 vjetët e fundit. E njëjta gjë do të ndikojë në ndërlidhjen e institucioneve dhe studentëve kosovarë në sistemin evropian të arsimit të lartë.
Më 19 shtator Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) mori vendim që të përjashtojë Agjencinë Kosovare të Akreditimit. Bordi i ENQA-s vlerësoi se Agjencia nuk i ka përmbushur rregullat evropiane.
Ndër to, përfshihet edhe mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë, si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA-s.
AKA ishte anëtarësuar në ENQA në vitin 2014, për një periudhë 5-vjeçare, e cila ka përfunduar në gusht të këtij viti.
Gazeta Express ka kontaktuar Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) për të pyetur se cilat do të jenë pasojat për studentët kosovarë që janë pjesë e universiteteve të akredituara në Kosovë për të vazhduar studimet në institucionet e Arsimit të Lartë në universitetet evropiane.
ENQA nuk ka pranuar të komentojë më tepër se çfarë shkruan në raportin e Bordit të ENQA-s dhe në letrën dërguar Agjencisë Kosovare të Akreditimit.
“Faleminderit për interesimin e juaj për ENQA. Për më tepër informacione lidhur me pyetjet që keni dërguar, ju referojmë te letra e Bordit të ENQA-s dërguar AKA-s dhe te raporti i publikuar në ueb-faqen tonë. Ne nuk mundemi të komentojmë më shumë se ajo që është shkruar në raportin dhe letrën dërguar AKA-s për rishikimin dhe rezultatin. Ne ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj”, thuhet në përgjigjen e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Në letrën që i është dërguar ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë për Akreditim, Avni Gashi, bëhet e ditur se AKA mund të aplikojë në ENQA tek pas dy vjetëve.
Gazeta Express ka provuar të marrë një përgjigje nga ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të lajmit.
Një përgjigje interesante e pati edhe institucioni, të cilin Bytyqi do ta udhëheqë edhe pak ditë.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MASHT-i ka thënë se e ka pranuar me shqetësim lajmin për përjashtimin e AKA-s nga ENQA, derisa shton se për këtë çështje janë njoftuar përmes mediave.
“MASHT për këtë lajm është njoftuar nga mediat dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar. Prandaj, sot Ministria ka kërkuar informacion zyrtarisht nga Agjencia Kosovare e Akreditimit mbi raportin e ri të krijuar mes Agjencisë dhe ENQA-s, e po ashtu edhe për të gjeturat në raportin e Asociacionit, mbi bazën e të cilit është marrë ky vendim”, thotë komunikata e MASHT-it.
Kritika të ashpra drejt institucioneve të Kosovës ka pasur përmes një reagimi edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ajo ka thënë se është për keqardhje që Kosova nuk do të jetë më anëtare e ENQA-s.
“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet në këtë reagim të Zyrës së BE-së, derisa, tutje, ajo ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet t’i adresojë të gjitha çështjet që Kosova të bëhet sërish anëtare.
Në anën tjetër, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vlerësuar se ky lajm është brengosës, mirëpo, jo befasues. Kjo, sipas KSHC-së, tregon për ndërhyrjet e vazhdueshme politike në AKA.
KSHC-ja ka kërkuar të arrihet një konsensus mbarëkombëtar për përmirësimin e gjendjes dhe adresimet e të gjitha të gjeturave të ENQA-s.
Profesori universitar, Rrahman Paqarizi, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ajo çka ndodhi me përjashtimin nga ENQA, është një nga lajmet më të këqija për vendin në 20 vjetët e fundit.
“Degradimi i raportit të Kosovës me ENQA-n është një ndër lajmet më të këqija për vendin në 20 vitet e fundit. Pas përjashtimit nga EQAR për shkak të vendimit të pamatur të ministrit Bytyqi dhe kryeministrit Haradinaj, MASHT-i ka dështuar t’i eliminojë pasojat e shkaktuara nga ky vendim dhe për pasojë ka ndodhur degradimi apo largimi i Kosovës nga ENQA”, thotë Paqarizi, derisa përmend edhe pasojat që mund të ketë kjo për studentët.
“Largimi nga EQAR dhe ENQA mund të ketë pasoja të rënda, përfshirë mosnjohjen e akreditimit shtetëror për diplomat e lëshuara në Kosovë në fund të programeve të akredituara tash e tutje. Pa EQAR dhe ENQA akreditimi mund të vlejë vetëm brenda Kosovës, por Kosova nuk është tashmë e listuar në regjistrin EQAR dhe ekspertët e ENQA-s mund të mos jenë pjesë e akreditimit”, thotë profesori universitar, derisa vlerëson se për këtë pasojat do t’i vuajnë të rinjtë e Kosovës, shkruan gazetaexpress, përcjell albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Kur gjendja dukej e pashpresë, mjekja gjermane shpëton vajzën nga Kosova Për shkak të diagnozës së saj me leukemi, një vajzë 14-vjeçare nga Kosova vjen në Gjermani...
-
Foto
Festa shqiptare në zemër të Cyrihut, sot është dita e dytë e Alba Festivalit
-
Ndryshime në votimin nga diaspora, fletëvotimet do t’u dërgohen me postë votuesve
-
Kosovarja fsheh pasurinë prej 350,000 frangash për të marrë ulje të primeve
-
Mijëra shqiptarë “pushtuan” rrugët e Nju Jorkut në paradën kuqezi
Jeta në Austri
-
Rënie e ndjeshme në ribashkimin familjar të refugjatëve në Austri Procesi i ribashkimit familjar për refugjatët në Austri është ngadalësuar ndjeshëm, madje edhe para ndalimit formal...
-
Austri: 11 të lënduar në aksidentin e rëndë me autobus në A1
-
95.8% e liqeneve dhe lumenjve të Austrisë janë vlerësuar si të “shkëlqyeshëm”
-
Ku në Evropë janë pikat më të pastra dhe më të pista të notit?
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen?